Mediet malazeze vunë në qendër të vëmendjes protestën e Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë Forumit të Miqësisë Kosovë – Mali i Zi, i cila u zhvillua të hënën dhe të martën në Prishtinë. Aktivistë të Vetëvendosjes, gjatë aktivitetit, në ambientin ku zhvilloheshin bisedimet, para foltores, shpalosën pankartën “Në Mal të Zi shqiptarët shtypen. Kjo nuk është miqësi!”.
Funksionari i lartë i Iniciativës Qytetare – Tuz, dhe ish deputeti, Vasel Sinishtaj, tha se është më se e vërtet se ekziston një lloj diskriminimi ndaj shqiptarëve në Mal të Zi, dhe se shteti duhet gjetur mekanizma për të dëgjuar zërin e përfaqësuesve shqiptarë, shkruan portali malazez CDM.
Mendoj se ka pakënaqësi të madhe të shqiptarëve në Mal të Zi edhe përkundër faktit që shumica përkrahin bllokun e shumicës qeveritare, tha Sinishtaj.
Sipas tij, kur bëhet fjalë për shqiptarët, diskriminimi ekziston në fusha të ndryshme, ku në plan të parë thekson Komunën e Malësisë.
“Kur është fjala për formimin e komunave të reja, shumë qartë vërehen standarde të dyfishta.
Dy deputetë të opozitës, unë dhe Genci Nimanbegu, kemi ngritur çështjen e komunës së Malësisë në gusht të vitit të kaluar, kurse gati një muaj më vonë u ngritë çështja për komunën e Gucisë. Për ta nuk ka pasur nevojë të ngritët tenderi publik, dhe as diskutim publik rreth elaboratit, kurse neve, ato na u imponuan”, tha Sinishtaj.
Sipas tij, Ligji Zgjedhor i Malit të Zi, ka diskriminuar pikërisht shqiptarët, pasi që është humbur edhe diçka që ishte fituar. Kishim 5 deputetë, përfaqësues të shqiptarëve, kurse sot kemi dy, sqaron Sinishtaj.
Sinishtaj shton se shqiptarët janë në pozitë jo të volitshme edhe në arsim. Sipas tij, shqiptarët nuk janë mjaft të përfaqësuar në Universitetin e Malit të Zi.
Kemi vetëm një drejtim, studimet e Mësuesisë, dhe asgjë tjetër, tha Sinishtaj.
Kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Mehmet Bardhi, për CDM, tha se shqiptarët janë më se të diskriminuar.
“Shqiptarët në Mal të Zi nuk janë të barabartë, nuk vendosin mbi zhvillimin e trojeve të tyre shekullore. Ne vetëm kërkojmë të jemi zot shpie në shtëpitë tona. Të vendosim për zhvillimin dhe përdorimin e burimeve, dhe jo Podgorica të vendosin për ne”, tha Bardhi.
Sipas tij, as qeveria dhe as opozita, shpesh nuk kishin mirëkuptim për kërkesat e shqiptarëve.
Gjatë përpunimit të Kushtetutës, Lidhja Demokratike ka paraqitur rreth 40 propozime, sugjerime dhe amendamente për propozim në Kushtetutë, por asnjë nuk u pranua”, rikujton ai.
Në Këshillin e Privatizimit, siç thekson Bardhi, për shqiptarët ishte “pushtues”, nuk kishte asnjë përfaqësues shqiptarë.
Bardhi është i pakënaqur edhe për arsye se Malësia ende nuk e ka fituar statusin e Komunës.
Ai krahason komunën e Petnicës, të cilën ai e ka përkrahur edhe përkundër faktit se e quanin se ajo komunë nuk posedon një kioskë të vetëm, me Malësinë e cila ka pasuri natyrore në shumëçka, dhe përsëritë se LDnëMZ krejt kohës ka kërkuar komunën e Malësisë.
Përveç këtyre, për diskriminimin flet qartë mungesa për punësimin e shqiptarëve dhe mundësia e shkollimit në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet, si dhe përdorimi i saj në administratë.
Kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Mehmet Zenka, për CDM tha se është e vërtet se shqiptarët janë të shkurtuar në shumëçka, pot thekson se ky nuk është një diskriminim klasik.
“Është e vërtet se shqiptarëve u mungojnë të drejta, janë të shkurtuar në shumëçka në Mal të Zi. Herën e fundit u dëmtuan me miratimin e ligjit të ri zgjedhor. Shqiptarët nuk janë të përfaqësuar proporcionalisht, veçanërisht në zonat ku ata janë pakicë”, tha Zenka.
Ai sqaron se kësaj i ka kontribuar dhe disa lëvizje të gabuara që janë tërhequr kundër të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi.
Megjithatë, ai është optimist. Zenka beson se shqiptarët, përmes institucioneve të sistemit do të fitojnë kërkesat e tyre në Mal të Zi.
Ai po ashtu theksoi se marrëdhëniet në mes të Malit të Zi dhe Kosovës janë në nivel të lartë, është për lëvdatë dhe shembull për shtetet tjera në Ballkan, përfundoi Zenka. /MALESIA.ORG/