KNSh – Dhuna ndaj banorëve të Martinajve, përpjekje për pastrim etnik

martinaj-arrestimet-maj2013Ngjarja e hidhur e datës 25 Maj në fshatin Martinaj, me ç´rast forcat speciale policore malazeze, arrestuan 23 banorë të këtij fshati, për shkakun e vetëm se ata mbronin pronën e tyre dhe truallin e vet, në mesin e të cilëve kishte edhe pleq të moshës mbi 70 vjeçare si edhe të mitur, ka shqetësuar jo vetëm shqiptarët në Malin e Zi, por të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, fillon reagimi i KNSh-së.

Këshilli Nacional i Shqiptarëve duke ndjekë me shqetësim dhe brengosje, këtë veprim dhune të Policisë, vlerëson se dhuna e përdorur ndaj banorëve autokton të fshatit Martinaj, i banuar vetëm me shqiptarë, bëhet me qëllimin e vetëm – përpjekje për pastrim etnik të kësaj treve historikisht shqiptare, largimin dhe shpërnguljen e banorëve, sikur është vepruar në vijimësi, gjatë gjithë shekullit të kaluar.

Këshilli Nacional i shqiptarëve e dënon ashpër arrestimin dhe dënimin me gjobë të banorëve shqiptarë të fshatit Martinaj dhe u bën thirrje Institucioneve shtetërore të Malit të Zi që të heqin dorë përfundimisht nga metodat e dhunës dhe presionit jo vetëm ndaj shqiptarëve të Plavë Gucisë por të gjithë shqiptarëve në Malin e Zi dhe t´u qaset metodave institucionale e demokratike për zgjidhjen e problemeve , ashtu sikur veprojnë shtetet demokratike e ligjore evropiane, shtete këto, të cilave pretendon t´u bashkohet edhe Mali i Zi.

KNSh në Malin e Zi njëkohsisht, apelon te Gjykata që të anulojë vendimin e padrejtë të dënimit me gjobë prej 240 euro të banorëve të arrestuar, të cilët nuk prekën dhe nuk cenuan askend, përveç se protestuan kundër uzurpimit të pronave të veta shekullore nga uzurpatorët tradicional të Kishës Pravosllave Serbe. Është paradoksale që në një shtet, sikur Mali i Zi, i cili pretendon integrimet europiane, Gjykata në vend që të dënojë uzurpatorët e keqbërësit, arreston dhe dënon ata të cilët mbrojnë pronën e vet prej këtyre uzurpatorëve, si një e drejtë e pacenueshme e çdo individi apo komuniteti.

Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Malin e Zi, u bën thirje subjekteve politike shqiptare e deputetëve në Parlament e Malit të Zi, t´i kundërvihen kësaj padrejtësie të madhe ndaj popullit shqiptar të Plavës e Gucisë, duke bërë presion te Institucionet e Malit të Zi, bojkot të Parlamentit, mospërkrahje të Qeverisë, zhbërje të koalicionit me partinë në pushtet, e forma të tjera të veprimit demokratik. Nuk ka funksion, a privilegj politik i cili mund të vendoset mbi interesat e banorëve shqiptarë të fshatit Martinaj në Plavë, apo të shqiptarëve kudo që jetojnë ata, në trevat e veta stërgjyshnore në Malin e Zi.

Këshilli Nacional i Shqiptarëve zotohet se, për dhunën e ushtruar ndaj banorëve të Martinajve dhe do të njoftojë të gjitha Institucionet relevante ndërkombëtare që veprojnë në Malin e Zi dhe se do të angazhohet me të gjithë kapacitetin e ingjerencat e veta Ligjore, që kjo çështje të zgjidhet drejt e pa dhunë, përfundon kumtesa për opinion  e KNSh-së.

/MALESIA.ORG/