15 gushti erdhi, referendumi jo

Nga Ruben Avxhiu, New York

Shqiptarët e Malësisë në Malin e Zi ngado që të rrotullohen vështirë të shohin diçka pozitive në horizont. Ata duan të kenë komunën e tyre të ndarë nga Podgorica, po kjo e drejtë e natyrshme u refuzohet vazhdimisht.

Ligji është në anën e malësorëve. Me afrimin e anëtarësimit në BE, Mali i Zi ka pranuar si të gjitha vendet europiane që qeverisja të decentralizohet duke u dhënë komunave mundësi që të kenë buxhetet, taksat, politikat e tyre lokale që ata i dinë më mirë se qeveria qendrore.

Problemi është se në Malësi ligji nuk është zbatuar por është lënë pre e politikave të brendshme, herë djallëzore e herë kokëfortë.

Një studim i bërë përpara disa vitesh, nga disa ekspertë shqiptarë i hidhte poshtë të gjitha pretendimet malazeze për refuzimin e komunës. Ai vinte në dukje se në Malin e Zi ishin krijuar komuna shumë më të vogla dhe më të varfra, se Malësia; komuna me më pak njerëz dhe më pak kohezive dhe se Malësia më mirë se disa komuna ekzistuese kishte kufij të qartë, kompaktë dhe ndjenjë identiteti historik e kulturor.

Pse e refuzon atëhere Podgorica Komunën e Malësisë? Mbase ka frikë nga një komune shqiptare në këtë zonë të mbushur me histori, ndoshta nuk e bën për arsye përfitimi ekonomik, ose thjesht për t’i lënë shqiptarët të mbërthyer në këtë temë që riciklohet sa herë ka zgjedhje politike e lokale.

Të gjitha këto janë të besueshme por jo bindëse. Përreth Ulqinit ka tashmë një “komunë shqiptare” dhe nuk ka pasur as përpjekje për shkëputje e as ndonjë shpërthim ultranacionalist si imagjinojnë disa rrethe anti-shqiptare.

Nga ana ekonomike, Podgorica mund të ketë ndonjë përfitim ekonomik në Malësi, por moslejimi i vetëqeverisjes lokale do ta deprimojnë ekonominë në stadin që ajo do të kthehet nga potenciale në një peshë fundosëse për buxhetin e Podgoricës. Përkundrazi duke lejuar shkëputjen dhe ringjalljen ekonomike nga entuziasmi i investimeve të diasporës, Mali i Zi dhe për rrjedhim Podgorica do të kenë më shumë përfitime financiare nga taksat, hyrja e kapitalit të huaj investues etj.

Sa për interesin strategjik të mbajtjes së shqiptarëve të ngecur në një temë politike deri diku minimaliste, këto janë tipike nga ato metoda që kthehen në boomerang në Ballkan. Historia dëshmon se pajtimi i pakicave dhe jo injorimi i tyre krijon harmoni në vend. Duke ua lënë Malësinë në duart e tyre, Mali i Zi mund të përfitojë shumë më tepër sesa nga mbajtja e një vatre zemërimi që mund të krijojë probleme të një natyre tjetër.

Në fund të fundit, megjithë optimizmin dhe dëshirën e shqiptarëve për të pasur atë që do të quhet Komunë e Tuzit, askush nuk e di se si do të vejë fati ekonomik i saj. Mbase në fund shqiptarët do të shohin se krahina e tyre ka qenë më mirë duke mjelë arkën e kryeqytetit sesa sprova e vetëqeverisjes në periudha të pasigurta ekonomike. Po pa një përvojë reale, shqiptarët do të vazhdojnë të mbeten të fyer dhe të zhgënjyer nga trajtimi i pabarabartë në krahasim me rajone shumë më të parëndësishme të Malit të Zi.

Podgorica ka lejuar që Tuzi të bëhet “komunë urbane” një shpikje ligjore për të kënaqur pjesërisht malësorët e për t’I ndarë në dy fronte. Statusi i komunës urbane nuk ua këput zinxhirët që i mban lidhur me kryeqytetin, po ua liron shumë ato për t’u dhënë të paktën fantazinë e lirisë.

Pasi edhe kjo pseudozgjidhje e humbi vlerën, partia malazeze në fuqi e kryeministrit Gjukanoviç premtoi në zgjedhjet e fundit se do të organizonte një referendum për Komunën.

Ideja e referendumit është gjithashtu një fyerje sepse shumica e popullsisë së zonës dëshiron t’i zgjidhin problemet e tyre në Tuz e jo të marrin udhën në Podgoricë. Llogjika është e thjeshtë dhe nuk kërkon të valëvisësh një flamur të kuq për të kërkuar zbatimin e ligjit edhe në këtë pjesë të vendit.

Megjithatë, duke treguar maturi dhe pragmatizëm, po edhe duke zhgënjyer shumë aktivistë shqiptarë që e kanë humbur tërësisht besimin te Podgorica, partitë shqiptare pranuan marrëveshjen. Deri në 15 gusht do të caktohej referendumi. Sot data erdhi po vendimi jo.

Tani dy deputetë shqiptarë në parlament që përfaqësojnë dy partia shqiptare kanë kërcënuar se do të dalin nga koalicioni qeverisës. Megjithatë, shanset për Malësinë që të bëhet Komunë mbeten gjithësesi të pakta, pa dëshirën e partisë kryesore malazeze.

Në shumë kuptime malësorët janë pa shpresë se askush nuk ka më kohë për ta.

Perëndimorët që duhej t’i kishin bërë presion Malit të Zi janë kaq të zënë me raportin Serbi-Kosovë, me tre palët e papajtueshme në Bosnje, me problemet e Maqedonisë me Greqinë, Bullgarinë dhe komunitetin shqiptar saqë në këtë kontekst, Mali i Zi duket një problem shumë më i vogël dhe i anashkalueshëm. SHBA dhe BE thjesht nuk kanë mundësi të fokusohen në “pikën e vogël” të Tuzit.

Nga ana tjetër Shqipëria e Kosova që duhej të kishin bërë presion te Mali i Zi dhe perëndimorët, nuk e bëjnë dot këtë se i kanë shpenzuar të gjitha kreditë e tyre politike e personale ose në luftë kundër rivalëve të tyre të brendshëm politikë, ose për të mos u ndëshkuar për korrupsionin dhe defektet në demokraci, ose në fund, për një kauzë pak më të ndershme, të krijimit të një fronti anti-serb në tryezat e takimet rajonale për punën e përfaqësimit të Kosovës. Shtoju këtu edhe hesape të vjetra e interesa ekonomike, Tirana dhe Prishtina nuk kanë më karta për të luajtur për Tuzin.

Në fund, shqiptarët vetë të Malit të Zi, kanë pak se çfarë të ofrojnë apo kërcënojnë. Partitë në këtë vend janë etnike. Kundër Gjukanoviçit thjesht është pro partisë serbe. Ironia e fatit është që serbët e Malit të Zi shpesh duket se urrejnë shqiptarët më shumë se ç’duan kauzën e tyre.

Po në llogarinë finale, janë numrat në terren. Me emigracionin ekonomik e politik në vite shumë fshatra janë zbrazur dhe nuk po popullohen më. Përkundrazi, pakica të tjera po hyjnë nga pak. Problemi nuk është te etnia e tyre sesa te mungesa e dnjeshmërisë historike për vendbanimin e tyre të ri. Për ta historia, misioni dhe destinacioni i Malësisë nuk është emocionues, nuk kanë lidhje me të. Janë më të prirur për një marrëveshje të përkohshme me Podgoricën dhe dobësojnë edhe më tej mundësitë e manovrimit politik.

Në fund, shqiptarët në Malësi janë si në të gjithë botën. Të përçarë politikisht, me ego më të mëdha se sa realiteti politik që zotërojnë.

Të gjitha këto së bashku e kanë bërë ndoshta 15 gushtin e zbrazët një realitet të pritshëm. Dhe të zhgënjyerit ndoshta jemi vetëm ne që nuk rreshtim së hapuri dyer duke shpresuar se më në fund do të gjejmë daljen e duhur, pa vënë re ndoshta se të vetmit që kanë dalë nga kjo gjendje nuk janë ata kanë lëvizur dorezën, por ata që kanë shembur murin.

(Ruben Avxhiu është kryeredaktor i gazetës shqiptaro-amerikane :Illyria”, në New York)