Shoqata e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” bashkë me gjithë veprimtarët e saj kudo në trojet etnike ka bërë gjithë angazhimet për të mbajtur gjallë vlerat kombëtare e atë vrullin e nisur nga Rilindësit tonë për unitetin e vëllazërinë mes besimeve. Në vitet e vrara të Kosovës ishim bashkë dhe po ia shëronim plagët Drenicës, Dukagjinit, Llapit e Gollapit. Armikun e njëjtë e kishin edhe Hasani, Rrustemi, Beka edhe Predi, Martini, Kola… e ai ishte fashizmi sllav që po mbillte vdekje e tmerr kudo në trojet etnike. Në një front ishin bërë shqiptarët për t’i mbrojtur trojet nëpër shekuj dhe kur erdhi demokracia dhe liria nisi t’i tjetërsojë shqiptarët. Kjo gjendja sot më detyron të shtroj pyetjen se a ishin gjallë këta shumë katolikët e shumë myslimanët në vitet e kobit e të okupimit?. Nuk ishin se nuk i pamë as në mbrojtje të shkollës shqipe nga pushtuesi serb e as në betejat e mëdha e të lavdishme për liri. Ata demokracia e liria i nxori nga nëntoka dhe tash në emër të Konventave Ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut nxjerrin gjuhët plot helm dhe flasin e mbjellin ndarje e përçarje dhe nuk u fije turp kur thonë se janë në mbrojtje të identitetit kombëtar.
U duhet thënë këtyre njerëzve se ne jemi shqiptarë e se besimet i kemi marrë sipas dëshirës a frikës, por kemi mbetur prapë shqiptar. U duhet thënë se Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, Gjo Dedë Luli, Ismajl Qemajli, Isa Boletini , Mic Sokoli, Ymer Przreni, Qerqiz Topulli, Dhaskal Todri, Pandeli Sotiri, Naim Frashëri , Adem Jashari e gjithë këta emra, që historia i shkëlqeu në ar janë shqiptarë dhe se e kanë mbrojtur idealin e atdhetarëve nëpër shekuj. Ata bashkë me bashkëveprimtarët e bashkëluftëtarët e tyre kanë dhënë betimin para flamurit tonë kombëtar dhe janë gjetur në istikame duke kërkuar lirinë e atdheut. Në kohën kur armiqtë po vazhdojnë me Programet për zhdukjen e çdo gjëje shqiptare, mes nesh po hapen tema mjerave se kush është më fetar se tjetri duke mohuar kombin. O njerëz në shërbim të huaj , mos punoni kundër kombit për ato pak para të pista që po merrni nga armiqtë, që nesër po u erdhi dita do u vrasin e tretin në fundërrina se ata po ju përdorin sa iu duheni.
Dy shtete shqiptare duhet të shikojnë realisht aktualitetin dhe t’i qetësojnë ca njerëz sepse po shihet se demokracia dhe liria po i tjetërson disa prej shqiptarëve . Ne duam të mbesim shqiptarë e nuk kemi as edhe një arsye të bëhemi as më katolikë se papa e as më myslimanë se kryeimamët .
Rrahman Jasharaj , zëdhënës dhe koordinator i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”