Shkruan : Gjekë Gjonaj, Ulqin
Prof.dr.Hysni Hoxha, pas një pune disavjeçare, me zell, vullnet e përkushtim të madh, lexuesve shqiptarë u dhuroi edhe një vepër dinjitoze me vlera kombëtare. Libri i tij më i ri “ Simbolet kombëtare” u botua para pak muajsh nga Shtëpia Botuese “ Faik Konica”, në Prishtinë me ndihmën e Drejtorisë për Kulturë të Kuvendit Komunal të Prishtinës. Ky libër i studiuesit të mirënjohur shqiptar, i cili me veprat e tij të botuara deri më tani nga fusha e letërsisë shqiptare dhe botërore si dhe të studimeve dhe eseve edhe në gjuhën maqedonase, serbokroate, sllovene, italiane, rumune dhe hungareze, është një thesar i madh shpirtëror e kulturor i popullit tonë, sepse trajton dhe analizon në detaje simbolet tona kombëtare: himnin, flamurin, simbolet shtetërore të Kosovës dhe autorët që kanë ngritur debatet mbi to. Autori Hoxha me këtë vepër me peshë në studimet albanologjike, dhe jo vetëm, u rreshtua në mesin e atyre intelektualëve shqiptarë që kontribuan me rastin e shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ai këtë vepër e ka strukturuar dhe ndërtuar në katër shtylla kryesore. E para “ Flamuri kombëtar”. E dyta “ Himni kombëtar”. E treta “ Himnet e poetëve tanë”. Dhe e katërta “ Biseda me krijues”.
Libri fillon me parathënien në të cilën autori na njofton për idenë e këtij botimi , që, siç thotë ai, daton nga vera e vitit 1997, dhe për veprat dhe studimet për simbolet tona kombëtare të cilave u është referuar në këtë libër.
Duke lexuar veprën me kureshtje dhe me interesimin e një njeriu, që është i interesuar shumë për thellimin e njohurive nga kjo temë kaq e rëndësishme,siç janë simbolet tona kombëtare, m’u ngjallë krenaria kombëtare e cila nuk më shuhet kurrë. Leximi i këtij libri, jo vetëm që ishte kënaqësi, por edhe një habi, që më mbushi me emocione për analizën bindëse me mbështetje në vepra të autorëve më në zë shqiptarë të kohës që në fokus të tyre kanë pasur himnin dhe flamurin, që nga lashtësia e deri në ditët e sotme, siç janë : Faik Konica, Patër Donat Kurti, Jaho Brahaj, Ramadan Sokoli, Ali Hadri, Maksim Zotaj, Shaban Sinani, Bardhosh Gaçe, Lazgush Poraqeci, Vasil Tole, Valbona Karakaçi, Zeqirja Ballata, Ismail Kadare, e të tjerë si dhe në himnet e poetëve dhe atdhetarëve tanë të devotshëm , si : At Gjergj Fishta, Hilë Mosi, Asdreni, Ali Asllani, Naim Frashëri, Fan Noli, Mihail Grameno, Ernest Koliqi, Murat Toptani, Kristo Floqi, Dhimitër Shuteriqi, Hekuran Zhiti, Filip Shiroka, Luigj Gurakuqi dhe Xhevahir Spahiu.
Profesor doktor Hysni Hoxha, duke iu referuar librit ”Flamuri i kombit shqiptar” të studiuesit Jaho Brahaj përmend tri burimet kryesore që flasin për historinë e flamurit të kombit shqiptar, veprën : Historia e Skenderbeut , e botuar latinisht në Venedik ( 1508-1510), Histroia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut të autorit Marlin Barleti dhe biografia e shkurtër për Skënderbeun i autorit Dhimitër Shuteriqi, shkruar viteve të para të shekullit XVI ( fq. 33). Studiuesi Hoxha përmend të dhënat e profesor Shyqyri Nimanit, i cili në Ekspozitën e Çhikagos, në Hartën Portollane të Mesdheut të vitit 1456 në mesin e 41 flamujve me ngjyrë vërejti flamurin tonë kombëtar( fq.34). Profesor Hoxha si ngjarje tjetër historike të flamurit tonë kombëtar përmend edhe heroizmin e trimave të Malësisë së Madhe, kryesuar nga trimi legjendar Dedë Gjo Luli, me çetën e tij të Lekëve, i cili çliroi Deçiqin dhe në malin Bratilë , më 6 prill 1911 ngriti flamurin kuq e zi( fq.35).
Studiuesi Hoxha pohon se shqiptarët shqiponjën e konsideronin shpend të shenjtë, bamirës dhe shton se të tillë e konsideronin edhe në krijimtarinë tonë poetike, në tekstet e konkursit për himnin kombëtar më 1937 ( fq. 51). Ai nuk pajtohet me pyetjen e shtruar të Maskim Zotaj përkitazi me “ shqiponjën ndëshkuese “ të Zeusit, duke u shprehur kundër ndëshkimit të titanit Promete i cili u flijua për të mirën mbarënjerëzore. “ Shqiponja e Zeusit në asnjë mënyrë nuk mund të krahasohet me shqiponjën dy krerë të flamurit tonë kombëtar. Nuk mund të krahasohet po ashtu as me shqiponjën me një kokë, e cila edhe sot përjetohet si simbol i bamirësisë, guximit, trimërisë dhe lirisë”, shkruan Hoxha. ( fq. 55).
Profesor Hoxha , duke e analizuar poezinë tonë gojore dhe të shkruar , respektivisht himnet e poetëve tanë, konkludon se fati i kombit shqiptar identifikohet me flamurin tonë kombëtar, simbolin e shenjtëruar nga gjaku i trimave atdhetarë,që u flijuan për çlirimin e trojeve tona etnike. ( fq. 65)
“ … Edhe në rrëfimet popullore, si në këngët historike dhe në këngë të zhanreve të tjera poetike m flamuri ynë kombëtar mbrohet me vendosmëri dhe flijime”, pohon Hoxha. ( fq. 92)
Studiuesi Hoxha nuk ka mëdyshje se kombi shqiptar meriton të ketë himin tonë burimor kombëtar , e jo atë të të huazuar nga himni i poetit rumun, Joan Barsan, me tekst të përkthyer, të përshtatur, me dy strofa të shtuara nga Asdreni , me melodi të kompozitorit rumun , Ciprian Porumbescu, çështje kjo e shtruar nga Komisioni Qendror për Kremtimin e 25-vjetorit të Vetëqeverimit të Shqipërisë, më 5 shkurt 1937, por e parealizuar deri në ditët tona. ( fq. 102, 103, 113).
Trajtimi i simboleve kombëtare në Kosovë : flamuri, stema dhe himni, në kohën kur ajo ishte njësi në kuadër të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe tani shtet i pavarur dhe sovran po ashtu ia shtojnë vlerën kësaj vepre. Porofesor Hoxha nuk pajtohet me flamurin e imponuar shtetëror aktual të Kosovës pa karakteristika etnike të shqiptarëve shumicë ( me pëlhurë të kaltër me gjashtë yje, me ngjyrë të argjendtë të një pjese të pëlhurës që përfaqësojnë gjashtë etnitë prej të cilave shqiptarët përbëjnë 90 për qind të të gjithë banorëve, dhe pesë etnitetet e tjera së bashku 10 për qind) , dhe as me himnin gjysmak të Shtetit të Kosovës, “ Evropa” vetëm me një melodi , pa tekst poetik, të kompozitorit kosovar Mehdi Menxhiqit. Sipas Xoxhës simbolet kombëtare në Kosovë duhet të përcaktohen me kritere artistike dhe jo politike. ( fq. 148), kurse Kuvendi i Kosovës ka përgjegjësinë historike të mos pranojë himnin e cunguar pa tekst i cili do të fyejë Kosovën,popullin e saj dhe qenien tonë kombëtare që jeton jashtë Kosovës. ( fq. 155).
Tendencën e dallimit ( veçimit) të flamurit shtetëror të Kosovës nga flamuri ynë kombëtar, dhe himnin e shtetit të Kosovës nga himni ynë kombëtar autori Hoxha e komenton kështu: “ Kjo tendencë e errët , lirisht mund të themi reaksionare, e inicuar nga personalitete, qarqe dhe shoqata të huaja, synon ndarjen e kombit tonë në shqiptarë, që jetojnë brenda kufijve administrativë të Shqipërisë, dhe në kosovarë-shqiptarë, që jetojnë në Kosovë. Një ndarje e tillë, që regjimet shoviniste sllave kanë synuar ta realizojnë që herët, fatkeqësisht ka hasur në përkrahje edhe te disa individë dhe qarqe të ngushta në Shqipëri dhe në Kosovë, si edhe tek autoritetet evropiane me ndikim”. ( fq. 170).
Libri,përveç shënimeve bibliografike të autorit, ka edhe një bibliografi për literarturën e përdorur, indeksin ( regjistrin ) e emrave dhe përmbajtjen që kësaj vepre ia shtojnë vlerën
Himni dhe flamuri janë simbole mijëvjeçare të qëndresës kombëtare të shqiptarëve deri në ditët tona, andaj këtë vepër e konsideroj të domosdoshme në radhë të parë për faktin se ajo pasuron literaturën dhe argumnentet e deritashme bindëse shkencore për këtë pasuri të kombit shqiptar.