Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi se Shqipëria e ka të pamundur që të përfshihet në operacionin e shkatërrimit të lëndëve kimike siriane.
Në një deklaratë disa minutëshe të ndjekur me interes maksimal nga qytetarët, Rama shprehu qëndrimin e tij, arsyet se përse e çuan në këtë vendim, ndërsa sulmoi ata që tentuan të hedhin baltë mbi procesin e diskutimeve me aleatët, duke e akuzuar atë se kishte mashtruar shqiptarët dhe se e kishte marrë tashmë vendimin për sjelljen e këtyre lëndëve në Shqipëri.
Rama sqaroi se Shqipëria si vend anëtar i NATO-s dhe si vend që nënshkroi rezuolutën për Sirinë u radhit krah atyre partnereve që mbështesin paqen dhe demokracinë nëpër botë.Kryeministri bëri me dije se Shqipëria është kontaktuar nga SHBA-të për të konsideruar në parim pjesëmarrjen bashkë me vende të tjera në operacionin e shkatërrimit të arsenalit të armëve siriane. Rama konfirmoi se në këtë diskutim, Shqipëria parimisht ishte pro, sepse ishte detyrim i saj për të qenë krah aleatëve të mëdhenj.
“Ne u shprehëm parimisht të gatshëm të përfshiheshim në këtë operacion, por nuk kishim asnjë kapacitet sa i takonte transportit dhe proceseve teknologjike. Na u kërkua konfidencialitet i plotë lidhur me këtë proces. A mund të refuzonte në parim Shqipëria SHBA-të, në një përpjekje kaq madhore? Si mund të mendohet që SHBA-të i heqin nga duart armët kimike një vrasësi për të vrarë njerëz të tjerë në planet?” sqaroi Rama.
Kryeministri sqaroi se nuk foli më herët për fazën e diskutimeve me aleate, për arsye se ky nuk ishte subjekt i një debati publik, por një operacion i komplikuar sa civil aq edhe ushtarak dhe se Qeveria dhe Kuvendi nuk mund të thirren në një debat, kur ende nuk ka diçka të përcaktuar.
Megjithatë Rama përpara se të jepte qëndrimin e tij kundër sjelljes së këtyre lëndëve në Shqipëri, siguroi qytetarët e këtij vendi se nuk i kishte tradhtuar kurrë ata për asnjë interes dhe asnjë çmim dhe se nuk do të ndërmerrte asnjë veprim pas shpinës së tyre që do të cënonte jetën, sigurinë apo të ardhmen.
Kryeministri u kujtoi shqiptarëve se aktualisht në vend ndodhen 31 zona mbetjesh kimike që vrasin përditë dhe se në pjesën e diskutimeve me aleatët ai kishte kerkuar mbeshtetjen e aleateve, që pas shkatërrimit të lëndëve kimike siriane ekspertët më të mirë të botës, me teknologjinë më të mirë të botës, të mos shkuleshin nga Shqipëria derisa vendi te pastrohej totalisht nga këto substanca të rrezikshme.
Rama theksoi se situata e krijuar solli edhe reagimin e pabazë dhe të pakuptimtë të atyre që shkaktuan Gërdecin, me 26 viktima të pafajshme dhe që kërkonin të mos kishte më Gërdec.
Po ashtu Rama preku edhe kërkesën e PD-së për referendum popullor, të cilin e konsideroi si referendum kundër Amerikës, ndërsa theksoi se përgjigja e këtij referendumi është marrë më 23 qershor.
Megjithatë Rama shprehu vlerësimin se protestat në rrjetet sociale dhe në rrugë, kanë qenë e vetmja dallëndyshe e pastër.”Ndihem mirë nga era e freskët demokratike që ju solli 23 qershori dhe kam respekt që ishin në protestë për këtë çështje”, u shpreh Rama.
/ Top Channel