UDSH kundër propozimit për modelin e ri të Komunës

Modeli në të cilin Tuzi/Malësia do të kishte të gjitha kompetencat e Komunës, përveç që do të mbesin brenda kufijve administrativ të Podgoricës dhe ku buxheti i përgjithshëm do ti përcaktohet nga Podgorica, është model i papranueshëm për Unionin Demokratik të Shqiptarëve (UDSH), duke e versuar se në thelb nuk ndryshon nga statusi i tanishëm.

Ky reagim i UDSH-së vjen pas daljes në medie, lajmi se DPS dhe partitë shqiptare janë në negociata për statusin e Komunës urbane të Tuzit: Statusi i Komunës në këmbim për votat e Malësisë

Megjithatë, kryetari i UDSH-së, Mehmet Zenka, për agjensionin MINA ka thëne se nuk është në dijeni se DPS është duke bërë negociata me dikë në lidhje me këtë çështje.

Zenka tha se kishin fituar premtimin dhe fjalën e nderit se më se largu deri në fund të shtatorit do të mbahet referendumi në Tuz, dhe duke qënë se shtatori kaloi, “është e qartë se fjala e nderit nuk ka më vlerë te askush, përveç tek ne të cilët u besuam verbërisht,” tha ai.

Ai tha se propozimi i ri është absolutisht i papranueshëm, sepse ai nuk dallon shumë nga situata e tanishme.

“Nuk e kam të qarte se si Petnica mund të mbijetojë si Komunë, kurse Tuzi që kufizohet me Kryeqytetin dhe me Shqipërinë, nuk mundet të mbijetojë duke pasur gjithë atë potencial dhe burime”, pyetet Zenka.

Përfaqësuesi i Iniciativës Qytetare, Vasel Sinishtaj, tha se modelin e statusit te Komunës së Tuzit/Malësisë do ta shqyrtojnë në qoftë se “qitet në letër”.

Sinishtaj tha se IQ ka 4 këshilltare në Komunën urbane dhe nëse propozimi bëhet në formë te shkruar, do të ulen për ta analizuar në mënyre sa me korrekte.

Sipas tij, në qoftë se modeli është i pranueshëm për shumicën e qytetareve të Malësisë, ata do të diskutojnë dhe do të japin qëndrimin e tyre në lidhje me këtë model.

Sinishtaj sqaroi se nga subjektet shqiptare, IQ ka fituar besimin me te madh nga qytetaret e Malësisë, dhe nëse ky propozim do të jetë i pranueshëm për shumicën e qytetareve të Malësisë, natyrisht se ata si subjekt do të diskutojnë dhe do të japin qëndrimin e tyre mbi këtë. /MALESIA.ORG/