Shqiptarët në Mal të Zi po i vuajnë pasojat e keqqeverisjes në KosovëPër kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, mungesa e përkrahjes dhe mbrojtjes së shqiptarëve në Mal të Zi dhe Serbi është e ndërlidhur me nivelin e rendit dhe ligjit dhe qeverisjes në vendin tonë.
“Zotësia e jonë vepruese rritet kur ne avancojmë me rend e ligj dhe me nivel të qeverisjes. Ne duhet të bëjmë një herë diçka për neve këtu, që më shumë të zhvillohemi, të krijojmë rend e ligj si duhet dhe kështu mund t’i ndihmojmë edhe shqiptarë kudo që janë. Por gjendjen çfarë e kemi këtu ne vendin tonë kapacitetet vepruese janë të dobëta”, është shprehur Haradinaj, pas një takimi manifestues të shënimit të 13 vjetorit të themelimit të degës së AAK-së në Pejë, e cila zyrtarisht të hënën e emëroi Ali Berishën si kandidat të kësaj partie për kryetar të Pejës në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Madje, sipas kreut të aleancës, shqiptarët atje jo vetëm që nuk ndihmohen por edhe traumatizohen nga politikat qeverisës në Kosovë.
“Në mënyrën si po e udhëheqim vetveten, jo vetëm që nuk ju ndihmojmë atyre por ata edhe i vuajnë pasojat e keqqeverisjes sonë në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.
E në ndërkohë, banorët e Martinajt, sikur e kanë kuptuar se Tirana e Prishtina po i lenë vetëm, ata të hënë kanë shprehur vendosmërinë e tyre se do të mbrohen vetë. /InfoShqip/ – /MALESIA.ORG/