Më 27 Qershor 2013 Komunën e Plavës vizitoi një delegacion i Komunave të Kosovës.
Në vizitë kishin ardhur Kryetaret e Komunave të Rahovecit dhe Deçanit Smail Latifi dhe Rasim Selmanaj me bashkëpunëtorë të tyre .
Ata, gjatë vizitës në Komunën tonë, së pari u takuan me përfaqësues politik të shqiptarëve të kësaj Krahine, konkretisht me delegacionin e LDnëMZ-Dega Plavë-Guci të cilët ishin edhe organizator të këtij takimi, si dhe me përfaqësues të Forcës –Dega e Plavë-Guci, për të vazhduar pastaj një takim tek Kryetari i Komunës së Plavës Orhan Shahmanoviq .
Në takimin me përfaqësues të subjekteve shqiptare u ngritën çështje që preokupojnë shqiptarët e kësaj Krahine dhe mundësia e përkrahjes nga institucionet e Republikës së Kosovës ndaj popullatës se këtushme.
Mysafiret nga Komunat e Kosovës premtuan se do të përpiqen që me autoritetin e tyre të ndikojnë sa të munden tek institucionet e shtetit të Kosovës si dhe gjatë diskutimeve të marrëdhënieve dypalëshe , për përmirësimin e situatës së përgjithshme të shqiptarëve të këtyre trojeve. Ndërkaq, mysafiret u interesuan edhe rreth pronës së uzurpuar të familjes Prëlvukaj në fshatin Martinaj, në të cilën tentohet të ndërtohet kisha ortodokse sërbe si dhe rreth burgosjes së banorëve të martinajve, rreth kësaj çështje.
Gjatë gjithë takimit, tema kyçe që mbizotëroi në biseda ishte mundësia e hapjes së rrugës Deçan-Plavë dhe rëndësia e kësaj rruge për banoret e këtushëm dhe zhvillimit ekonomik të përgjithshëm të komunave ndërkufitare.
Të gjithë ishin të pajtimit se duhet të fillohet sa më shpejtë me ketë projekt , duke insistuar tek Qeveritë e dy vendeve për fillimin e hapjes së këtij aksi rrugor.
Pas kësaj ,takimi i mysafirëve nga Kosova vazhdoi në zyrën e Kryetarit të Komunës së Plavës.
Kryetari i Plavës i falënderoi miqtë nga Kosova, duke ua rikujtuar që kufijtë nuk i kemi vendosur ne dhe që do përpiqemi që këta kufij të bëhen sa më të kalueshëm dhe sa më të padallueshëm mes këtyre zonave . Ai ka cekur se ne gjithnjë kemi qenë një popull që kemi ndare vuajtjet e gëzimet së bashku dhe se kanë kaluar kohërat kur na ndajnë me kufij. Miqtë nga Kosova kanë falënderuar edhe Kryetarin e Plavës për pritje vëllazërore, duke u shprehur se ata këtu ndjehen në vend të vetin dhe jo si mysafir. Gjatë takimit, është renë dakord se shume shpejt (brenda muajit Korrik) do të behet binjakëzimi i Komunës se Plavës me atë të Deçanit .
Miqtë nga Kosova premtuan se shume shpejt do kthehen serish në Plavë , për të marrë pjesë ne binjakëzimin e Komunave, si dhe të aktiviteteve që organizojnë shqiptarët e këtushëm gjatë këtyre muajve të verës.
Për ndere të delegacionit nga Kosova , në fund të takimeve u shtrua dhe një drekë në një Restorant skaj Liqenit të Plavës.
Për portalin Malesia.Org Skender Hasangjekaj