Shqiptarja Elhaida Dani fiton ‘The Voice of Italy’ 2013

Këngëtarja e talentuar shkodrane Elhaida Dani ka arritur të dalë e para në spektaklin “The Voice of Italy’. Elhaida arriti të marrë plot 71.7 për qind të votave të publikut pas performacave të shkëlqyera që ajo paraqiti gjatë mbrëmjes finale.

Performanca e këngës legjendare të Witney Houston, “I Will Always Love You” u karakterizua nga një interpretim i lehtë, i shoqëruar nga një zë i bukur në një paraqitje skenike që lehtë mund të krahasohej me vet këngëtaren legjendare amerikane. Konkurrentët tjerë ishin më pak impresive, përjashtuar Timothyn, që dukej si kandidati i vetëm serioz kundër bukuroshes shqiptare.

Në rrethin e dytë të finales së jashtëzakonshme të The Voice of Italy ishin trajnerët e finalistëve ata që u bashkëngjitën në skenë për të interpretuar këngë të vjetra italiane.

Elhaida bashkë me trajnerin e saj, kantautorin e njohur italian, Riccardo Coccianten, kënduan këngën “Magherita”. Interpretimi fantastik nga dyshja, i kësaj kënge të njohur, u shoqërua nga një prezantim dinjitoz i Elhaidas në këngën promovuese. Ajo tha se në Shqipëri kjo këngë është e njohur dhe se miliona shqiptarë po e shikojnë atë.

Rrethi i tretë ishte shumë konkurrues. Elhaida në skenë u paraqit me këngën e lehtë italiane të kompozuar nga trajneri i saj, “When Love Calls You”. Paraqitja inspiruese e Elhaidas bëri publikun të qajë, ashtu sikurse të rrënqethë trajnerin e saj.

“Interpretimi ishte fantastik, vërtet ndihem i kënaqur që dikush di të e këndoi këngën time, e cila është një baladë italiane. Shkëlqeve si një diamant, je e mrekullueshme”, ishin fjalët e trajnerit Riccardo Cocciante pas performancës së tretë të Elhaidas në skenën e The Voice.

Vlen të përmendet se impresiv në paraqitjet e tij skenike ishte edhe konkurrenti i vetëm nga gjinia mashkullore, Timothy, i cili ishte tejet i fuqishëm megjithëse shfaqi dyshime kur bëhej fjalë për muzikën e lehtë.

Pasi përfunduan performancat, ishte publiku ai që vendosi. Në rrethin e parë të votimeve, pasi Veronica u skualifikua, ethet e kapluan Elhaidan e cila u lirua shpejt, duke mësuar se ëndrra e saj vazhdoi.

Elhaida Dani, 19 vjeçarja shqiptare, ka filluar të këndojë që në moshën 6 vjeçare. Në audicionin e parë të Elhaida shfaqi kualitetet e saj me performimin e këngës “Mama Knows Best”, duke lënë me mbresa publikun italian dhe trajnerin e saj Riccardo Cocciante.

Ndërsa në fazën e dytë të garës ajo zgjodhi të fitonte betejën kundër Franceska Belenis me këngën “No more Tears” të Dona Samër.

Ky ishte edicioni i parë i “The Voice of Italy” dhe organizohej nga Rai Due. Spektakli ngjalli interes të madh jo vetëm në Itali, por edhe në Shqipëri, pikërisht për shkak të Elhaidës, e cila nuk ka harruar të thotë në shqip faleminderit, për të gjithë shqiptarët që dje i kishin ngulur sytë tek ekrani. /BW/ – /MALESIA.ORG/