Akademia evropiane e muzikës – Mundësi e konkurimit studentët nga Mali Zi

Akademia evropiane verore e muzikës – viti i dytë

Koha për konkurrim

Nga 14 deri më 24 korrik 2013, në Prishtinë, do te mbahet për herë të dytë Akademia evropiane verore e muzikës . Në këtë Akademi mund të marinë pjesë studentët nga Kosova, rajoni dhe vendet tjera të Evropës.

Studentët nga Kosova dhe vende të tjera, për herë të dytë, do të kenë mundësinë e veçantë që të marrinë pjesë në mësimet e udhëhequra nga profesorët me famë nga vende të Evropës. Po ashtu, studentët do të kenë rastin të takohen edhe me kolegët e tyre nga vendet të ndryshme evropiane. Studentët sivjet do të kenë mundësi mësimi në lëndët e pianos, violinë-çellos, klarinetit, flautës, kitarës dhe këndimit. Mësimet do të zhvillohen nga tre profesor nga Kosova dhe dhjetë të tjerë që vijnë nga Çekia, Gjermania, Austria, Luksemburgu, Serbia dhe Hungaria.

Kjo ngjarje, mbase më e madhja e këtij lloji në Evropën Jug-lindore, organizohet nga ambasadat e Çekisë, Gjermanisë, Austrisë, Hungarisë, Luksemburgut, Zyrës së BE-së, EULEX-in, UNDP-në,, si dhe institucionet e Kosovës: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Diasporës, Ministrisë së Integrimit Evropian, Zyra Administrative në veri të Mitrovicës, Komuna e Prishtinës. Pallati I Rinisë, Filharminia e Kosovës dhe  Teatri Kombëtar i Kosovës. I gjithë projekti do të realizohet nga “MUTE Fondation”, një OJQ e specializuar për muzikë dhe teatër.

“Suksesi i vjetshëm dhe përvoja e fituar e më shumë se 60 studentëve nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar është një bazë e mirë për Akademinë e sivjetme. Gjatë kohës sa mbahet Akademia, ne do të dëshironim që ta bëjmë Prishtinën Kryeqytetin e muzikës klasike për tërë rajonin. Ne besojmë se gjatë kësaj kohe shumë evropian që jetojnë Kosovë dhe në shtetet e rajonit do të tubohen në Prishtinë”, thotë autori i këtij projekti ambasadori i Republikës së Çekisë Jiri Dolezel.

Përfaqësuesi i veçantë i Bashkimit Evropian Samuel Zbogar, nën patronatin e të cilit mbahet kjo Akademi shton: “Prishtina gjatë verës mbushet me frymë evropiane, duke ardhur shumë mërgimtar tek familjet e tyre, si dhe ardhja e shumë studentëve nga universitete të tjera nga e gjithë Evropa. Ne, duam që ta bëjmë këtë qytet të ngrohtë, që tashmë është me plotë entuziazëm rinor dhe me skena të pranishme artistike, që do të jetë edhe më i ngrohtë me ndjenjën e muzikës klasike”.

Drejtori Artistik që njëherësh është edhe profesor i pianos Jaromir Klepac, që vjen nga Çekia, shpjegon arsyen e angazhimit të tij në këtë projekt, për dy vjet rresht: “Shtetet e sapo formuara, siç është Kosova, si prioritetet duhet të kenë rritjen e kapaciteteve arsimore dhe ato artistike. Për këtë arsye, përmes këtij projekti, ne po sjellim në Kosovë profesorët e nivelit më të lartë nga shkolla të ndryshme të muzikës së vendeve të Bashkimit Evropian, që t’u mbajnë master klasat bashkë me kolegët e tyre nga Kosova. Njëkohësisht, falë Akademisë, shumë studentë nga vende të tjera evropiane do të vijnë në Kosovë të mësojnë, të shoqërohen dhe të këmbejnë përvojat e tyre”.

Flaka Goranci është njëra nga studentet që vjet shkëlqeu në akademinë e vjetme, kështu e shpjegon përvojën e saj: “Unë e di se Akademia evropiane verore e muzikës  është ngjarja më e rëndësishme arsimore dhe artistike, për muzikën klasike, që është organizuar ndonjë herë në Kosovë. Pjesëmarrja e vjetme, për mua dhe kolegët e mi, ishte një përvojë e çmueshme. Në një ngjarje të këtillë ju mund të mësoni, dëgjoni dhe të takoni shumë miq. Takimi im me profesorin e pianos Desar Sulejmanin dhe sopranon Caroline Merz ishte vendimtar për karrierën time. Ata më ndihmuan të përfitojë profesionalisht, në veçanti në vokalin e këngës gjermane dhe të stileve të ndërlidhura me te. Kjo është një lëmi e rëndësishme në kulturën e tashme të muzikës klasike në botë, që fatkeqësisht nuk ushtrohet pothuajse fare në shkollat tona të muzikës. Mund të them se fal master klas-ve nga viti i shkuar unë jam vendosur në Vienë për t’u specializuar në vokalin e këngës gjermane”.

Presidentja e Fondacionit “MUTE”, Florie Bajoku përkujton se të gjitha informacionet studentët e interesuar, për të konkurruar, për pjesëmarrje në Akademinë verore evropiane të muzikës si: master klas-ët, mentorët dhe kushtet e pjesëmarrjes mund të gjenden në faqen e internetit http://www.musicacademy-ks.com/. Studentët mund të konkurrojnë përmes internetit. Pjesëmarrja e studentëve nga Kosova, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria është falas. Ndërsa, për të gjithë studentët që nuk janë shtetas të Kosovës fjetja është siguruar nga organizatori, pa para, në konviktet e Universitetit të Prishtinës. Sipas asaj: “Konkurrimi mund të bëhet që tash deri në ditën e fundit, që është më 15 qershor 2013”.