Protesta e shqiptarëve e zhvilluar të premten në New York, e organizuar për shkak të mosplotësimit të premtimeve që i ka dhëne kryeministri malazez dhe kreu i DPS-së, Milo Djukanovic, është krejtësisht e pajustifikueshme, deklaroi deputeti i DPS-së, Luigj Shkrela.
“Shumica e shqiptarëve, Djukanovic-in e njohin si njeri të përcaktuar për udhëheqjen e politikës multi-etnike në këto hapësira. Kjo, veçanërisht është vërtet kur behet fjalë për shqiptarët. Kur bëhet fjalë për pakica Djukanovic nuk ka pse të fajësohet“, tha ai.
Sipas tij ajo që u tha në protestë nuk pasqyron pikëpamjet e shumicës së shqiptarëve që jetojnë në Mal të Zi, duke theksuar se në protestë morën pjesë një numër i vogël, rreth 100 protestues.
Kërkesat e shqiptareve në këtë protestë ishin përmirësimi i të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe përmbushja e premtimeve shumëvjeçare të parealizuara, siç është Komuna e Malësisë e premtime tjera.
Duke komentuar kërkesat dhe mesazhet që u dhanë në këtë protestë, Shkrela tha se nuk ka premtime të parealizuara, por vetëm premtime të cilat janë në rrugën e realizimit.
Duhet përkujtuar z. Shkrela se këto premtime, që sipas tij janë në fazën e realizimit, janë premtime 20 vjeçare, e që ende nuk janë realizuar. Gjithashtu, duhet përkujtuar se të drejtat themelore të shqiptarëve, jo se nuk janë avancuar por u janë shkurtuar, duke nisur nga shkurtimi i mandateve të garantuara për shqiptarët e deri te ndalimi i përdorimit të simboleve kombëtarë. /MALESIA.ORG/