Shoqatat shqiptare në SHBA do të koordinojnë

Shoqatat shqiptare me origjinë nga trevat shqiptare nën Mal të Zi, të cilat veprojnë kryesisht në New York, në një takim të zhvilluar me 7 tetor, u akorduan që në të ardhmen ato të veprojnë me një dimension të koordinuar, sidomos kur janë në pyetje veprimet në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve nën Mal të Zi.
Ata paralajmëruan një platformë të përbashkët për ti dalë në ndihmë vendlindjes si dhe paralajmëruan organizimin e një proteste të përbashkët në New York, shkruan në deklaratën e përbashkët.

Per me shume lexoni deklaraten e plotë:

SHOQATAT SHQIPTARE ME VEPRIMTARI NË SHBA
KOORDINOJNË AKTIVITETIN E TYRE
NË TË MIRË TË VENDLINDJES
Në New York u mbajt takimi i rradhës i shoqatave shqiptare me origjinë nga trevat tona nën Mal të Zi. Pas takimit të parë të përbashkët dhe të suksesshëm të 17 Shtatorit 2013, mbrëmë, më 7 tetor 2013, u zhvillua takimi tjetër i rradhës i 6 shoqatave me veprimtari kombëtare, kulturore e sociale në New York , New Jersey dhe Connecticut.
Takimi i mbrëmshëm, ku muarën pjesë nga tre përfaqësues të çdo shoqate, kaloi në një atmosferë të ngrohtë vëllazërore.
Gjatë këtij takimi të dytë shoqatat tona ranë dakord që tash e tutje aktiviteti ynë i përbashkët do të koordinohet e bashkërendohet më fort e në dimensione të reja veprimtarie në të mirë të vendlindjes dhe të diasporës.
Në takim u dakorduam që të përgadisim një platformë të përbashkët veprimi aktiv për t’i dalë në ndihmë vendlindjes dhe do të vihemi në shërbim të kësaj kauze me tërë energjinë dhe potencialin për të mbrojtur të drejtat jetike të shqiptarëve që sot gjinden nën Malin e Zi.  
Në takim u shpreh shqetësimi i thellë kombëtar, demokratik e shoqëror i diasporës tonë të fuqishme në Amerikë për pozitën jo të mirë të të drejatve të shqiptarëve nën Mal të Zi
.
Shoqatat tona ranë dakort që në një të ardhme të afërt të mbajmë një demonstratë të përbashkët këtu, në New York, dhe në vazhdimësi do të protestojmë, do ta ngrejmë zërin tonë për t’iu dalë në ndihmë vëllezërve tanë në vendlindje dhe njëkohësisht për t’ia bërë me dije Qeverisë së Malit të Zi se ne Shqiptarët në Amerikë nuk do të rrijmë duarkryq duke vështruar shkeljet sistematike të të drejtave elementare të bashkëkombasve tanë në vendlindje.
Po ashtu, shoqatat tona në vazhdimësi e me përgjegjësi të lartë kombëtare e qytetare do të shtojnë ndikimin e tyre në Politikën Amerikane që të vihet në dijeni State Depertamenti në Washington D.C. për gjendjen e rëndë të Shqiptarëve, sot nën Mal të Zi.
Nënshkruajmë:
Shoqata Ana e Malit –New York
Shoqata “Ded Gjo Luli” – New York
Fondacioni “Dom Simon Filipaj”- New York
Fondacioni Plavë-Guci – New York
Fondi Humanitar “Malësia” – New York
Shoqata Atdhetare “Kraja” – New York