Tiranë, 11 shtator – Më pak se 24 orë i janë dashur Presidentit Bujar Nishani të dekretojë qeverinë e re, pas dorëzimit të listës së kabinetit qeveritar nga ana e kryeministrit Edi Rama.
Dekreti i Nishanit është bërë publik në faqen zyrtare të presidencës në orën 11.00 të ditës së sotme (11 shtator 2013). Në këtë dokument, Presidenti Nishani ka dekretuar të gjithë emrat e ministrave, të cilët do të shkojnë në Kuvendin e Shqipërisë për ti votuar.
Dekretimi i qeverisë së re, është bërë nga Presidenti Bujar Nishani “në mbështetje të nenit 93, 96 dhe 98 të Kushtetutës së Shqipërisë, me propozim të Kryeministrit Edi Rama”.
Dekreti i presidentit Nishani hyn në fuqi menjëherë.
Këshilli i dekretuar i Ministrave
1. Edi Rama, Kryeministër
2. Niko Peleshi, Zëvendëskryeministër
3. Ditmir Bushati, ministër i Punëve të Jashtme
4. Mimi Kodheli, ministër i Mbrojtjes
5. Saimir Tahiri, ministër i Punëve të Brendshme
6. Klajda Gjosha, ministër i Integrimit Evropian
7. Shkëlqim Cani, ministër i Financave
8. Edmond Haxhinasto, ministër i Transportit dhe Infrastrukturës
9. Eglantina Gjermeni, ministër i Zhvillimit Urban dhe Turizmit
10. Arben Ahmetaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes
11. Lindita Nikolla, ministër i Arsimit dhe Sportit
12. Nasip Naço, ministër i Drejtësisë
13. Mirela Kumbaro Furxhi, ministër i Kulturës
14. Erion Veliaj, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
15. Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë
16. Edmond Panariti, ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave
17. Ilir Beqja, ministër i Shëndetësisë
18. Lefter Koka, ministër i Mjedisit
19. Milena Harito, ministër Shteti për Inovacionin dhe Administratën Publike
20. Bledi Çuçi, ministër Shteti për Çështjet Vendore
21. Ilirjan Celibashi, ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin
Deputetët u betuan, Meta kryetar Kuvendi
Tiranë, 10 shtator – Përveç mbështetjes së mazhorancës, kryetarit të LSI-së Ilir Meta iu besua drejtimi i Kuvendit të Shqipërisë edhe nga 8 deputetë të opozitës. Në votimin e fshehtë, që u zhvillua në Kuvend, kandidatura e Metës mori 91 vota pro, 45 kundër dhe 1 abstenim. Ajo që ra në sy në listën e deputetëve që propozuan kandidaturën e Metës për këtë post ishte fakti se kjo listë kryesohej nga kryeministri i sapodekretuar, Edi Rama.
Në fillim të seancës së Kuvendit, Komisioni i verifikimit të mandateve bëri të ditur se nuk konstatoi asnjë pavlefshmëri gjatë verifikimit të mandateve të 140 deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Pas leximit të konkluzioneve të raportit nga Armando Subashi, deputetët bënë betimin njëri pas tjetrit. Sipas rregullores parlamentare, drejtuesi i seancës, Namik Dokle, lexoi tekstin e betimit dhe secili nga ligjvënësit u ngrit në këmbë duke thënë “Betohem”.
Në fund të fjalimit si kryetari i ri i Parlamentit, Ilir Meta thirri Parlamentin të vijojë seancën e radhës ditën e mërkurë.
Në përfundim të votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, kreu i komanduar i grupit të PD-së, Edi Paloka theksoi se grupi demokrat kishte marrë vendim për të votuar kundër Metës.
“Kush e përcaktoi se janë deputetët tanë. Ju garantoj që nuk është kaq e rëndësishme sa mendoni ju. Opozita jonë do të jetë tjetër gjë, jo problem numrash. Numrat edhe sikur të ishit 8 apo 18 nuk ndryshojnë gjë. Ka qenë vendim i grupit për të votuar kundër. Ju prisni që unë të bëj hetuesin, nuhatësin. As nuk e dëgjova rezultatin. Nuk më interesonte, tani po e marr vesh nga ju.”- deklaroi Paloka. /Koha/