Organizimin e mori përsipër Shoqata “Dedë Gjon Luli” nga Traboini i Hotit, në bashkëpunim me Unionin Artistik të Kombit Shqiptar
TUZ (19 tetor) – Shënimi i përvjetorit të lumnimit të Nënë Terezës, në Tuz-Malësi e Madhe, viteve të fundit po merr dimensionet e një manifestimi tradicional. Edhe sivjet, njësoj si viteve të mëparshme, organizimin e mori përsipër Shoqata “Dedë Gjon Luli” nga Traboini i Hotit, në bashkëpunim me Unionin Artistik të Kombit Shqiptar.
Kremtimi filloi të shtunën pasdite, në kishën e shna Ndout në Tuz, me meshën shenjte, të cilën e celebroi Atë Mirash Marinaj. Pikë artistike që do të mbahet mend gjatë ishte interpretimi brilant i “Ave Maria”-s nga tenori i madh shqiptar, Kastriot Tusha, i përcjellur nga pianisti i ri nga Malësia, Kristian Bojaj, në fund të meshës.
Pas meshës u vendosën lule te busti i shejtneshës, në oborrin e kishës.
Agjenda e kremtimit vazhdoi në QKI “Malësia” në Tuz, ku salla ishte e mbushur përplot, kurse skenografia ndonëse modeste, kishte simbolikë të zgjedhur mirë: një fotografi e shejtneshës, një pëlhurë e bardhë me shirita të kaltër – ngjyrat e rregullit të Kongregacionit të misionareve të bamirësisë, që e ka themeluar Nëna Tereze dhe flamuri shqiptar.
Manifestimi filloi me një recitim artistik të disa vargjeve të vetë Nënë Terezës, si dhe vargje kushtuar personalitetit të saj, që me mjeshtri e bëri aktorja e re nga Tirana, Englantina Tuka.
Famullitari i Tuzit, Atë Pashko Gojçaj, i cili e mori fjalën i pari, vlerësoi ardhjen e artistëve dhe miqve të pranishëm nga të gjitha trevat shqiptare, duke i quajtur të gjithë, në frymën e Nënë Terezës, vëllezër dhe motra. Ai theksoi se shqiptarët Nënë Terezën e kanë dy herë motër: një herë nga gjaku, kurse herën e dytë si motër rregulltare. Po ashtu, ai shtoi se kjo motër jona, në bazë të veprave që bëri gjatë jetës, në gjithë botën u nderua si “Nënë e të varfërve”.
Publikun e përshëndeti pastaj Rrahman Kabashi, nga verëtaria “Stone Castle” nga Rahoveci i Kosovës, që sponsorizoi manifestimin e sivjetëm kushtuar shejtneshës së lindur në Shkup, me emrin e pagëzimit Gonxhe Bojaxhiu.
Azgan Haklaj, nga Unioni Artistik i Kombit Shqiptar, në fjalimin e vet, Nënë Terezën e quajti rrufe në qiell që shndriti mbi errësirën që kishte kapluar Shqipërinë, një vend krejtësisht i izoluar në atë kohë. Sipas tij, kjo grua e vogël ia rikujtoi botës kombin shqiptar. Haklaj e krahasoi figurën e saj, për nga rëndësia kombëtare dhe ndërkombëtare, me atë të perandorit Konstandin dhe të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Koncerti spektakolar që vijoi pas fjalimeve e detyroi publikun të duartrokisë gati pa ndërprerje. Kënduan yjet e muzikës shqiptare. Kastriot Tusha interpretoi një këngë për Nënë Terezën të komponuar nga Zef Çoba, me tekstin e Atë Pashko Gojçaj-t. Me interpretimet e veta shkëlqyen edhe këngëtarët Shkodran Tolaj nga Kosova dhe Besiana Mehmeti nga Maqedonia. Për krijimin e një ambienti të këndshëm kontribuan edhe këngëtarët Pëllumb Vrinca nga Dukagjini dhe Marije Lajçaj e Lindon Camaj nga Malësia. Publiku malësor pati rastin të entuziazmohej edhe me vallëzimin shumë të bukur të legjendës së gjallë të valleve shqiptare, Rexhep Çelikut dhe Lilana Cingut. Artisti i mirënjohur Mirush Kabashi e ngriti sallën në këmbë dy herë: herën e parë kur recitoi vargje për “Trëndafilen e Malësisë” dhe herën e dytë kur interpretoi me shumë mjeshtri disa lutje të Nënës Terezë.
Pa zvogëluar rëndësinë dhe cilësinë e kremtimeve të viteve të mëparshme, kremtimi i sivjetëm ishte më dinjitozi deri tash dhe, sipas gjase, edhe kremtimi më madhështor për nder të 10-vjetorit të lumnimit të Nënë Terezës.
Pas koncertit, për të gjithë të pranishmit u shtrua një koktej.
Anton Gojçaj