Në lidhje me regjistrimet e studentëve për vitin e ardhshëm akademik 2013/14, i drejtohemi Këshillit Drejtues të Universitetit të Malit të Zi me propozimin që të konsiderohet mosregjistrimi i brucoshëve në vitin e parë të studimeve në grupin studimor për mësues në gjuhën shqipe, me seli në Podgoricë, fillon kumtesën për opinion anëtari i këshillit qendror të Forcës së Re Demokratike dr. Nail Draga, raporton portali Ulqini-Online.
Arsye për këtë propozim është sepse ky program studimi ka prodhuar kuadro të mjaftueshme në profilin e mësuesisë, dhe si të tillë janë kuadro suficitare.
Draga sqaron se për ketë profil profesional, shkollat shqipe në Mal të Zi nuk kanë nevojë për kuadro të reja edhe për disa dekada, dhe propozon që në vend të këtij profili të hapet një program tjetër studimor në gjuhen shqipe, si psh drejtimi i turizmit apo ndonjë tjetër, me kohë të caktuar.
Ai propozon që selia e këtij fakulteti të jetë në Ulqin, sepse pothuaj çdo qytet në Mal të Zi ka nga një fakultet ku deri më tash vetëm Ulqini bën përjashtim.
Çështja e tillë nuk është e komplikuar, por duhet vullnet politik nga strukturat përkatëse të Universitetit të Malit të Zi. Në lidhje më këtë çështje FORCA do të jap kontributin maksimal për të siguruar kushtet optimale për funksionimin e një programi të tillë studimor, përfundon kumtesën e tij dr. Draga. /MALESIA.ORG/