Në Kosovë ka filluar punimet “Forumi i Miqësisë Kosovë-Mali i Zi, Radovan Zogoviç”.
Në tryezat, që janë mbajtur në Prishtinë gjatë së hënës, por edhe në takime me zyrtarë të lartë shtetëror, kjo ka qenë një mundësi e mirë për përfaqësuesit e malazezëve të Kosovës të diskutojnë edhe për kërkesën e tyre, që bashkësia e tyre në vend të bëhet kategori kushtetuese.
Kryetari i “Shoqatës së Malazezëve të Kosovës”, Sllobodan Vujiçiç, ka thënë pas takimit të delegacionit nga Mali i Zi, që udhëhiqej nga Ministri i Kulturës, Branisllav Miçunoviç, me kryeparlamentarin e Kosovës, Jakup Krasniqi, se shpreson që avancimi i statusit të malazezëve të ndodhë para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Kosovë.
“Për ne është e rëndësishme të jemi të inkuadruar, ashtu siç janë komunitetet e tjera, të kemi të drejta të njëjta, sikurse kanë të tjerët në Kosovë. Në këtë mënyrë edhe statusi ynë do të përmirësohej, ashtu si dhe marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kosovës. Shpresojmë që kjo do të ndodhë sa më shpejt, para zgjedhjeve parlamentare. Kjo do të jetë e dobishme për Kosovën, sepse ne do të japim kontribut në ndërtimin e të ardhmes kosovare”, tha Sllobodan Vujiçiç.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, 6 komunitete pakicë janë kategori kushtetuese: serbët, boshnjakët, turqit, romët, ashkalinjët dhe egjiptasit. Të bëhesh kategori kushtetuese do të thotë të jesh i përfaqësues në Kuvend, në kuadër të vendeve të rezervuara, përkatësisht të garantuara, të cilat u takojnë komuniteteve pakicë, edhe pa i fituar në zgjedhje.
Nga ana tjetër, në hapje të forumit të miqësisë Kosovë-Mali i Zi është folur edhe për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, që – siç u tha – po arrin dimensione të reja, që para dy dekadash ishin të paimagjinueshme.
“Në të njëjtën kohë, ky bashkëpunim i shtuar mes nesh është edhe argument i integrimit tonë në integrimet rajonale dhe europiane, të cilat do të na hapin horizonte të reja për kulturat tona dhe për popujt tanë”, tha Memli Krasniqi, ministër i Kulturës në Kosovë.
“Mali i Zi përshëndet arritjen e marrëveshjes për bashkëpunim mes Kosovës dhe Malit të Zi, të nënshkruar me 15 prill të këtij viti, si një hap i rëndësishëm për përforcimin e bashkëpunimi në të ardhmen për tërë rajonin”, tha Branislav Miçunoviç, ministër i Kulturës i Malit të Zi.
Forumi i Miqësisë Kosovë-Mali i Zi mban emrin e shkrimtarit malazez, Radovan Zogoviç, që – siç u vlerësua nga të pranishmit – është i njohur për botimet e tij për paqen ndërmjet njerëzve dhe miqësinë mes popujve të Kosovës dhe Malit të Zi. /Top Channel/ – /MALESIA.ORG/