Fushat e minuara të Politikës – Nikollë Camaj

Nëse mund t’i besohet shtypit, e unë nuk shoh arsye për të mos i besuar përderisa askush nuk e demanton, në qarkullim është biseda e re dhe mashtrimi i ri, që parasheh edhe një eksperiment për territorin e Malësisë. Sipas këtyre shkrimeve Tuzit i ofrohet komuna “si të gjitha të tjerat në Mal të Zi”, përpos se ajo do të ishte edhe tutje pjesë administrative e Kryeqytetit, për hir të zgjedhjeve, derisa “Kryeqytetit nuk do të kishte asnjë far ndikimi mbi të”, gjë që mund të jetë joshëse për naivët, por dëshmon se fjala  është edhe për një manipulim e jo për komunë si të tjerat, çka paraqet fyerje për mendjen e shëndoshë të ç’do njërit prej nesh. Gjithsesi, nganjëherë një hap përpara ka shumë rëndësi, pasi që edhe rruga prej  njëmijë kilometrave fillon me një hap të  parë, por hapi i gabuar, respektivisht hapi në drejtim të gabuar, kur  është në pyetje zgjedhja e statusit të kësaj treve mund të na kushtojë jo vetëm neve, por edhe gjeneratave  që vijnë. Nëse kaq i ka rrezet “politika si art i së mundshmes” atëherë mund të themi se nuk kanë arritur larg pasi  që këtu nuk është fjala për diçka të pamundshme,  por vetëm për mungesën e  vullnetit  politik të PDS-së, e cila kërkon kontraktuesin dhe mbartësin e  përgjegjësive për propozimet sterile, shterpe dhe të dëmshme për qytetarët e Malësisë. Gjithsesi, politika është art i të së mundshmes, por kur janë në pyetje të drejtat e pakicave dhe e drejta  në vetëqeverisje lokale, ky art i lëshon vendin standardeve të përcaktuara të cilën duhet të respektohen pa kompromise të kalbura në dëm të tyre.

E drejta në vetëqeverisje lokale është e  drejt e pa kontestueshme, e  garantuar  edhe me Nenin 22  të Kushtetutës së Mallit të Zi, e jo objekt tregtie, spekulimi apo kompromisi. Prandaj në vend të një hapi përpara që na ofrohet si zgjedhje e re (vjetër), e i cili sipas të gjitha gjasave për Malësinë është hap i gabuar, unë më par zgjidhi pritjen e një hapi të sigurt dhe të drejtë i cili Malësisë do t’i siguronte vetëqeverisjen lokale ashtu siç vërtet janë të tjerat në Malin e Zi. Në mes të “asgjësë dhe përpara” megjithatë  çdoherë nuk zgjidhet “përpara”. Nëse ndodhesh në fushat e minuara, e ne, falë kompromiseve të kalbura të individëve dhe të të kësaj garniture udhëheqëse, vërtet gjendemi në fushat e minuara të politikës, në “çminimin” e të cilave punohet gjatë me kujdes e me vështirësi, çdo hap i pamenduar  mirë mund të jetë fatal. Prandaj më mirë të mos qitet hapi, se të qitet gabim! Dua të besoj se e gjithë kjo ishte vetëm një manovër e cila ka dështuar që në fillim dhe se kjo farsë do të ndërpritet nga një qasje e drejtë e zgjidhjes së kësaj çështje, në frymën e Kushtetutës, ligjeve dhe standardeve  ndërkombëtare.

Si njeri që në politikë është parimor që 23 vite, i cili parimësinë e  vlerëson mbi çdo gjë dhe i cili parimisht ishte dhe është kundër referendumit, duke vlerësuar se referendumi nuk është i nevojshëm, për arsye se për këtë çështje disponimi i zgjedhësve të Malësisë  është dëshmuar disa herë, e një kohë ishte kundër mbajtjes së tij edhe për shkak se nuk e parashihte ligji, prandaj nuk kishim as të drejt as obligim, kurse referendumin konsultativ e mban si të tepërt, pasi që  nuk obligon askënd, sot vlerësoj se referendumi është i nevojshëm, pasi që e parasheh ligji dhe përderisa të mos ndërrohet ligji ai paraqet hap të domosdoshëm për konstituimin e një komune. Referendumi është opsioni  i vetëm që ka mbetur i cili mund ta ndalin aventurën e re në dëm të këtij territorit. Statusi i Malësisë nuk, zgjidhet me intervenime kozmetike në Ligjin mbi Kryeqytetin por vetëm me ndryshimin e Ligjit mbi vetëqeverisjen lokale me të cilin Tuzi do të njihej si komuna e 23. në Malin e Zi, e jo “ komuna e Kryeqytetit”, lexo komunë urbane me pak më shumë pare. Zgjidhjet  e kompromisit për hir të votave për Kryeqytet, as nuk paraqesin zgjidhje as nuk janë politikisht korrekte.

Përpos asaj se referendumi paraqet obligim ligjor, mbajtja e tij u ishte premtuar qytetarëve të Malësisë për fund  të shtatorit, por siç dihet i mashtruan; Mugosha, në deklarimin e tij të fundit paralajmëron mbajtjen e tij deri në fund të këtij vitit; studimi i qëndrueshmërisë fiskale për komunën  e ardhshme është aprovuar me konsensus, prandaj zotërinjtë qasuni organizimit të tij. Përgatiteni këtë vend dhe banorët e sajë që zgjedhjet e ardhshme t’i realizojnë në komunën e plotë dhe hiqni dorë nga zgjedhjet gjysmake, përulëse e të turpshme, sepse qytetarët e Malësisë nuk do të pranojnë një gjë të tillë edhe me çmimin e  bojkotit, protestave dhe padëgjueshmërisë qytetare.

Mendojmë se Mali i Zi nuk ka nevojë për një gjë të tillë dhe nuk guxon që mos përmbushja e një të drejte elementare për qytetarët e Malësisë, siç është vetëqeverisja lokale, të bëhet pengesë për integrimet euroatlantike. Kësaj treve i është premtuar vetëqeverisja e plotë lokale që nga viti 1997 dhe është koha e fundit  që në këtë çështje të vihet pika.

Meqenëse vetëm i përmenda  zgjedhjet, dua të shtoi edhe faktin se para disa ditësh lexova deklaratën e Tarzan Millosheviq dhënë “Vjestit” : “Tani kur PDS-ja, përfundimisht ka ndikuar në fitimin e komunës, jam më se i sigurt se përkrahja do të jetë edhe më madhe”, tha ai, lidhur me zgjedhjet që  do të bëhen në komunën e re të Petnicës.

Por, a nuk ishin ata meritor edhe për të gjitha vonesat dhe për prapambetjen në zhvillim, edhe të atij territorit edhe të Tuzit, shkaktuar nga vonesa e dhënies së komunës, prandaj jam i mendimit se vërtet duhet shpërblyer sipas meritave. Sepse, derisa të mos i shpërblejmë sipas meritave, ata do të na trajtojnë vetëm si makineri votuese dhe potencial me të cilin ata mund  të zotërojnë si të duanë. Ata ndoshta mund t’i përjetojnë në atë mënyrë disa individë të cilat për arsye të ndryshme mund të ua lejojnë, por jo edhe të gjithë qytetarët e Malësisë. Një urti e lashtë thotë se “mund të mashtrosh një njeri shumë herë, apo mund të mashtrosh shumë njerëz njëherë, por nuk mund të mashtrosh shumë njerëz e shumë herë”.

Nikollë Camaj

(Botuar në “Vijesti” më 10. 10. 2013)