Kosovë: Lëndohen policët, arrestohen 68 protestues – Ratifikohet marrëveshja

Me 84 vota për, 3 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur më 19 prill, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Votimi është bërë i mundshëm vetëm pasi sigurimi i Kuvendit të Kosovës detyroi me forcë liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe disa deputetë të kësaj lëvizjeje, të largohen nga foltorja e Kuvendit dhe nga vendi ku ulet kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët e këtij institucioni.

Kjo situatë u krijua në kohën kur Kuvendi ndërpreu punimet për shkak të një ndërhyrjeje me forcë të Kurtit në mikrofonin e kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili po përpiqej të hidhte në votim ratifikimin e përmbajtjes së marrëveshjes së 19 prillit.

Në kohën e ndërhyrjes, Kurti ishte qenë duke mbajtur në duar një pankartë, me mbishkrimin “Kosova e Hashimit”, në të cilën ishte e vizatuar një hartë pa pjesën veriore të Kosovës.

“Krasniqi: Prezent janë 101 deputetë, vazhdojmë procedurën e votimi, votojmë amendamentin”

“1. Kurti: Nuk ka votim. Nuk bën ta votojmë marrëveshjen. Kryetar nuk bën ta votojmë marrëveshjen”, tha Kurti derisa kryeparlamentari Krasniqi kërkoi 10 minuta pauzë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, më herët, duke iu drejtuar deputetëve të subjektit Vetëvendosje, tha se “e kuptoj të drejtën për protestë, por askush nuk guxon të ushtrojë dhunë mbi mendimin e lirë të deputetëve. Kjo nuk është demokraci. Kjo është përpjekje për të vendosur rend jodemokratik”, u shpreh Krasniqi.

Seanca e së enjtes ishte ndërprerë fillimisht nga mungesa e kuorumit në sallë, për shkak të protestës së organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, në shenjë kundërshtimi me ratifikimin e paralajmëruar për sot. Protestuesit penguan deputetët që të futen në Kuvend. Këto veprime kryetari i Kuvendit i ka konsideruar si të ulëta dhe jodemokratike.

Ndryshe, kryeministri Hashim Thaçi para se të ndërpritet seanca, paraqiti projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes, duke thënë se marrëveshja është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Me zbatimin e marrëveshjes në veri do të vendoset rendi dhe ligji, do të hiqen strukturat ilegale, do të mbahen zgjedhjet lokale, në të njëjtën kohë kur do të mbahen në gjithë territorin e Kosovës dhe do të arrihet integrimi i plotë i kësaj pjese të vendit”, tha kryeministri Hashim Thaçi.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosje, Visar Ymeri, e quajti turp mbështetjen e marrëveshjes.

“Është për t’ju ardhur turp se si po e pranoni këtë gjendje dhe është për t’ju ardhur turp se si keni kaluar mbi qytetarët e Kosovës që i tërheq zvarrë policia për të hyrë këtu në Kuvend dhe për ta miratuar këtë marrëveshje që e kthen Kosovën nën Serbi”, tha Ymeri.

Kurse, lideri i Vetëvendosje Albin Kurti, derisa tha se marrëveshja e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është anti-kushtetuese dhe në dëm të vendit. Ai  kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar që të mos përkrahet subjekti i tij, por të flasin atë që e dinë, siç tha ai, për krim dhe korrupsion.

“Faktorëve ndërkombëtar që janë lart iu bëj thirrje mos e përkrahni Vetëvendosjen, por flisni të vërtetën për këta kriminelë se ju i dini shumë mirë kush janë këta. Ju e dini korrupsioni, krimin e organizuar edhe i dini të gjitha krimet që i kanë bërë këta. Po ju nuk po flisni…”, tha Kurti.

Ndryshe, protestues të shumët kanë protestuar përreth Kuvendit të Kosovës që nga ora 9 e mëngjesit, duke bllokuar të gjitha hyrjet në Kuvend dhe në Qeverinë e Kosovës.

Policia ka intervenuar dhe ka ndaluar rreth 68 protestues, kurse janë lënduar 17 pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Autoritetet e rendit thanë se protestuesit po trajtohen në bazë të procedurave ligjore dhe konventës për respektimin e të drejtave të njeriut. Lidhur me shoqërimin e personave në stacionet policore, të gjitha veprimet policore janë duke u ndërmarrë nën autorizimin e prokurorëve kujdestarë, është thënë në një komunikatë për media nga policia.

Protestuesit kanë përdorur ngjyrë të bardhë kundër policisë, kurse autoritetet e rendit kanë përdorur spërkatës piperi.

Me gjithë thirrjet e vazhdueshme nga ana e zyrtarëve policorë që protestuesit të largohen nga hyrjet e institucioneve, protestuesit kanë hezituar të largohen duke vazhduar përpjekjet e tyre që të pengojnë ratifikimin e marrëveshjes me Serbinë.

Më vonë, derisa ka vazhduar seanca, autoritetet e rendit kanë arritur të zhbllokojnë hyrjet e Kuvendit. Pasi ka përfunduar seanca dhe është ratifikuar marrëveshja, situata është qetësuar dhe nuk ka pasur probleme.