Votohet ndërprerja e kontratës me kompaninë e cila punoj elaboratin

Tuz, Malësi (11.09.2013) – Në seancën e Kuvendit te Komunës urbane të Tuzit, e cila u mbajt të martën, me shumicën e votave u aprovua propozimi për ndërprerjen e kontratës me kompaninë “Consulting and Investment DOO”, e cila ka punuar elaboratin për qëndrueshmërinë ekonomike për Komunën e Malësisë.

Ndërprerja e kontratës me këtë kompani, sipas së cilës Malësia nuk ka forcë ekonomike të vetëmbahet si komunë, është propozuar nga Vasel Sinishtaj i Iniciativës Qytetare, dhe është përkrahur me shumicën e votave nga përfaqësuesit e Unionit Demokratik të Shqiptareve, Lidhjes Demokratike, Alternatives Shqiptare, Listës për Tuz dhe Iniciativës Qytetare. I përmbajtur ishte përfaqësuesi i SDP-së, kurse kundër ishin këshilltaret e DPS-së dhe Partisë Boshnjake.

Njëkohësisht, të gjithë këshilltarët përveç këshilltarit të SDP-se kanë përkrahur dhe propozimin e kryetarit të Kuvendit Fadil Kajoshaj që të formohet komisioni i ri i cili nga të gjithë elaboratet e deritashme, por dhe nga informatat e reja nga terreni do të punojnë elaboratin e ri.

Ndërprerja e kontratës me kompaninë e cila punoj elaboratin, u përkrah edhe nga UDSH-ja, e cila është pjesë e mazhorances.
Fadil Kajoshaj (UDSH) kryetari i Kuvendit të KU Tuz, elaboratin në fjalë e quajti nënçmues dhe ofendues për Malësinë.

Këshilltaret e opozitës, IQ-së, LD-së, Ash-së dhe Listës për Tuz akuzuan mazhorancen (DPS-PB) se premtimet për referendum, i cili ishte premtuar të mbahet deri në fund të këtij muaji si dhe elaborati i punuar enkas për të treguar mosqëndrueshmëri ekonomike, janë lojë politike e tyre për të përfituar në kohë që DPS të fitoj edhe një mandat tjetër me votat e qytetareve të Malësisë.

Ata po ashtu akuzuan kryetarin e KU Tuz, Fran Lulgjuraj, se ai si nënshkrues i kontratës me kompaninë “Investment and Consultinig DOO” ishte i obliguar që ndërprerjen e marrëveshjes ta kishte nënshkruar që në kohën kur kompania në fjalë nuk respektoj afatin dhe as propozimet e anëtareve të komisionit.

Me gjithë kërkesën e komisionit që kontrata të ndërpritet, kryetari i KU Tuz, Fran Lulgjuraj, tha se ishte i pavendosur që ta bëjë atë, dhe kërkoi nga Kuvendi që të vendosin për një gjë të tillë, dhe se vendimin që do të bien shumica është i obliguar ta zbatoj që të nesërmen. /MALESIA.ORG/