Përkrahjet dhe bojkotet e dështuara të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi

Zgjedhjet Presidenciale në Mal të Zi të mbajtura me 7 prill patën një jehonë të madhe në skenën politike në Mal të Zi. Kjo për vetë faktin se në ndryshim nga zgjedhjet e vitit 2008 kandidimi i Filip Vujanoviq u pa si një kandidim antikushtetues, por edhe në anën tjetër si kundërkandidat kishte Miodrag Lekiq një intelektual me karrierë të gjatë diplomatike dhe jo vetëm, i cili u fut në një garë ku rregullat de facto nuk ishin të barabarta për të dy kandidatet. Gjithsesi këtë rrallë fokusi nuk është te ndershmëria e zgjedhjeve, tek përshkrimi i kandidatëve, fushatës së tyre apo tek arsyet pse njëri fitoj dhe tjetri humbi, por fokusi është tek shqiptarët dhe kontraditat që ndodhin mes partive politike shqiptare dhe elektoratit të tyre.

Partitë me numrin më të madh të elektoratit shqiptarë, me qendër në Ulqin Forca, PD dhe UDSH u rreshtuan në përkrahje të kandidatit Filip Vujanoviq. Këto parti gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar në Ulqin fituan 7386 vota ose 38.2% të popullsisë me të drejtë vote. Po ti shtosh këtij numri edhe votat e PDS dhe Partis Boshnjake, që në zgjedhjet e kaluara arriten të fitojnë në Ulqin mbi 3000 vota, del që përkrahja e Vujanoviq në këto zgjedhje në Komunën e Ulqin duhet të ishte mbi 10.300 vota ose përkthyer në përqindje mbi 50% e popullsisë me të drejtë vote. Po çfar ndodhi në Ulqin në zgjedhjet Presidenciale? Edhe pse partitë shqiptare ftuan elektoratin e tyre të dalin dhe të votojnë kandidatin Vujanoviq, shifrat tregojnë se ndodhi e kunderta. Filip Vujanoviq në Komunën e Ulqinit mori vetëm 4804, ku me siguri nga këto mbi 3000 vota janë prurje të PDS dhe Partisë Boshnjake dhe të tjerat u takojnë të gjitha partive shqiptare.

Shifrat kanë një rëndësi të madhe, tregojnë pakënaqësi dhe mosbesim në zgjedhjen që partia ka bërë për to dhe sa janë në gjëndje partitë shqiptare të kontrollojnë elektoratin e vet. Në Komunën e Ulqinit numri i atyre që votuan në krahasim me zgjedhjet presidenciale të vitit 2008 ishte më i ulët, por përqindjën më të madhe të këtyre votave i fitoj përsëri Vujanoviq, kështu në zgjedhjet Presidenciale të vitit 2008 në Ulqin dalja në zgjedhje ishte 56% ku 65% e këtyre votave i takonin Vujanoviqit, këtë vitë dalja ishte 38.9% dhe persëri 65% i këtyre votave persëri i takonin Vujanoviqit.

Është e nevojshme që po të njëjtën analizë ta bëjmë edhe në teritorin e Komunën Urbanë të Tuzit. Në ndryshim me partitë me qendër në Ulqin, partitë ose organizatat joqeveritare të cilat sillen si parti politike, janë reshtuar në bojkot të këtyre zgjedhjeve. Të parët ishin FDI të cilët ftuan elektoratin në bojkot dhe mbas tyre u reshtuan edhe IQ dhe Lidhja Demokratike dega e Malësisë. Në ndryshim nga këto të parat Alternativa Shqiptare ftoj elektoratin të vendos vetë. Gjithsesi, edhe bojkotet duhet ti dallojmë mes njëra-tjetres, IQ ftoj që të votohen të dy kandidatët në mënyrë që fletvotimi të jetë i pavlefshëm ndërsa FDI dhe LDnëMZ dega e Malësisë ftuan në bojkot dhe në pavleftshmëri të fletvotimeve.

Në Malësi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008 pjesmarrja në zgjedhje ishte 61%, ku 70% e tyre ose 3887 vota i takonin Filip Vujanoviq. Këtë vit duhet të theksojmë faktin se numri i votuesve në krahasim me vitin 2008 është rritur me nje përqindje të konsiderueshme, kështu që në Malësi pjesmarrja në zgjedhje ishte 48.9% ku 84% e këtyre votave ose 4312 i takuan kandidatit Vujanoviq. Kështu që Vujanoviq në ndryshim me vitin 2008 kishte mbi 400 vota më shumë.

Po të bëjmë krahasimin me zgjedhjet Parlamentare të vitit 2012 edhe këtu mund të konstatojmë se me një numër më të vogël votash, por përsëri mund të themi se PDS ka pasur ngritje. Në zgjedhjet e fundit lokale në Malësi PDS bashkë me Partinë Boshnjake dhe UDSH, në Malësi morën 4172 vota ose 140 vota më pak se kandidati i tyre presidencial këto zgjedhje. Gjithsesi duhet të marrim parasysh këtu edhe faktin se UDSH në Malësi nuk ishte e unifikuar për sa i përket përkrahjes së Vujanoviq dhe kjo me siguri kishte ndikimin në elektorat.

Por, çfar ndodhë me partitë shqiptare në Malësi të cilat ftuan në bojkot?

268 fletvotime ishin të pavlefshme, vota të cilat numerikisht nuk mund të kishin ndonjë ndikim në rezultatin e këtyre zgjedhjeve edhe sikur këto ti takonin kandidatit tjetër Lekiq, vlera e këtyre votave do të ishte po e njëjta.

Por, ku qëndron kontradita e zgjedhjeve presidenciale dhe shqiptarëve në Mal të Zi? Në Ulqin partitë shqiptare ftojnë elektoratin e vet të votojë kandidatin Vujanoviq, por kjo nuk ndodh. Edhe pse pritej se me përkrahjen e partive shqiptare të kandidatit Vujanoviq në Ulqin, ai do të fitonte afro 10.000 vota, ky plan nuk u realizua, për arsye se këtë herë elektorati i partive shqiptare në Ulqin nuk ishte në të njëjtën mëndje me udhëheqësit partiak.

Nga ana tjetër në Malësi me ftesën e partive shqiptare për bojkot, duhet të ishin minimalisht mbi 1000 fletvotime të pavlefshme, dhe një numër më i madh i atyre që bojkotuan duke mos u paraqitur në vendvotime, të cilët me siguri se në numrin më të madh të rasteve morën vendim individual për të mos marrë pjesë në këto zgjedhje. Por, ndodhi e kundërta e asaj që ndoshta shumë shpresonin dhe si për ironi të fatit kandidati Vujanoviq merr më shumë vota sesa në vitin 2008, por jo vetëm kaq, por më shumë se partia e tij bashkë me aleatët në zgjedhjet Parlamentare të vitit 2012.

Por çfar na solli bojkoti? Mund të themi se asnjë gjë përveç se treguam edhe një herë pakënaqësinë tonë, më shumë verbale sesa me vepra, bojkot i cili u tregua numerikisht pa vlerë. Duhet ta kemi edhe një gjë parasysh, se ky bojkot nuk ishte vetëm për të treguar pakënaqësi, por edhe një test për përkrahjen dhe ndikimin që këto parti kanë në elektorat, gjithashtu nuk mund ta perjashtojmë faktin se ky bojkot mund të perdoret neser edhe si argument për partin në pushtet për shtyrjen e referendumit konsultativ për Komunën e Malësisë, referendum i cili me siguri se për banorët e Malësisë ka një vlerë më të madhe se sa zgjedhjet presidenciale.

Në fund duhet të pranojmë faktin se ndikimi real i partive politike shqiptare për zgjedhjet presidenciale është i vogël, përderisa as bojkoti dhe as përkrahja nuk kanë ndikim vendimtar, në këto raste heshtja dhe neutraliteti janë zgjidhjet politike më të favorshme.

Driton Sinishtaj