Përfundoi simpoziumi shkencor “Hoti ndër rrjedhat e shekujve”

Dita e parë e seminarit historiko shkencor “Hoti ndër rrjedhat e shekujve”

Në frymen e një intersimi jo vetem nga hotjanet që jetojnë në shtetin e Michiganit por edhe të viseve të tjera shqiptare filloi punimet seminari historiko shkencor “Hoti në rrjedhat e shekujve”.Po ashtu kishin ardhe me kete rast edhe shqiptare qe banojnë në Florida,New York për të ndjekë punimet e ketij aktiviteti me rëndesi historike shkencore por edhe me karaktre patriotic për nga vetë vëndi se mbahet në një vënd të larget jashte Hotit,në amerike që nga statistikat jo zyrtare ka më shumë hotjanë se san ë vëndin prej nga vinë vetë ata.

Ky seminarë është i organizuar nën kujdesin e Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkoder, Qëndra shpirterore e “Shen Palit” Rochester Hills dhe nga vete hotjanet me banim në shtetin e Michiganit.

Nje panorama te hollesishme për dy ditet e seminarit dhe paraqitjen e profesoriatit pjesmarres e beri Dr.Gjeke Gjelaj,pastaj pershendeti Dom Fran Kolaj,drejtues i Qëndres Katolike Shqiptare të “Shen Palit” në Rochester Hills.

Pastaj Smajl Maliq Çunmulaj mbatje fjalen hyrse dhe deklaroj të hapur punimet e seminarit.

Moderator të seminarit;Rita Gjelaj, Dr.Luke Junçaj,Edvin Hoti.

Në diten e parë mbajtën kumtesat e tyre ;

Dr. Edmond Malaj

Edmond Malaj ka studiuar dhe është diplomuar në Filologjinë Gjermane dhe Shkencat e Përkthimit (Didaktikën e Përkthimi Shqip/Gjermanisht) në Institutet e Gjermanistikës të universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër dhe të Karl-Francens-Universität Graz, Austri (2000, 2005), është doktoruar në vitin 2007 në filologjinë gjermane në Institutin e Gjermanistikës në Karl-Francens-Universität Graz, dhe më 2009 është diplomuar në Shkencat e Religjionit në Fakultetin Teologjik-Katolik të Karl-Francens-Universität Graz për tri fetë monoteiste Judaizëm, Krishterim dhe Islam. Aktualisht punon si kërkues shkencor në Institutin e Historisë (Departamenti i Mesjetës) pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, Tiranë. DSC_0022

“Të dhëna mbi krahinën e Hotit në mesjetë”

Në kumtesë bëhet fjalë për krahinën e Hotit në mesjetë, duke u nisur që nga origjina e deri në shekujt e parë të pushtimit osman. Si të dhënë ndër më të vjetrat për këtë fis, ne emrin Hot e takojmë për të parën herë në 1330, dhe ai përmendet edhe në vitin 1414 me frazën “certi hocti”. Përsa i përket origjinës, krahas të dhënave të dokumentuara, duke u bazuar qoftë në punime shkencore të studiuesve si Jozef Valentini, Shuflaj, etj, qoftë në të dhëna dokumentare, në kumtesë do të paraqitet edhe gojëdhëna e Hotit e cila tregon historinë e këtij fisi që nga zanafilla e deri në shekujt e pushtimit osman. Krahas aspekteve historike së përgjithshme të Hotit, do të jepen të dhëna edhe për figura të ndryshme historike mesjetare si për shembull Anaro Hoti (1476) apo dhe për një kishë të moçme që ndodhet në krahinën e Hotit.

Dr. Ksenofon Krisafi

Prof. Dr. Ksenofon Krisafi eshte dekan i Fakultetit te drejtesise ne Universitetin Evrapian te Tiranes. Ai eshte profesor i se Drejtes nderkombetare, i të Drejtës publike, të Drejtës së organizatave ndërkombëtare, Gjykatave ndërkombëtare etj. Ai eshte gjithashtu studiues i historise diplomatike te çeshtjes shqiptare. Veprimtaria e tij kërkimore e shkencore konkretizohet në botimin e një numri librash e monografish, tekstesh universitare, artikujsh dhe punimesh të tjera si dhe referatesh e kumtesash të paraqitura në mjaft konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare brenda dhe jashtë Shqiperise. Ka qënë ftuar për leksione në disa universitete të huaja si në Sorbonë, ne universitetin e Gjeneves, universitetin La Sapienza, ne universitetet e Barit, Sasarit, Foggias, ne universitetin Katolik të Luvenit, ne universitetet Aristotelius të Selanikut, Pantion të Athinës, ne universitetet e Upsalës, të Prishtinës etj. Ka mbajtur mbajtur postin e drejtorit te departamentit juridik, traktateve nderkombetare dhe çeshtjeve konsullore në Ministrinë e Puneve te Jashtme, ate te ambasadorit në zyrën e OKB-së dhe në Organizatën Botërore të Tregtisë, në Gjenevë, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, këshilltar diplomatik i Kryeministrit, anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, etj. Si diplomat ka marrë pjesë me cilësinë e anëtarit dhe kryetarit në disa qindra konferenca ndërkombëtare dhe takime dy e shumëpalëshe. Ka qënë anëtar i Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë të Këshillit të Europës, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Qendrës Ndëruniversitare për Kërkime në Evropën Lindore dhe Juglindore, CIRCEO-s, anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe i Bordit Drejtues të tij, i Bordit Drejtues të Shoqatës « Për kulturë juridike» etj.

“Hoti në forumet e diplomacisë evropiane”

Ngjarjet që u zhvilluan në Hot e në Grudë, që i bënë ato të njohura dhe objekt bisedimesh në forumet diplomatike të Fuqive të Mëdha ishin derivat i zhvillimeve që lidheshin me fatet e trevave shqiptare, të cilat Kongresi i Berlinit kishte vendosur t’ia kalonte Malit të Zi. Ato përshkojnë një periudhë trevjeçare rezistence, luftërash heroike si dhe demarshesh inteligjente diplomatike për mbrojtjen e tyre nga aneksimi malazez. Vendosmëria luftarake e shqiptarëve dhe paaftësia ushtarake e Malit të Zi, bëri që Fuqitë e Mëdha të pranonin në parim rishikimin e vendimeve që kishin marrë në Kongresin e Berlinit. Pas hedhjes poshtë të propozimeve për ta kënaqur Cetinën me vise sllave në veri ose në jug të Malit të Zi, Italia sugjeroi që t’i jepeshin Malit të Zi viset e Hotit e të Grudës së bashku me një pjesë të Kelmendit. Më 18 prill 1880, ambasadorët e Fuqive të Mëdha miratuan propozimin italian, që njihet me emrin “vija Korti”. Heqja dorë e Fuqive të Mëdha, e Perandorisë Osmane dhe e Malit të Zi, pas 20 muaj përpjekjesh pa rezultat, për zbatimin e vendimit të Kongresit të Berlinit në lidhje me Plavën e Gucinë, shënonte një fitore të madhe diplomatike të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare. Protokolli i Stambollit, i 18 prillit 1880 për Hotin dhe Grudën, ishte po aq i padrejtë sa edhe neni 28 i Traktatit të Berlinit për Plavën dhe Gucinë. Prandaj Lëvizja Kombëtare Shqiptare e kundërshtoi zbatimin e tij. Përqendrimi i forcave shqiptare në kufijtë e Hotit dhe Grudës, i detyroi Fuqitë e Mëdha që të rishikonin edhe Protokollin e Stambollit dhe të miratonin më 15 qershor 1880 propozimin e Anglisë e të Austro-Hungarisë për t’i dhënë Malit të Zi qytetin bregdetar të Ulqinit së bashku me rrethinat e tij në vend të Hotit e të Grudës. Heqja dorë e Fuqive të Mëdha nga vendimi që kishin marrë më 18 prill 1880 ishte një tjetër fitore e madhe diplomatike e shqiptarëve, të cilët do të riktheheshin sërish në front të betejave diplomatike dhe të rezistencës së armatosur për të mbrojtur tërësinë e atdheut, të cilit po i shkëputej tani një pjesë shumë e rëndësishme dhe jetike…

Dr. Rokin Daberdaku

SHKOLLIMI, 1987-1990, Shkolla e Mesme e Përgjithshme “Jordan Misja”, Shkodër, Shqipëri. 1992-1995, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Fakulteti i Shkencave Shoqërore. 1998-në vazhdim, Studime pasuniversitare. Universiteti i Tiranës. Fakulteti i Histori-Filologjisë. Tiranë, Shqipëri. Korrik 2005, Diplomë e Studimeve të Thelluara Pasuniversitare.

PUNËSIMI, 1995-2005, As. pedagog në Departamentin e Historisë. Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. 2011-2012, Dekan i Fakultetit te Shkencave Shoqërore. Korrik 2005-vazhdim, Pedagog. Departamenti i Historisë. Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Janar 2013-vazhdim, Zv. Dekan i Fakulteti te Shkencave Shoqërore.

“Hoti para okupimit turk të shek XIV” 

Fisi i Hotit i konsideruar si më i rëndësishmi i pashallëkut të Shkodrës, qëndron në krye të katër maleve të mëdha. Territori i tij kufizohet në njërën anë nga Kastrati dhe Shkreli dhe në anën tjetër nga malet e Kelmendit, Grudës, Tuzit dhe një pjesë të tokave të Triepshit. Ky fis zotëronte kullota të mëdha dimërore në fushat rreth Bunës. Në vitin 1416 shënohet një fare Andrea Otto (Andrea i tetë), i cili emërohet kapiten i vetëm i maleve, vepër kjo e Vendikut, sepse hotjanët tashmë ishin prishur përfundimisht me Balshajt. Në arkivat e Venedikut flitet për luftë guerrilase kundër princërve Balshë në vitet 1416-1417, si dhe popullimi i Hotit afër territoreve të sotëm që përkon me vitin 1426, midis malit të Veleçikut dhe Liqenit. Sipas një regjistrimi të vitit 1854 të bërë nga ipeshkvi, Hoti kishte 450 familje me një popullsi prej 4 mije frymësh, të ndara në tre fshatra të quajtur Hot, Rapshë dhe Traboin. Këta malësorë ndjekin besimin katolik kanë një kishë dhe një strehë ku banon misioni françeskan, i cil mbahet me taksat e paguar në natyrë nga çdo shtëpi. Në fshatin Rapshë banojnë 10 familje myslimane, të cilat përqafuan islamizmin për të siguruar përkrahjen e pashallarëve vendas. Këta të fundit, si shpërblim iu dhanë si shpërblim të zgjedhin vojvodën ose bylykbashin e maleve ndërmjet njerëzve të racës së tyre. Fisi i Hotit i ka paguar me gjakun e tij, në luftërat e ndryshme nderimet dhe privilegjet, kujtojmë këtu rrethimin e Ulqinit.

Dr. Frasher Demaj

Frashër Demaj është i lindur me 08.7.1973 në Radavc të Pejës. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, ndërsa të mesmen në gjimnazin “11 Maji” tani “Bedri Pejani” në Pejë. Në vitin akademik 1991-1992 është regjistruar në Universitetin e Prishtinës,përkatësisht Fakulteti Filozofik, dega e Historisë. Në këtë fakultet ka diplomuar më 22.02.1996 me temën “Kriza Lindore dhe Çështja Shqiptare 1875-1881”. Në vitin akademik 1997-98 në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës fillon studimet pasdiplomike në periudhën Koha e re, shek. XIX-XX dhe ka magjistruar më 25.3.2005, me temën: “Qëndrimi i Italisë ndaj Çështjes shqiptare 1875-1881”. Temën e doktoraturës me titull: “Britania e Madhe dhe çështja shqiptare 1875-1913” e ka mbrojtur 15.7.2009 në Fakultetin Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës. Nga korriku i vitit 2003 punon në Institutin e Historisë në fillim si asistent dhe më pas si hulumtues i pavarur dhe si bashkëpunëtor shkencor. Aktualisht ka thirrjen shkencore Bashkëpunëtor i Lartë Shkencor-Profesor i asocuar (inordinar). Frasher Demaj merret me Historinë e Diplomacisë (shek. XIX dhe fillim shekulli XX) por është marrë dhe merret edhe me problemet e arsimit dhe me historinë e zhvillimeve politike të fundit të shekullit XX. Është autor i një mori librash, studimesh, kumtesash e monografish shkencore; është pjesëmarrës i shumë konferencave ndërkombëtare si dhe bashkautor tekstesh shkollore.

“Dhuna dhe terrori ndaj shqiptarëve në krahinën e Hotit 1875-1924” 

Kriza Lindore 1875-1881 është periudhë kohore gjatë së cilës ndryshuan rrethanat politike e gjeostrategjike në Ballkan. Është kohë e përplasjes ne mes Perandorisë Osmane dhe popujve sllav të Ballkanit të cilët kishin shfaqur haptas pretendime ndaj tokave shqiptare. Vitet 1881-1912 karakterizohen me përpjekjet e shqiptareve për liri e shtet kombëtar. Kurse vitet 1914-1924, përfshirë këtu Luftën e Parë Botërore janë vite të përpjekjeve të shqiptarëve jashtë Shqipërisë për mbijetesë, liri e bashkim kombëtar. Të gjitha këto periudha historike karakterizohen me dhunë e terror të ushtrive ballkanike ndaj shqiptarëve. Të njëjtin fat me zonat tjera shqiptare e ndanë edhe Hoti, Gruda, Kelmendi dhe zona tjera të Malësisë. Hoti si pjesë e rëndësishme e gjeografisë shqiptare ju pat nënshtruar dhunës malazeze që nga koha e Kongresit të Berlinit, kur kjo konferencë kishte vendosur që Hoti dhe zona tjera për rreth ti jepeshin Malit të Zi. Pavarësisht se kjo përpjekje rezultoi pa sukses për shkak të qëndresës heroike të hotianëve dhe shqiptarëve për rreth, shqiptarët e këtyre viseve shpeshherë u gjenden nën presionin e forcave malazeze. Dhuna malazeze ndaj hotianeve u intensifikua sidomos në periudhën në mes viteve 1911-1913, pas kryengritjes shqiptare ndaj Perandorisë Osmane dhe luftës së shqiptarëve për mbrojtjen e Shkodres dhe viseve tjera shqiptare. Kjo dhunë mori përmasa sidomos me mbetjen e Krahinës së Hotit jashtë Shqipërisë, më saktësisht nën pushtetin e Malit të Zi, ishte tragjike për shqiptarët sidomos kur kemi parasysh dhunën e pushtetit malazez ndaj shqiptarëve shumë prej të cilëve u detyruan të largoheshin nga trojet e tyre stërgjyshore si rezultat i dhunës permanente bazuar në projekte shtetërore. Hotianet u terrorizuan edhe në periudhën e Luftës së Parë Botërore dhe pas përfundimit të saj. Kjo dhunë gjithmonë ishte e motivuar mbi baza etnike dhe me qëllime të pastrimit etnik të Hotit dhe krahinave të afërta me qëllim të popullimit të serishëm me popullsi sllave, kryesisht malazeze

Dr. Marenglen Verli, Akademik i asocuar

I lindur në Tiranë, më 19 dhjetor 1951.Në vitin 1985 “Kandidat i shkencave historike”, e konvertuar në gradën “Doktor i Shkencave” në vitin 1994. Në vitin 1997 titulli “Mjeshtër kërkimesh” (Prof. Assoc.) Në vitin 2001 titulli “Drejtues Kërkimesh” (Profesor). Në vitin 2009 “Akademik i associuar” në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Në vitet 1973-1979 – arsimtar në shkollën e mesme të qytetit të Laçit (rrethi Krujë). Në vitet 1979-2013 – punonjës shkencor dhe detyra të tjera me përgjegjësi në Institutin e Historisë. Në vitet 2005-2008 drejtor i Institutit të Historisë dhe kryeredaktor i Revistës “Studime historike”. Gjatë një periudhe tridhjetëvjeçare, pedagog i jashtëm pranë Fakultetit Histori-Filologji, Fakultetit të Shkencave Sociale edhe për fitimin e gradave të masterave e doktoraturave. Pozita aktuale: Punonjës shkencor dhe drejtues departamenti në Institutin e Historisë dhe Senator i Qendrës së Studimeve Albanologjike.

“Roli i Hotit ne Kryengritjen e Malësisë së Madhe sipas dokumentacionit diplomatik evropian”

Treva e Hotit, e njohur historikisht qysh ne Mesjete, evidentohet ne mënyre te dukshme gjate periudhës se Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe kryengritjeve te fillim-shekullit XX, qe u finalizuan me Shpalljen e Pavarësisë se Shqipërisë e me pas me krijimin e shtetit shqiptar. Ndonëse një territor relativisht i vogël dhe i banuar nga një numër jo i madh njerëzish, treva dhe fisi i Hotit ndeshen jo rralle ne dokumentacionin diplomatik te asaj periudhe. Bajrak i pare ne kuadër te fiseve te Malësisë se Madhe, Hoti la emër veçanërisht ne këto momente kruciale për te ardhmen e kombit duke i bere vetes vend ne veprat me te shquara te pavarësimit dhe shtetformimit te Shqipërisë. I udhëhequr nga burra te shquar, nder te cilët ne dokumentacion spikat veçanërisht Dede Gjo Luli, Hoti diti te orientohet drejt dhe te kryeje me se miri detyrën e vet ne zonën me emër te Malësisë se Madhe. Dokumentacioni diplomatik i Fuqive te Mëdha evropiane, por edhe i shteteve fqinje, gjithashtu dokumentacioni osman, janë te mbushur me informacion per veprimtarinë e burrave te Hotit, veçanërisht ne vitin 1911. Merita e atyre, qe organizuan dhe shpërthyen Kryengritjen e fuqishme te Malësisë se Madhe, qëndron ne faktin se ndryshe nga shume kryengritje te se kaluarës, ajo nuk synoi realizimin e kërkesave te thjeshta, por realizimin e synimeve qe shtroheshin ne rrafsh mbarëkombëtar. Bashkëpunimi me intelektuale te shquar te kohës, jo vetëm te qytetit te Shkodrës, por edhe me gjere, deri te figura te tilla si Ismail Qemali, i dha kësaj kryengritjeje një frymëmarrje te papare deri atëherë. Memorandumi i Greces, flamuri kombetar i ngritur ne Deçiq dhe veprime te tjera, qe nuk reshten per disa muaj me radhe, shpalosen vizionin e kryengritësve te Malësisë se Madhe, vizionin e hotjaneve ne radhët e tyre dhe vizionin e Dede Gjo Luli nder hotjanet. Kërkesat e këtij momenti, qe çonin drejt autonomisë dhe sakrifica e jashtëzakonshme për realizimin e tyre, bene përshtypje te veçante ne kancelaritë e Fuqive te Mëdha. Edhe pse per momentin këto fuqi ishin për status quo-ne ne rajon, përfshire edhe Perandorinë Austro-Hungareze (qe i qasej ne mënyrën me pozitive çështjes shqiptare) dhe prandaj ishin kundër kryengritjeve shqiptare, ne raportet dhe vlerësimet e te gjitha niveleve te diplomacisë, ndihet vlerësimi dhe jo rralle admirimi per ate çka bënin shqiptaret. Ngjarje te mëvonshme do te provonin se ajo çka hotjanet bene ne periudhën e fundit te Rilindjes Kombëtare nuk ishte nje veprim momental, por një veprimtari e vazhdueshme, qe rridhte nga atdhedashuria dhe dëshira per te realizuar synimet e mëdha kombëtare. Ne kuadër te gjithë veprimeve te Malësisë se Madhe, Hoti ka te drejte te mburret per angazhimin e veçante dhe sakfricat e veçanta. Vete aktiviteti i sotëm, tash, pas gati 100 vjetësh, ne diasporën e largët, dëshmon se hotjanet nuk ndalen ne rrugën e atdhedashurisë dhe te angazhimit për realizimin e aspiratave kombëtare…

Dr. Simon Lufi

1982-diplomuar në Shkollën e Mesme të Përgjithshme “Jordan Misja” Shkodër.. 1988-diplomuar Mësues i Historisë dhe i Gjeografisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi, ish ILP 4-vjeçar, në Fakultetin Histori-Gjeografi. 1991-M.A. në Shkollën e Specializimit Pasuniversitar për Histori, të “Universitetit të Tiranës”, Fakulteti Histori-Filologji. Mbanë gradën shkencore “Doktor i Shkencave Historike”, fituar me 11.09.1999, në Universitetin e Tiranës, pranë Fakultetit Histori-Filologji. Është redaktor i Revistës kulturore-fetare “Rrezja Jonë”, organ i Bashkimit Katolik të Publicistëve Shqiptarë, pranë Arqipeshkvisë Metropolitane-Shkodër, në vitet 2002-2003. Nga gushti 1993, pedagog në Departamentin e Historisë së Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Fakulteti i Shkencave Shoqërore. Titullar i lëndëve Histori e Vendeve të Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine, Histori e Vendeve të Ballkanit (antikitet, mesjetë), Histori e Perandorisë Bizantine, dhe Histori e Mesjetës Botërore. Është autor i Historisë së Mesjetës (shekujt V-X), botim i Shtëpisë Botuese “Rozafat”..

“Lufta e Koplikut dhe kontributi i hotjanëve”

Lufta e Koplikut e vitit 1920 përfaqëson një nga simbolet e luftërave dhe përpjekjeve të shqiptarëve në mbrojtje të trojeve të veta nga lakmitë e fqinjëve sllav, është pjesë e rëndësishme e luftës së shqiptarëve për të rifituar Pavarësinë Kombëtare e për të ruajtur tërësinë tokësore nga një copëtim i ri, pas dy copëtimeve të mëparshme, të cilat lidhen me Kongresin e Berlinit (1878-1880) dhe me Konferencën e Ambasadorëve të Londrës (1912-1913). Ajo ishte lufta e parë e organizuar nga ana e Qeverisë Shqiptare e cila zgjati nga 27 korriku deri me 31 dhjetor të vitit 1920. Nga një dokument i kohës mësohet se ushtria vullnetare e Malësisë së Madhe përbëhej përveç trupave të tjera edhe nga 120 trupa nga Rapsha e Hotit dhe 103 trupa nga Traboini i Hotit. Këtyre forcave mbrojtëse të Malësisë u prinin: Deli Meta, Luc Nishi e Zef Prel Martini nga Hoti. Lufta e Koplikut është e madhe, si çdo luftë lirie e pavarësie që ka në themel gjakun e bijëve e bijave të saj. Qindra të plagosur, por edhe dhjetra dëshmorë shkruan historinë e kësaj toke, e cila nuk do ti harrojë kurrë ata që i dolën zot. Në shenjë nderimi e respekti menduam ti kujtojmë të gjithë emrat e dëshmorëve nga Hoti (që kemi mundur ti sigurojmë nga material të shkruara apo ti mbledhim nga dëshmi gojore të besueshme) të cilët janë : Lucë Nishi, Zef Prel Martini, Zef Dedë Luli, Zef Mark Gila, Lukë Nikë Pllumi, Prekë Dashi, Dedë Prek Ujka, Kolë Nikë Luli, Gjon Nikë Gjergji, Prel Nikë Pretashi, Gjon Vatë Marashi, Prekë Dush Nika,. Gjon Lulashi, Kolë Dushi, Zef Gjokë Mali, Mark Dedë Gjoni, Lucë Lekë Gjeloshi, Lash Ujkë Luli, Kolë Nikë Gjeloshi, Lekë Keqi, Pjetër Kolë Ujka, Milan Mustafa, Zef Prela, Mark Deda, Zef Pretosh Varfi, Gjekë Kola, Gjon Mark Bori.

Dr. Izber Hoti

U lind më 15.8.1948 në fshatin Revuç të Komunës së Podujevës. Klasën e parë e kreu në vendlindje ndërsa shkollimin tjetër fillor dhe të mesëm i përfundoi më 1969 në Prishtinë. Studimet universitare në Fakultetin Filozofik-Dega e Historisë në Universitetin e Prishtinës, i përfundoi me 1974. Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, më 28.12.1978, magjistroi me temën : “Prishtina dhe rrethina ndërmjet dy luftërave botërore”. Më 02. VII. 1982 doktoroi me temën : “Lëvizja Nacionalçlirimtare në Prishtinë dhe rrethinë(1941-1945)”. Nga 1969–1976 ishte mësues, ndërsa nga viti 1976 deri më 2013, punoi në Institutin e Historisë në Prishtinë. Jeton në Prishtinë. Botoi 15 vepra shkencore, disa tekste shkollore, si dhe më tepër se 300 studime e qasje të ndryshme shkencore në gjuhën shqipe dhe të huaj.

“Zhvendosja dhe vendosja e hotjanëve në Kosovë në diakroni dhe në sinkroni”

Në kumtesë dhe në punimin në tërësi do të bëhet përpjekje që të trajtohet ndërrimi i vendit me dhunë dhe me dëshirë të fisit Hot që kur dihet për të. Që të arrihet ky synim do të merren parasysh arritjet historiografike, etnologjike dhe gjuhësore duke filluar nga lidhjet e fisit Hot me antikën, krahasimet për të gjetur të veçantat dhe të përbashkëtat e këtij fisi me fiset tjera shqiptare dhe me fiset në Evropë dhe botë në tërësi (sipas të gjitha gjasave). Një vëmendje e veçantë do ti kushtohet shpërnguljes dhe shtrirjes së këtij fisi në Kosovë dhe Toplicë, ngase një dukuri e tillë dëshmon shumë identitetin kombëtar shqiptar për cilin po flitet e shkruhet aq shumë dhe me aq kundërthënie në kohët e fundit në gjithë botën shqiptare, sa nuk kanë nevojë forcat antishqiptare të paguajnë shuma të mëdha dhe të harxhojnë të mira të mëdha. Ska dyshim se fisi, degëzimi dhe shpërngulja e tyre dëshmon shtrirjen jo vetëm të tij por të gjithë kombit shqiptar.

Dr. Mahir Hoti

I lindur më 15.01.1948, në Shkodër. Me titull është Profesor Doktor, që nga viti 1999 dhje është specialist në Gjeografi Fizike dhe Gjeo-ekologji. Përpos punës si profesor universitetit Mahir Hoti është Rektor i Universitetit të Shkodrës dhe ka kryer e vazhdon të kryej funksione me rëndësi në kuadër të sistemit të shkollimit të lartë në Shkodrës dhe krejt Shqipëri , duke marrë pjesë në komisione të ndryshme shkencore, në Senatin e Universitetit, është President i Forumit Shqiptar “Liqeni i Shkodrës”, Kryetar i Shoqatës së Miqësisë “Shqipëri – Austri. Në cilësinë e profesorit ka vizituar shumë qendra universitare botërore, si SHBA, Angli, Kosovë, Bosnje, Maqedoni, Bullgari etj. Prej shpërblimeve të shumta veçojmë TOP 100 Educators (International Biographical Centre) Cambridg, London. Ka një veprimtari të gjerë botuese, që përfshin pesë monografi bashkautor, një autor, dy tekste mësimore dhe një numër i konsiderueshëm kumtesash, në veprimtari kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Vështrim fiziko-gjeografike dhe socio-ekonomik i Hotit” 

Në këtë punim bëhen përpjekje për të prezantuar një përshkrim gjeografik të trevës së Hotit në Malësi të Madhe nga pikëpamja e kushteve natyrore dhe të aspekteve humane, por edhe me problematikën që ekziston dhe mundësi e rrugë për zgjidhje. Hoti në tërësinë e vet është trajtuar si një unitet, pavarësisht se ajo sot është e ndarë në dy shtete. Ajo përbën një gjeokompleks shumë interesant në aspekte të ndryshme të natyrës, ku gërshetohen malet e kodrat me disa fusha në pjesën e brendshme e bregliqenore. Klima është relativisht e butë e me reshje mbizotëruese në gjysmën e ftohtë të vitit. Për shkak të përbërjes karbonatike e procesit të karstit, që është mjaft intensiv, këtu mungon rrjedhja sipërfaqësore (me përjashtim të ekstremit VP të saj, shpatet e Hotit arrijnë në Lumin Cem), por është disi e pasur me ujra nëntokësore që dalin në trajtë burimesh, më shumë në pjesët periferike të malësisë. Varësisht nga kushtet e mësipërme, është prezente edhe një bimësi dhe botë shtazore që duhen vlerësuar. Një vemendje i kushtohet mjedisit, vlerësimit të resurseve që ai mbart dhe shkallës së ruajtjes e mbrojtjes së tij. Një vend i veçantë i kushtohet problemeve demografike, duke mos u ndalur aq në trajtimin narrativ të skemës klasike të popullsisë por në problematikën e përbashkët dhe specifike në të dy anët e kufirit, ku spikat shpërngulja e popullsisë, që në vitet ’60 të shekullit të kaluar, kryesisht jashtë shteti (SHBA), por edhe në Tuz. Po ashtu, mund të konstatojmë se vitet e fundit ka një prirje drejt uljes të ritmeve të emigracionit. Në vazhdim i bëhet një analizë vendbanimeve ku dominojnë tiparet rurale, dhe do të flitet për aspekte sociale të rëndësishme, si shkollimi, punësimi, zhvillimi i kulturës, shëndetsisë, etj. Siç është e ditur, pjesa e Hotit në Mal të Zi inkuadrohet administrativisht në Komunën urbane të Tuzit, ndërsa pjesa në RSH i përket Komunës Kastrat. Pjesë tjetër e rëndësishme e punimit është shqyrtimi i drejtimit kryesor të aktivitetit ekonomik të banorëve, si në bujqësi, blegtori, artizanat por edhe në sferën e shërbimeve e të angazhimit në punë shteti…

Akademik Kolec Topalli

Punon prej 40 vjetësh në fushën e historisë së gjuhës shqipe. Ka gradat shkencore Doktor i Shkencave (1992) dhe Drejtues Kërkimesh Profesor (1994). Është nderuar me titullin “Mësues i Popullit” (1993). Në vitin 2008 është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe në vitin 2013 anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Aktualisht është koordinator shkencor pranë Qendrës Ndëruniversitare të Studimeve Albanologjike. Ka botuar më shumë se 200 tituj: monografi, artikuj e kumtesa, si bashkëpunëtor i 30 revistave shkencore brenda e jashtë vendit dhe me botime në 5 gjuhë të huaja. Ka marrë pjesë në shumë simpoziume kombëtare e ndërkombëtare dhe ka ligjëruar për historinë e gjuhës shqipe në universitete e qendra shkencore brenda e jashtë vendit. Është nderuar me çmimet “Ekselenca Shqiptare 2007”, “Çmimi i Albanologjisë 2008”, Çmimi “Kult 2012 – Studiuesi i vitit”, “Imazhi i intelektualit shqiptar”, urdhri “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës. Ka nisur punën për hartimin e “Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe”, që do të botohet në disa vëllime duke filluar nga viti i ardhshëm.

“Thesaret gjuhësore të së folmes së Hotit në një fjalor etimologjik”

Hoti është njëra nga krahinat më të veçanta të trojeve shqiptare, e folmja e së cilës, një gegërishte e bukur dhe e pastër, ruan në gjirin e saj pasuri të mëdha, që përbëjnë një thesar jo vetëm për krahinën, por edhe për vetë shqipen. Në një fjalor etimologjik, për të cilin po punojmë prej disa vitesh, kemi përfshirë shumë fjalë të rralla të së folmes së Hotit, që na kanë ndihmuar për shpjegimet tona duke i dhënë dritë e shkëlqim edhe vetë kësaj krahine. Në vargun e tyre vëmë në dukje: delme, një relikt gjuhësor, që krahasohet me emrin e një fisi ilir, Delmatae, si edhe me atë të krahinës së Dalmacisë me kuptimin “fushë që ushqen delet”; puçik “gropë e vogël” nga it. pozzo “pus” me prapashtesën -ik; kripshë “një shkurre me gjethe gjithnjë të gjelbra, lat. Phillyrea media” nga krip “flokë” me prapashtesën -sh; jes ~ jet “mbes ~ mbet”, me burim nga forma e vetës II shumës të foljes indoeuropiane es- “me qenë”, që është zëvendësuar nga forma më e re jeni me mbaresën e foljeve me formantin -nṎō; ragazi “një lloj rrushi kokërrgjatë me cipë të trashë” nga turq. razakí, që në këtë të folme ka pësuar metatezë, duke u përzier me mbiemrin i zi e duke krijuar emrat ragazi, ragazezë e me antonimin e saj ragabardhë; niç e diç me kuptimin “pra, kështu” nga ndiç, një fjalë-fjali nga në ditësh “nëse e di”; bohet “mbarset, çiftohet” nga një rrënjë bi me kuptimin “dy”, që gjendet në gjuhën shqipe te emri bigë dhe përjashta saj në lat. bis “dy herë”. Nga fusha e morfologjisë, vëmë në dukje: disa trajta shumësi të emrave me lëvizjen e theksit brenda fjalës, si gjerpáj e dërpáj, një dukuri që ka qenë karakteristike për gjuhët e vjetra; përemrin pronor yj, që në shqipen e sotme është zhdukur, por e kanë ruajtur krahinat gege veriore, ndër të cilat edhe Hoti, si një relikt gjuhësor, që e ka edhe Buzuku dhe është formuar nga i + u, ku elementi i parë është i gjinisë mashkullore duke përfaqësuar përemrin ai, kurse elementi i dytë është u-ja, që përfaqëson përemrin ju. Nga fusha e sintaksës, albanizma jam i hot me kuptimin “jam prej Hotit” është një relikt gjuhësor me interes të veçantë shkencor, me të cilin tregohen etnika, si: i pukës, i mirditas, i hot, i shkodran, i tragjas etj., duke shënuar banorë të një krahine të caktuar, prejardhjen e tyre dhe janë krijuar në sintagma gjenitivale me përdorimin e gjinores pa emër përpara, si rezultat i një elipse.Këta shembuj dhe shumë të tjerë dëshmojnë vlerën e veçantë që ka e folmja e Hotit për fushën e etimologjisë dhe në përgjithësi për pasurimin e shqipes. Është detyra e lëvruesve të gjuhës t’i nxjerrim në dritë këto visare të rralla dhe t’ia bashkangjesim thesarit të madh të gjuhes shqipe

Mr. Marjan Lulgjuraj

“Vështrim gjuhësor mbi toponiminë e Hotit”

Toponimia e Malesisë, e sidomos e zonave kufitare, ka emra me origjinë shqipe. Prania e shqipes në disa emra vendesh dhe njerëzish të disa fiseve konfirmohet edhe nga tradita gojore e gjallë e këtyre banorëve dhe tek malësorët e Shqipërisë veriore. Disa nga këto fise kanë pasur paraardhës të përbashkët nga i cili rrjedh edhe formimi i tyre. Në këtë kumtesë ne do të ndalemi në disa emra vendesh me origjinë nga shqipja, por edhe tek ata të cilët kanë ndajshtesimit sllave, turke, romake. etj. Me mjaft interes është vëzhgimi i veçorive fonetike, pasi mjaft fjalë i ruajnë format arkaike që kanë pësuar në gjuhën huazuese. Ky studim paraqet mjaft interes për të interpretuar nga pikëpamja gjuhësore emrat e shumtë të katundeve, sepse një pjesë e tyre njihen qysh në mesjetë e disa edhe me thelle ne lashtësi. Rol të rëndësishëm në këtë punim do të kenë emërtimet e vendeve sipas emrave të njerëzve dhe të fiseve, me pas te rrjedhave ujore, të një objekti të ndërtuar etj. dhe elemente të tjera të emërtimeve të cilat shkenca e gjuhësisë, pikërisht fusha e toponimisë nuk mund t’i grupojë sipas një kriteri të caktuar. Fjalë dhe shprehje kyçe: Toponimi, vëzhgim gjuhësor, trajta arkaike, veçori fonetike, leksik etj.

Nikolla Spathari

Lindur në Malësi të Madhe me 1940. Ka filluar të botojë në vitet gjashtëdhjetë të shekullit njëzet. Në vitet shtatëdhjetë botoi dy librat e parë dhe u bë një emër i njohur në publicistikën shqiptare. Me botimin e dy librave u pranua anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Aq sa lejonte regjimi nuk e ka kursyer edhe kritikën në Revistën “Hosteni“ me fejtone të herëpashershme. Pas shembjes së regjimit totalitar ka qenë themelues dhe kryeredaktor i gazetës “BESA“ në Shkodër (1991– 1993) dhe i gazetës letrare “PENA“ në Durrës (2004 – 2005). Ka qenë gjithashtu reporter për Shqipërinë i gazetës “Albania Herald” (1991-1996) që dilte në Amerikë . Nga viti 2009 e në vazhdim është drejtor i revistës “Vegime letrare”. Ka qenë sekretar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për Shkodrën (1992-2004) dhe nga viti 2007 është Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës. Numri i veprave letrare të botuara njihet me dhjetëra, kurse në proces të botimi ka edhe pesë libra të tjerë si edhe Veprën e plotë në 12 vëllime. Për punën e tij krijuese është vlerësuar me tituj, dekorata dhe çmime të shumta letrare.

„Hoti-Kreu i Malësisë së Madhe në shekuj

Në rangun e “Malësisë së Madhe”, Hoti zë vendin e parë në mes “Maleve” dhe bajraktari i tij për Malësinë është si një kryebajraktar. Në këtë kuptim, së paku që nga Çun Mula i përmendur, e deri tek Mul Delia, ku bajraku mori goditjen e të mosqënit nga sistemi komunist, bajraktari i Hotit është quajtur në Malësi edhe bajraktari i bajraktarëve. Pa dyshim Hoti parësinë e Malësisë së Madhe e ka fituar si një trofe tepër të çmuar të trimërisë së vet. Por kur e fitoi këtë vend nderi të trashëguar brez pas brezi? Disa studjues si J.Hahn, H.Hecquard, E. .Durham e ndonjë tjetër pohojnë se këtë të drejtë Hoti e fitoi në vitin 1696. Sipas këtyre autorëve në këtë vit “Sinjoria e Venedikut” shpërtheu një sulm të fuqishëm për të marrë qytetin e Ulqinit. Malet e Malësisë së Madhe që ndodheshin nën “Perandorinë Osmane” u rreshtuan në mbrojtje të këtij qyteti përkrah ushtrive turke. Djemtë e Hotit, të prirë nga bajraktari i tyre, treguan trimëri të madhe sa përcaktuan fatin e luftës. Ulqini shpëtoi pa rënë në duart e venedikasve dhe Hoti fitoi të drejtën e bajrakut të parë: Ja si e përshkruan po këtë gjë historiani shqiptar Xhafer Belegu: “Fisi ma i fortë asht’ ai i Hotit, i cili qysh me kohë ka pasë një farë vetëqeverimi. Ky fis ka luftue burrnisht kundër invasionit turk. Me 1696, kur komandanti venecian Geronimo Delfino rrethoi Ulqinin e kur ushtritë turke po thyheshin prej ti, qenë hotjanët që u shkuan në ndihmë turqëve dhe i thyen keq venedikasit. Për këtë ndihmë turqit i privilegjuan hotjanët që të luftojnë kurdoherë në krahun e majtë t’ushtrisë otomane”…

Dr. Angjell Gojçaj

Dr. Angjell Gojçaj shkollen fillore dhe të mesme ka përfunduar në Tuz. Studimet katër vjeçare ka mbaruar në Universitetin e Malit të Zi, Fakulteti Juridik, në vitin 2004. Studimet pasdiplomike i ka filluar në vitin 2004. në Fakultetin Juridik, Universiteti i Beogradit. Vazhdoi studimet e tij pasuniversitare në Universitetin e Novi Sadit, Departamenti për të Drejtën Ndërkombëtare Private dhe Publike, ku me 2006. mbrojti tezën e magjistraturës. Ai mori titullin shkencor doktor i shkencave juridike, PhD, në Universitetin e Novi Sadit me 2009. Ai përfundoi Studimet profesionale në vitin 2009. ( ELM ), në Universitetin e Kembrixhit, Fakulteti juridik. Është avokat dhe professor i drejtës europian private në fakultetin e shkencave juridike “Universiteti shtetëror Luvigj Gurakuqi” Shkoder. Ligjeron si prof. i jashtëm ne Fakultetin e shkencave politike dhe juridike në Podgoricë, Univerziteti i Malit të Zi. Fushat kryesore të kërkimit shkencor janë: e drejta ndërkombëtare publike dhe private, të drejtat e njeriut, e drejta e Bashkimit Evropian.

“Natyra juridike e sovraniteteve shtetërorë mbi territorin e Hotit”

Në pjesen e parë të punimit paraqitet natyra juridike e sovraniteteve shtetërore të cilat kanë ushtruar dhe ushtrojnë pushtetin suprem mbi territorin e Hotit. Kjo çështje ka qënë objekt diskutimesh historike të gjalla prej kohësh për Shqipërin në përgjithësi. Problemi i parë tek territori i Hotit paraqitet për shkak të diversitetit të sovraniteteve shtetërore të cilat gjatë një periudhe të gjatë historike deri në shekullin XXI kanë ekzistuar duke ushtruar pushtetin e tyre mbi këtë territor. Për këtë arsye një vështrim juridik nga aspekti i të drejtës ndërkombëtare dhe europine mbi natyren juridike të këtyre pushtetëve gjëgjësisht sovraniteteve mbi territorin e Hotit dhe evolucionit të tyre, shërben për zbërthimin e kuptimit të Hotit si bashkësi fisnore autoktoktone i ndarë në mes dy kufijëve shtetërorë. Në këtë hulumtim është dhënë një analizë mbi menyrën e fitimit të territorit të Hotit nga sovranitet e ndryshme që nga sundimi Otoman deri në shekullin XXI, ndryshimet teritoriale dhe ligjshmëria e tyre. Duke u nisur nga mendimi për rëndësinë e këtyre fenomeneve shoqërore në lidhje me Hotin, në vazhdim të studimit, sovranitetet shtetërore mbi territorin e Hotit vështrohen nga shumë anë, duke elaboruar nocionet ndërkombëtare të okupimit dhe aneksimit, si dhe nocinonin e kufijve shtetërore. Duke u përmbajtur ligjeve ndërkombëtare, fakteve historike, shkencës dhe metodologjisë së përgjithshme të sajë, ky studim mbi natyren juridike të sovraniteteve shtetërore mbi territorin e Hotit, si në gjerësi, ashtu edhe në thellësi, mendoj, që do të ngris, në shkallë më të lartë, njohurit në shkencë mbi fatin e Hotit dhe popullatës Hotjane në përgjithësi. Dhe në fund të këtij punimi kërkohet që të vë në dukje problemet kryesore që ballafaqohen banorët e këtij territori në shekullin XXI duke paraqitur sugjerime konstruktive për zgjedhjen e këtyre dukurive. Fjalët kyçe: sovraniteti, ligjshmëria, kufijtë shtetërorë, territori, e drejta historike, të drejtat e njeriut

Mr. Pandeli Koçi (emri letrar Sazan Goliku)

Ka lindur në Vlorë më 1942. Ka kryer Fakultetin Histori – Filologji në Tiranë dhe ka punuar mësues, punonjës kulture, gazetar, si dhe redaktor letrar në SHB “Naim Frashëri” e gjetkë. Që nga viti 1970 është marrë aktivisht me botimin e letërsisë shqiptare të botuar në Kosovë dhe ka qenë ligjërues i këtij krahu të letërsisë shqiptare në UT. Nga viti 1981 – 2002 ka punuar në sektorin e shtypit të Kuvendit të Republikës. Ka shkruar poezi, prozë e letërsi për fëmijë dhe tekste këngësh. Është marrë me studime e kritikë letrare, recensione dhe ese. Është fitues i disa çmimeve kombëtarë dhe vendorë. Ka qenë bashkëredaktor i Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë (1998). Nga viti 2008 është Kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj.

“Mali i Hotit në Letërsinë shqipe”

Letërsia artistike shqipe ka 100 vjet që ka bërë objekt të saj dhe pasqyron edhe ngjarjet historike, figurat e shquara e luftëtarët e thjeshtë të Hotit, kësaj krahine shqiptare me zë, por edhe me një fat dramatik, sepse mbeti e shkëputur nga gjiri i Shqipërisë nënë si gati gjysma e trojeve shqiptare. Nuk është rastësi që kryengritja e vitit 1911 dhe akti sa historik, aq dhe heroik i ngritjes së flamurit kuq e zi, së pari në Deçiq, të përshkruhej në tablotë e gjera epike e në vargje tronditëse lirike nga pena të shquara të letërsisë sonë, të traditës e të kohëve të reja. Në epopenë e At Gjergj Fishtës “Lahuta e Malcis”, në katër këngë të saj ngrihen si përmendore luftërat e banorëve të kësaj krahine dhe pjesëmarrja e luftëtarëve të saj në ngjarjet e mëdha kombëtare. Edhe poeti i shquar Ndre Mjeda te poema “Liria” ngre një himn sa lakonik, aq dhe domethënës për trimërinë hotiane. Vitet e fundit është zbuluar në dorëshkrim dhe është botuar poema “Lufta e maleve” e bashkëluftëtarit të Dedë Gjo Lulit, mësuesit Palokë Traboini. Kjo poemë ka vlera historike e letrare, sepse është e shkruar që në vitin 1911, kur u ngrit flamuri kuq e zi në Deçiq. Vlera të veçanta kanë poezitë e Risto Siliqit, pjesëmarrës në kryengritjet e 1911-1912-ës. Poezia e tij kushtuar Dedë Gjo Lulit është sa një portret poetik, aq dhe një frymëzim për të mbajtur gjallë shpirtin luftarak edhe në kushtet e pushtimit. Në periudhën mes dy luftërave botërore nuk reshti dëshira e frymëzimi për të kujtuar e ngritur lart luftërat për liri. Kështu në poemën “Mbi ta”, poeti i shquar Lasgush Poradeci ngre lart virtytet e luftëtarëve të lirisë dhe mes tyre edhe Dedë Gjo Lulin e Hotit. Me detaje konkrete ai thekson si një fakt të rëndësishëm frymën e bashkëpunimit dhe të solidaritetit mes krahinave shqiptare. Në ditët tona vazhdon të shkruhet për lavdinë e heroizmit të Hotit. Poema e shkrimtarit dhe studiuesit Nikollë Spathari “Flamurtarët e Deçiqit”, shkruar me stil tradicional popullor, sjell një ndjesi të re e figuracion të freskët. Krahas krijimeve artistike në poezi, për Hotin janë shkruar edhe proza artistike. Në hulumtimet tona, veç kujtimeve, shkrimeve publicistike historike, kemi gjetur edhe krijime nga shkrimtarë si Sterjo Spase e Shefqet Tigani, po edhe nga të rinj të ditëve tona, kurse nga Hoti spikasin Kolec Traboini, Anton Gojcaj..

Mark Junçaj

I lindur më 04. 10. 1980 në Podgoricë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Në vitin akademik 2002/2003 regjistroi Historinë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Më 14 nëntor 2006 përfundon studimet bazike me notë mesatare 9,56. Që nga viti 2007 punon si mësimdhënës në Gjimnazin ,,25 Maji” në Tuz. Gjatë vitit akademik 2007/2008 punuar si asistent i lëndës Dituri natyre dhe shoqërie në Fakultetin e Edukimit (Mësuesisë) në Podgoricë. Me rastin e 129 vjetorit të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, që është organizua në Tuz më 2 qershor 2007 mbajti fjalën e rastit. Me temën ,,Komiteti Shqiptar i Podgoricës” mori pjesë në Simpoziumin shkencor mbi 100 Vjetorin e Kryengritjes së Malësisë së Madhe, i cili është mbajtur në Tuz më 2 dhe 3 prill 2011. Me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, më 27 nëntor 2012, së bashku me disa intelektualë nga Shkodra dhe Lezha ishte i ftuari ne emisionin ,,Eurodita” të TV Rozafës.

“Kontributi i Hotit dhënë besëlidhjes” 

Hakmarrja ishte një plagë e rëndë, e cila ishte prezentë në Malësi me shekuj. Ishte përdor si mjet për të vendosur një farë rregullit dhe, malësorët, mbështeteshin në Kanunin e Lekë Dukagjinit. Mirëpo, hakmarrja kishte veshë në të zeza shumë nëna, motra, nuse dhe bija. Po ashtu, shumë familje kishte lë pa meshkuj, për arsye se vrasja kishte pasoj një vrasje tjetër. Në shumicën e rasteve vritej i pafajshmi, i cili ishte ,,fajtor” vetëm se ishte kushëri i vrasësit! Frika nga hakmarrja kishte kthyer shtëpi të tëra ne ,,burgje shtëpiake”. Malësia e Madhe nuk mundi më të duroj këtë gjendje dhe vendosi të ndërmarrë ndonjë veprim për të ndaluar një herë e mirë këtë dukuri negative. Vit i bekuar ishte viti 1970. Në këtë vit u ndërmor një aksion për të ndaluar hakmarrjen, të cilin aksion e drejtuan Gjergj Daku Gjokaj, patër Gjergj Markstjepaj dhe imami i Tuzit, Rexhep Lika. Iniciativa e tyre ishte e frytshme, për arsye se u organizuan mbledhje të shumta brenda fiseve dhe bajraqe. Po ashtu u organizuan 2 mbledhje të mëdha, njëra me 20 maj dhe tjetra me 7 qershor të vitit 1970. Mbledhja kryesore u mbajt në Tuz më 28 qershor 1970, ku morën pjesë një numër i madh malësorësh. Mbas shumë diskutimeve u vendos që në rast vrasje të ndjeket vetëm dorasi (vrasësi) dhe askush tjetër. Ky vendim ishte shumë i rëndësishëm për Malësinë e Madhe. Nuk kaluan shumë orë nga mbledhja e përgjithshme në Tuz, kur në Konik Mark Lucaj qëlloi dhe vrau Lekë Kolën Junçaj. Kjo ishte një sfidë e madhe për Besëlidhjen. Pyetja ishte a do të mbahej Besëlidhja apo do të shkelet? E gjithë çështja ishte ne dorë të Hotit të Vjetër. Dhimbja për vrasjen e Lekës Junçaj ishte e madhe, por Besa ishte dhënë. Hoti, si gjithmonë, edhe në këtë rast diti t’i prij Malësis dhe nuk lejoi që të prishte Besëlidhja, por e përforcoi ditën e varrimit të Lekës Junçaj. Atë ditë u bë e qartë se Besëlidhja do të qëndroj. Hoti e kapërcej këtë sfidë dhe çementoi Besëlidhjen e Malësisë. Nga ajo ditë e deri më sot Besëlidhja e Malësisë nuk u shkel dhe pas 43 vitesh shihet se ai vendim ishte më se i qëlluar. Roli i Hotit ishte vendimtar, ngase Hotit iu desh ta përforcoi Besëlidhjen dhe e tregoi veten dhe njëherë se din të vendosin në momente kyç për të mirat e Malësisë.

__________________________________________________________

Dita e dytë e seminarit historiko shkencor “Hoti ndër rrjedhat e shekujve”

Me një salle të mbushur me shqiptar me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikes,jo vetem hotjane për treven e të cileve bëhej simpoziumi por edhe nga të gjitha viset e tjera shqiptare.Perfaqesues të shoqates “Malesia e Madhe”,Panfederates “Vatra” dega në Michigan,shoqates “Kastrati”,shoqates “Kosova”,shoqates “Mirdita” në Amerike,Institutit te Studimeve Shqiptaro Amerikane me qender në Detroit,shoqates kulturore”Kelmendi”,te të kater besimeve fetare nder shqiptar në Michigan,kleriket katolik,Dom Ndue Gjergji,Dom Fran Kolaj,Dom Fred Kalaj.Mediat shqiptare ,Televizioni i Shqiptarve të Amerikes, ACTV-televizion Michigan,Platforma televizive AlbaVizion,TV AlbDreams,revista “Kuvendi”,revista “AlbDreams”,intelektual,biznesmen,të të gjitha moshave dhe gjinive.

Në diten e dytë të seminarit e cila filloi në orën 2:00 pas dite me oren locale të Michiganit deri në 6:00 ditë në të cilen parqitën kumtesat e tyre;Dr.Romeo Gurakuqi,publicisti Ndue Bacaj, Dr.Koço Danaj, Doc.Tomi Treska, Dr.Sonila Boçi,Dr.Nikolle Camaj.Ndresa Dom Fran Kolaj paraqiti punimin e Dr.Dom Nikë Ukgjini nga Instituti Filozofik e Teologjik Shkodër.

Ndërsa poeti Gjovalin Lumaj kishte krijuar një baladë poetike për krahinen e Hotit të cilën e recitoi më mjeshtri Ndue Gjekaj,të cilën të pranishmit e nderprenë disa herë me duartrokitje.

Moderatorja Rita Gjelaj bëri të ditur të pranishmeve edhe disa kumtesa autoret e tyre nuk kishin pasë mundësinë për të udhetuar në SHBA.Temat nga Dr.Gjovalin Shkurtaj,Dr.Anton Kola Berishaj,Dr.Palokë Berishaj edhe pse nuk u paraqitën do të jenë të botuara në librin që do të botohet me ketë rast..

Konkluzionët dhe një traktat përfundimtar për dy ditët e seminarit në emer të komisionit të profesoriatit e lexoi Dr.Nikolle Camaj.

Bajraktari i malit të Hotit Smajl Maliq Çunmulaj falenderoj panelin e seminarit,të pranishmit,komisionin dhe sponsoret e kesaj veprimtarie me shumë rëndesi siç e cillsoi ai.

Këshilli Organizativ i Simpoziumit “Hoti në rrjedhat e shkeujve” ishte i përberë nga ; Dom Fran Kolaj,Lek Leci Gjonaj,Nikollë Rroku Camaj,Zef Toma Gjonaj,Rrok Gjergj Dedvukaj,Shtjefen Paloka Gojçaj,Dr.Gjeka K.Gjelaj,Prof.Luk Ujka Junçaj,Kol Toma Dedvukaj,Nikolin Ndue Celaj,Vasel Pjetri Nicaj,Tom Nika Camaj,Kanto Marashi Dushaj,Prek Zefi Dekaj (Lajçaj).

Një panorama e shkurter e kumtesave dhe autorve qe u mbajten ditën e dytë të seminarit

Dr. Romeo Gurakuqi

Profesor i Historisë dhe i se Drejtës Publike; Profesor i Historisë Moderne Botërore, Historisë Moderne dhe Bashkëkohore të Ballkanit, i të Drejtës Publike dhe Historisë së Institucioneve në Universitetin Evropian të Tiranës. Është Visiting Fellow pranë London School of Economics and Political Science dhe autor i monografive “Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës e vitit 1911” (janar 2002) dhe “Shqipëria dhe Çështja Shqiptare, pas Luftës së Parë Botërore, 1918-1921” (botuar mars 2007), “Principata e Shqipërisë dhe Mbretëria e Greqisë, 1913-1914” (botuar shkurt 2011) dhe “Shqipëria 1911-1914” (tetor 2012), si edhe i shumë teksteve bazë universitare.

“Hoti, kontributi në Rilindje, pavarësi dhe shtet-formim 1880-1914”

Procesi i Shkëputjes së Hotit dhe pjesëve të tjera të Malësisë Shqiptare nga trungu amë, ka qenë pjesë e një operacioni politik, diplomatik dhe ushtarak, i shtrirë në harkun kohor 1881-deri 1926, që rezultoi me ndarjen e Malësisë shqiptare, ndarjen nga Malësia shqiptare të zemrës së saj, Hotit, dhe vetë Hotit në dy pjesë. Një tronditje e Shqipërisë dhe e vatrave me shtysëdhënesë e më të orientuara të patriotizmit, rilindjes dhe shtetformimit dhe një cungim drastik i katolicizmit shqiptar. Ai operacion ka përfshirë në brendësi, në të gjithë gjatësinë kohore, një kombinim përplasjesh të planit të brendshëm ballkanik, në radhë të parë, mes Malit të Zi, shqiptarëve si subjekt i nënshtruar dhe Perandorisë Osmane, me pas Malit të Zi, Shqipërisë dhe Serbisë; së dyti, është pjesë e një operacioni ndërkombëtar përplasjeje mes Fuqive të Mëdha në Rajon: për periudhën 1881-1917, mes Perandorisë Austro-Hungareze dhe asaj Ruse, me ndërhyrjen e Italisë në pjesët e ndërmjetme të periudhës. Për harkun kohor 1918-1926 çështja jonë është pjesë e një relacioni më të gjerë gjeopolitik dhe kufizues kufitar, që lidhet me ristabilizimin e kuadrit gjeopolitik Evropian dhe Ballkanik pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, në rrethanat e dezintegrimit të Perandorisë Austro-Hungareze, ndërtimit të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, tërheqjes definitive të Turqisë nga Ballkani, ridiskutimit të statusit ndërkombëtar të Shqipërisë dhe kufijve të këtij shteti, në Konferencën e Paqes dhe në konferencat e tjera vijuese të ambasadorëve të vendeve të Këshillit të Lartë të Antantës, fitues në luftë. Periudha pas Luftës së Parë Botërore, futi në skenën diplomatike krahas Italisë dhe Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe ShBA, roli i të cilëve (dy të fundit) sidomos gjatë rrjedhës së vitit 1921, u bë përcaktues për ruajtjen e status quo-se kufitare të para luftes, midis botes shqiptare dhe asaj sllave, në ruajtjen e mëtutjeshme të ndarjes së Malësisë dhe Hotit dhe në konservimin e mëtutjeshëm të Hotit, Grudës, Kojës dhe Triepshit në cepin e ftohtë të perifërisë së një shteti artificial krejtësisht armik ndaj tyre. Kufiri në terren i vendosur në gjysmën e dekadës së parë të viteve 1920 kreu sanksionimin e kësaj ndarjeje dhe faktikisht. Operacioni ndarës i Malësisë në përgjithësi dhe Hotit në veçanti është një proces që u ndihmua edhe nga gjendja e prapambetur dhe e përçarë në të cilën gjendej kombi shqiptar, i sapo dalë në lirinë bashkëkohëse, me një gjendje zhvillimore, kulturore, arsimore dhe konsijance politike të denjë për mesjetën, shkaktuar nga tejzgjatja e pushtimit otoman, i cili deformoi unitetin nacional të këtij vendi. Situata e brendshme politike brendashqiptare, nxiti indiferencë deri edhe e armiqësinë e elementeve të kësaj klase me formim turkoman, sa në momentet e caktuara ata bënë kauzë të përbashkët me pushtuesit malazezë dhe serbë në dëm të kësaj krahine. Pavarësisht se Hoti dhe Malësia e drejtuar nga prijësi popullor Dedë Gjo’ Luli, luajti një rol të jashtëzakonshëm, si Garda Nacionale e Principatës Shqiptare të Mbretit të parë të shqiptarëve Wilhelm Von Wied, duke iu bashkangjitur djemve të Isa Boletinit, Aqif Pashë Biçakçiut dhe Preng Bib Dodës, Hoti u sakrifikua nga fuqitë, dhe nga elementët turkomanë dhe agjentët e Serbisë si Essad Pashë Toptani.

Koço Danaj

I lindur më 31 mars 1951 në Tepelenë. Mbasi mbaron gjimnazin në Tepelenë, në moshën 18 vjeç, fillon studimet e larta në Tiranë, dega Filozofi. Pas diplomimit me rezultate të shkëlqyera, fillon punë në Shkodër, si Sekretar Rinie. Më pas vjen në Tiranë si Sekretar në Komitetin Qëndror të Rinise. Mbas disa vitesh punë në këtë post, në moshën 31 vjeç(1982), kalon si Nëndrejtor dhe Shef i Katedrës së Organizimit të Partise në Shkollën e Lartë të Partisë. Më 1986merr titullin Doktor i Shkencave Politike. Më 1988 çohet në detyrën e Sekretarit të Partisë në Rrethin e Sarandës. Më 1990 vjen në Tiranë dhe bashkpunon me disa gazeta si Analist Politik i Pavarur. Më 1992 detyrohet të largohet nga Shqipëria dhe qëndron në Zvicër deri më shtator të 1997. Gjatë kësaj periudhe, bashkpunon ngushtë me redaksinë e gazetës “Zëri i Kosovës” dhe shkruan në disa revista dhe gazeta të diasporës. Në Shtator 1997 kthehet në Shqipëri dhe vazhdon të punojë si Analist Politik i Pavarur. Më Nëntor 1999 fillon punën si Shefi i Kabinetit dhe Këshilltar Politik i Kryetarit të Partisë Socialiste Shqiptare, Z. Fatos Nano. Prej Shtatorit 2000 deri në Shkurt 2002 punon si Këshilltar Politik i Kryeministrit të Shqipërise të asaj kohe, Z. Ilir Meta. Nga Shkurti 2002 deri ne Korrik 2002 punon si Këshilltar pranë Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Pandeli Majko. Shtator 2002 deri më Shtator 2003 punon si Këshilltar i Zëvendëskryeminitrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme Z.Ilir Meta. Z. Danaj është Drejtor i Qëndrës së Prognozave Politike dhe Sociale.

“Konferenca e Londers dhe ceshtja e kufijve”

Dr.Tomi Treska

I lindur më 21/01/1061. Në vitin 1984 u diplomua në Universiteti i Tiranës; Diplome “Mësues i Historisë dhe Gjeografisë”. Më 1997 në Universitetin e Tiranës mori diplomën: Doktor i Shkencave ne Histori. Po ashtu më 1997 në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Fakulteti i Drejtësisë, u diplomua “Jurist”. Angazhimi I tij profesional ka të bëjë me punë edukative, kryesisht në UET. Që nga 1 nëntor 2011 e deri më sot mban titullin Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Edukimit tek Universiteti Evropian i Tiranës – UET, kurse nga 1 nëntor 2006 – aktualisht është Përgjegjës i Departamentit të Edukimit. Po aty është edhe përgjegjës i Departamentit te Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Është pjesëmarrës i shumë simpoziumeve dhe takimeve shkencore me karakter ndërkombëtar.

“Rroli i Hotit në historinë e Malësisë së Madhe dhe të Shqipërisë dhe shpërnguljet, si pasojë e rezistencës”

Punimi do të jetë një pasqyrim arkivor e dokumentar i historisë së kësaj treve, që përbën një element të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare. Hoti si një trevë e thellë e izoluar nga zonat fushore dhe bregdetare ka qenë një djep në të cilën është konservuar në shekuj tradita e shëndoshë shqiptare në aspektin gjuhësor, etnografik, kulturor, historik, politik, e cila gjen zgjatimin e vet edhe në diasporën e vjetër dhe të re hotiane, dëshmi kjo e ruajtjes dhe konsolidimit të identitetit hotian, pjesë përbërëse e identitetit tonë kombëtar. Jeta hotiane me gjithë karakteristikat e veta, si një oaz i pellgut shqiptar ka pasur mbështetje dhe ushqim të vazhdueshëm nga diaspora e saj, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në ushqimin e pemës shekullore hotiane. Hoti ka qenë një trevë me rëndësi të madhe në të gjithë vijën historike të kombit shqiptar duke filluar që nga antikiteti e deri në ditët e sotme. Veçanërisht kjo trevë e pasqyroi dinamizmin e vet në periudhat në prag të pavarësisë së Shqipërisë. Mendja dhe pushka e Hotit dhe hotianëve kanë vendin e tyre në plejadën e ndritur të historisë sonë kombëtare. Punimi synon të shpalosë kontributin e hotianëve në krijimin e identitetit shqiptar dhe të pavarësisë së trevave shqiptare. Ai do të evidentojë figurat qendrore që dolën nga gjiri i kësaj treve dhe që tejkaluan kufijtë e Hotit, ndaj të cilëve çdo shqiptar duhet të përkulet me nderim të thellë. Aktivitete e tyre paten për pasojë edhe shpërnguljet e shumt, që poashtu do të preken nga kjo temë. Ngjarjet që do fokusojë punimi i kanë zanafillat e veta që nga mesjeta deri në prag të pavarësisë, duke qartësuar pjesën burimore mitike gërshetuar me atë shkencore arkivore dokumentare. Ky punim është një përpjekje për të shteruar shkrimet rreth kësaj treve nga autorë vendas dhe të huaj, parë në këndvështrimin e kombinuar të objektivitetit shkencor dhe të interesit të lartë kombëtar. Punimi do përmbyllet me disa konkluzione që shprehin kontributin e kësaj treve në historinë e Malësisë së Madhe në kuadër të historisë

Dr. Sonila BOÇI

Dr Sonila Boçi është studiuese në Institutin e Historisë pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, në Departamentin e Historisë Bashkëkohore. Ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Histori-Filologji. Është diplomuar në Master në Universitetin Ndërkombëtar “Kapodistria” të Athinës. Në vitin 2010 ka përfunduar studimet e doktoraturës në Universitetin e Tiranës. Fushat e saj të studimit janë: Historia e Shqipërisë (1939-1961); nacionalizmi dhe minoritetet, si dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë.

Është autore e monografisë Minoritetet në Shqipëri midis identitetit dhe integrimit (1939-1949) dhe bashkautore në disa botime të tjera shkencore dhe dokumentare

“Krimet komuniste ne Hot” 

“Bashkëpunimi ndërmjet PKSH dhe PKJ dhe ndikimi i tij në situatën e popullsisë shqiptare në Mal të Zi: rasti i Hotit (1944-1945)”

Gjatë Luftës së Dytë Botërore ndërmjet komunistëve shqiptarë dhe atyre jugosllavë pati një bashkëpunim shumë të ngushtë. Në emër të internacionalizmit, bashkim-vëllazërimit të popujve të Ballkanit në luftën e përbashkët kundër Boshtit nazi-fashist, këto parti komuniste dhe Frontet Nacionalçlirimtare që u krijuan me nxitjen e tyre, organizuan qëndresën e popujve të tyre. Premtimet për të drejtën e popujve për vetëvendosje pas Luftës së Dytë Botërore u bënë lajtmotivi dhe nxitje për shumë prej shqiptarëve përtej kufijve të Shqipërisë Londineze për të marrë pjesë në këtë qëndresë.Largimi i ushtrive gjermane nga Ballkani e vuri çështjen shqiptare sërish në rend të ditës. Drejtuesit jugosllavë kishin deklaruar dhe përgatitur rindërtimin e Jugosllavisë së paraluftës (Konferenca II e AVNOJ-it). Aleatët e Mëdhenj në Konferencën e Jaltës (shkurt 1945) rikonfirmuan kufijtë e paraluftës për Jugosllavinë. Shqipëria e bashkuar e Luftës së Dytë Botërore, një krijesë e Italisë, nuk do të ekzistonte më. Të nesërmen e mbylljes së Konferencës së Jaltës, Josip Broz, Tito dha urdhër për vendosjen e administrimit ushtarak në viset shqiptare në Jugosllavi. Një seri ngjarjesh të dhunshme ndodhën në të gjitha territoret e banuara nga shqiptarët në “Jugosllavinë e Re”, të cilat në tërësinë e tyre dëshmonin për një model sjelljeje të komunistëve jugosllavë kundrejt popullsisë shqiptare. Në këtë situatë, drejtuesit komunistë shqiptarë të pafuqishëm në arenën ndërkombëtare, por dhe në planin e brendshëm zgjodhën të forconin bashkëpunimin me aleatin e tyre të vetëm, PKJ. Ata heshtën për rivendosjen e dhunshme të administratës në territoret shqiptare të Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë. Madje, forcat e UNÇl të cilat ndodheshin në territorin jugosllav, u përdorën për të qetësuar revoltën e drejtë të popullsisë shqiptare kundër administratës ushtarake jugosllave. Qëllimi i prezantimit tonë është të analizojë dhe të hedhë dritë ndikimin që pati bashkëpunimi ndërmjet PKJ dhe PKSH në sjelljen e dhunshme të jugosllavëve ndaj popullsisë shqiptare në Jugosllavinë e Re, duke marrë si rast studimi krahinën e Hotit.

Ndue Bacaj

Publicist dhe studiues, lindi më 1954. Është nga Kastrati i Malesisë së Madhe (me banim në qytetin Koplik). Në shkollim është Agronom, në vokacion është publicist e studiues. Që në vitet e para të pluralizmit e demokracisë, ai do të fillonte të shkruante në gazetën lokale “MALESIA” , për të vijuar me mjaft sukses në gazetat “Shqipëria Etnike” “55” , dhe në ndonjë gazetë tjetër kombëtare..e deri në portale të ndryshme ku spikatë revista online ALBDREAMS në SHBA dhe revista “Shkaba” e tjerë.. Ndue Bacaj është bashkëpunëtor në media të shkruara e vizive. Ka realizuar mbi 20 dokumentarë historikë ,për disa treva dhe vlera monumentale të Malësisë së Madhe , Shkodrës e tjerë. Këta dokumentar janë transmetuar në televizionet lokale ; Antena Nord , Rozafa ,TV-Kopliku e tjerë. Në TV-Koplikun ka realizuar edhe rreth 40 portrete të figurave të shquara të Malësisë e më gjerë, si dhe ka fokusuar e transmetuar edhe dhjetëra ngjarje e data historike me vlera lokale e kombëtare. Është pjesëmarrës në disa simpoziume . Aktualisht është Sekretar i Unionit të gazetareve profesionist të veriut (të Shqipërisë Dega Malësi e Madhe.

“Kontributi i Hotit në roje të kufijve të Shqipërisë etnike gjatë viteve 1939-1945…”

Hoti si mali ,fisi , flamuri dhe pushka e parë e Malësisë e shqiptarisë ndër shekuj ka një kontribut legjendarë , heroik dhe historik në roje të kufijve etnik të Malësisë e Shqipërisë. Trojet e Hotit janë fletët e lavdishme të librit të historisë së shkruar më pushkë e pendë ,të njomur më shumë në gjak se në bojë. “Fletë” të tilla atdhetarizmi shkroi Hoti edhe gjatë viteve 1939-1945, kur këto troje ishin plot erë baruti që ishte ngjitur deri në qiellin shqiptarë , duke u përzier me re të kuqe e re të zeza ,që shpraznin gjëmë, vetëtimë , shi , breshër , por si me “magji” nga ky qiell filluan të bien mbi trojet tona edhe rreze drite e dielli ,që ngrohnin zemrat e nacionalisteve të zhuritur per bashkimin e trojeve etnike shqiptare…Hotjanet si të gjithë malësoret e shqiptaret e vërtet kudo që ishin pushtimin fashist e priten me indinjate të thellë dhe me dëshire (të pa realizuar…) për tu rreshtuar në ushtrinë mbrojtëse mbretërore ,kundra pushtuesve Italian. Por kontributi i ushtarakeve të Hotit per të pritur me plumba e jo me lule fashistet me 7 prill (1939) në bregdetin e Durrësit e më gjerë kishte në ballë tre oficerë trima hotjanë ; Mul Deli Bajraktarin ,komandant i batalionit “Deja”, togerin e artilerisë Gjelosh Gjok Luli dhe nëntogerin e këmbësorisë Zef Martinin..Në keto kohë gjysma e Malësisë lëngonte nën pushtimin e Malit Zi ,qe nga konferenca e Londres e vitit 1913.. Megjithë masat e marra nga ushtria kufitare Jugosllave ,kufiri i ndarës i Malësisë kishte filluar të “dobësohet.. Por pak para pushtimit të plotë të mbreterisë Jugosllave nga fashistet Italian (prill 1941) , ushtria serbo-malazeze e kishte larë kufirin e Hotit e Malësisë me gjakun e dhjetëra shqiptareve ,me të vetmin “faj” se ishin shqiptar… Gjithsesi “Ëndërra” e bashkimit të trojeve dhe kufijve etnik që u ruajt në “Gji” per shume vite nga Hotjanet Malësoret dhe shumica e shqiptarëve të tjer ,si per ironi të fatit u bë realitet nga një pushtues , me dekreti i 7 gushtit të vitit 1941 të nënshkruar nga Mëkëmbësi (i mbretit të Italisë), Françesko Jakomoni . Kjo “dhuratë” ndonse kishte ardhur nga një pushtues ,nuk kishte si të mos joshte nacionalistet e trojeve shqiptare të lëna prej dekadash nën pushtimin e shteteve mizore fqinje (sllavo- greke)…Me ketë rast Malesia e Madhe me në krye Hotin e ndarë pergjysem u bashkuan me Shqiperinë Nanë ,ku qendra e Nënprefektures u zhvendos nga Kopliku në Tuz..Hoti tashma i bashkuar ishte organizuar në forca vullnetare per mbrojtjen e trojeve të tyre nga terrori, grabitjet ,krimet dhe vrasjet nga çetniket dhe partizanet komunist malazez e serb.Hotjaneve u prinin oficeret e Karrieres Gjelosh Luli (me shoqëruesit tij besnikë Kolë e Mark Miri), Mul Delia , Zef Martini dhe trimat e flaktë-atdhetarë ;Tom Nika, Pjeter Zeku Camaj, Vasel Mirashi Smajl Haxhia, Mark Dashi, Kolë Maçi e deri prifti patriot i Traboinit Pater Zef Tagaj, Kolë Zefi e tjer..

Nikollë Camaj

I lindur më 04. 12. 1960. Studimet për Letërsi e gjuhë shqipe i përfundoi në Prishtinë në vitin 1984. Studimet pasuniversitare për master i përfundoi në Zagreb në vitin 1988, ku është duke përfunduar studimet e doktoraturës në lëmin e Letërsisë, arteve vizuale dhe filmit, me specializim në lëmin e Etnografisë deh Antropologjisë.

Punon si mësimdhënës në Gjimnazin e Tuzit dhe është aktiv në jetën politike të shqiptarëve në mal të Zi.

“Hoti në objektivin e udhërrëfyesve të huaja”

Që nga koha kur „Pali Apostull e merrte me këmbë krejt Shqipërinë, e cila në atë kohë quhej Iliria, udhëtarët e huaj ishin thellësisht të interesuar që të njohin nga afër këtë popull të veçantë“, shkrua sir Artur Baldwin më 1914. Pra, në shekujt që do të pasojnë u rreshtuan emra të cilët i vizituan dhe shkruan për viset shqiptare, por fillimi i shekullit XX ishte ai që e solli Malësinë në fokus të vemendjes së tyre, çgjë, për qenien shqiptare në këto anë ishte tejete e rëndësishme. Në kohën kur fqinjtë grabitqar kurdisnin plane të çkyenin pjesë të trungut shqiptar i cili po shveshte zhgunin e moçëm turk, misionarët e huaj ishin i vetmi kontakt me botën dhe i vetmi burim objektiv mbi situatën. Ky punim do të merret me kontributin e këtyre miqve të palodhur të shqiptarëve dhe të çështjhes shqiptare, por do të qes dritë edhe në disa hile malazeze, duek u bazuar në dokumenmta ng aArkovat e Cetinës.

Dr. Dom Nikë Ukgjini,

Instituti Filozofik e Teologjik, Shkodër

Shenim: Kete kumtese e mbajti Dom Fran Kolaj

U lind më 19 janar 1957, në Dugojevë, Klinë-Kosovë. Shkollën fillore e ndoqi në vendlindje gjatë viteve 1964-1972. Mësimet e mesme në gjimnazin klasik fetar katërvjeçar, në Paulinum në Suboticë të Vojvodinës 1972- 1976. Studimet filozofike dhe teologjike, pesëvjeçare i ndoqi në Zagreb (Kroaci) gjatë viteve 1976 -1982. U shuguruar meshtar në Podgoricë më 20. 06. 1982. Si klerik i kishës katolike shërbeu në famullinë malore të Gucisë (pjesa veriore e Malit të Zi) nga viti 1982-1995; pastaj punoj si famullitar në kishën e Shkrelit dhe administrator i famullisë së Bogës dhe Reçit të Malësisë së Madhe, gjatë vitit 1996-2000; më pas nga viti 2000-2003, famullitar në kishën e Shën Gjergjit, buzë lumit Buna. Nga 3 tetori 2006 është famullitar në Kishën e Kuklit komuna e Bushatit. Në vitin 2003, pran Universitetit të Zagrebit, në Fakultetin e Teologjisë, dega e historisë, mbrojti temën e doktoraturës më titull “Shqiptarët katolikë në Shqipërinë e Veriut dhe në Malin e Zi të sotëm gjatë shek. XV-XIX. Si veprimtar publik njihet si autor e si redaktor librash dhe si producent i disa filmave dokumentar-artistik. Këtu po veçojmë titujt e disa filmave: Dorarti gojëmbël, 2003( kushtuar dom Simon Filipaj, përkthyes i parë të plotë të biblës në shqip ) ; U doni Gjoni, 2005 (Gjon Buzukut); Pak dritë në errësirë, 2006 (Franga Bardhit); Misioni i ringjallur, 2007 (Jezuitet ndër shqiptar); Heronjtë e Librit, 2008 (Përkthyesve të përkthimeve biblike nga shën Jeronimi deri tek dom Simon Filipaj). Andrra e Jetës, (kushtuar poetit Ndre Mjeda), Shkodër, 2009. Çeta e Profeteve, kushtuar Pjeter Bogdani, 2011; dom franiPasqyra e te Rrefyemit, kushtuar, Pjeter Budit, 2013.

“Kisha e Hotit për Zot, Atme e Përparim”

Malësia e Madhe, si krahinë me një lidhje së brendshme natyrore, territoriale dhe shpirtërore e kombit shqiptar, gjendet në skajin më verior të Alpeve Shqiptare.Sipas relatorëve të Selisë së Shenjtë, të cilët këtë krahinë në të shumtën e rasteve e regjistronin si dioqezë, Malësia si territor shtrihej, deri aty ku sot shtrihen 12 fiset apo Malet e Malësisë, (në të dy republikat: Shqipërisë dhe Malit të Zi). Dhe më konkretisht bëhet fjalë për: Hotin, Pipërrin, Vasojeviqët, Krasniqën, Kuçin, Kelmendin, Kastratin, Shkrelin, Grudën, Triepshin, Gashin dhe Bytyçin. Më sllavizmin e fiseve Shkëmbor, në shek. XVII-XVIII, Pipërrit. Vasojviqeve, Kuçit (nga ky i fundit mbeti shqiptare vetëm Koja e Kuqit), fiset e sllavizuara e braktisen sistemin e lidhjeve fisnore dhe territoriale të Malësisë së Madhe. Në rrjedhat e ngjarjeve historike të kësaj krahine, Hoti është një prej fiseve më të vjetra në Malësinë e Madhe dhe të Vogël.Shënimet e pare për Hotin dalin qe ne vitin 1414, kur disa hotën u rebeluan nga Ballshajtë për të gjetur strehim pranë Venetëve të Shkodrës. Në dokumentet Veneciane në vitin 1416, figuron emri i prijësit Andrea Hoti, i cili së bashku me fisin e tij u bënë aleat të vyeshëm të kësaj republike, në luftërat kundër Ballshajve, 1416-1418, çfarë si shpërblim morë Rranzat e Mbishkodrës, pak a shumë përputhet me territorin e tyre aktual, midis malit te Veleçikut dhe Liqenit të Shkodrës, thuhet ne dokumentet e kohës.Hotin në rrjedhat e historisë, duhet trajtuar si Fis dhe Bashkësi Fetare, shpirtërore apo Famulli – qe do të thotë, unitet i shtëpive të një fisi me prijësin e tyre shpirtërorë. Këto binome shfaqen si njësi të pa ndara të një fisi të caktuar shqiptar.Përballje me historinëHotin si të tillë e gjejmë në relacionet e Selisë se Shenjte, në beteja të zhvilluar për lirin e vendit nga pushtuesit osman pas rrënjës se Shkodrës në vitin 1479, si qendër e Katolicizmit shqiptar. Burimet historike na tregojnë se Hoti, së bashku me fiset katolike të lartpërmendura, si dhe më Pipërrin, Kuçin, nga ditët e para bënë rezistencë aktive ndaj evazionit osman. Për këtë qëndrueshmëri të malësoreve dëshmon edhe relatori i Selisë së Shenjtë, kryeipeshkvi i Tivarit, Marin Bici (1608-1624) në relacionin e vitit 1610. Një gjë e tillë mësohet edhe nga vizita e tij bërë tek papa Pali të V, më 11 dhjetor të vitit 1618, ku ndër të tjera shkruan: “Ai kur shkruan për Malësorët, nder të tjera thotë se, fiset e Malësisë së Madhe, si Kelmendi, Gruda, Hoti, Kastrati, Tuzi, Shkreli etj., janë vetëm të besimit katolik, përveç të gjysmës së Kuçit të cilët janë të besimit ortodoks, dhe së malësorët jetojnë në bjeshkët e papërshtatshme, bëjnë rezistencë të madhe dhe asnjëherë nuk u janë nënshtruar turqve”. Sipas relacionit të vitit 1907, të provincialit françeskan për Shqipërinë, Atë Lovro Mihaçeviq, i cili në ndër të tjera në hollësi shkruan për Malësinë, Hoti për shkak të konfiguracionit gjeografik, kishte dy Kisha: në Traboin, (Arzë) të ndërtuar në vitin 1648, dhe në Rrapesh, (Brigjet e Hotit) ndërtuar në vitin 1699. Padyshim, historia e kësaj famullia ishte e lidhur ngushtë më historinë e Kishës shqiptare në përgjithësi. Kjo bëri që malësorët të vazhdonin të bënin luftën, jo me shpresën së do ta fitonin atë, kundrejt një Perandorie, por më qëllimin që të tërhiqnin vëmendjen e Fuqive ndërkombëtare katolike, mbi çështjen e kombit dhe të fesë të shqiptarëve në veri të Shqipërisë. Këtij qëllimi hotjanet së bashku Malësorët e tjerë ia arritën, duke bërë qe në këto troje të valëvite flamuri kombëtar. Me të drejt poetit Kombëtarë Atë Vinçenc Prennushi, në poemën e tij do këndonte “Të Falëm o Krygje” . “Për Atdhe e Fe na dona veten gjithmonë me e shkri”.

Dr. Gjovalin Shkurtaj

“E folmja e Hotit dhe vlerat e saj dialektologjike dhe etnolinguistike”

(Prej shenimeve te hershme te M. Lambercit deri te ADGJSH-ja)

Kryekreje, në kumtesën tonë do të sjellim të dhëna që nxjerrin në pah afrinë shumë të madhe që kanë ko të folmet e Malesise njëra me tjetrën. Kjo afri është e tillë që rrëfen se në Malësi të Madhe, me gjithë shtrirjen e saj të gjerë tokësore, më fort se për një grup të folmesh mund të flitet për një të folme të vetme, me disa dallime e luhatje brendapërbrenda. Natyrisht, kjo afri nuk është aspak e rastit, por buron nga ajo përbashkësi e gjatë ekonomiko-shoqërore dhe politiko-administrative që ka karakterizuar përherë «malet» e Malësisë së Madhe. Le të kujtojme p.sh. se malësorët, veçanërisht ata të Hotit e të Kastratit, të Kelmendit e të Shkrelit kanë qenë të përmendur për qëndresën e tyre heroike, për shumë vjet me radhë, kunder pushtuesve turq dhe feudalëve të Shkodrës e të Pejes. Të lidhur fort pas shkëmbenjve dhe trojeve të tyre malore, malësorët, pothuajse gjatë tërë periudhës së pushtimit osman, mbeten «rrebelë», që s’iu shtruan sheriatit, por ruajtën organizimin e vet tradicional, të një përbashkësie të mbështetur në organizimin fisnor dhe në kanunin e Lek Dukagjinit. Tërë historia dhe krijimtaria gojore e kësaj krahine është dëshmi e faktit se çdo përpjekje e njërit nga «malet» e Malësisë është shndërruar përherë në ndeshje me të gjera, me pjesëmarrjen e mbarë Malësisë, ku ka derdhur gjakun ajka e «djelmnisë» malësore.

Dr. Anton Kola Berishaj

Lindi në Priftën të Malësisë, komuna e Podgoricës. Në vitin shkollor 1978/79 u diplomua në Degën e Filozofisë dhe Sociologjisë, në Universitetin e Prishtinës. Në mars të vitit 1980 u zgjodh asistent për lëndën “Sociologji e përgjithshme” në Degën Filozofi-Sociologji të Universitetit të Prishtinës. Karrierën universitare e filloi së pari si asistent i angazhuar, e më vonë ligjerues, fillimisht në lëndët “Sociologji industriale” dhe “Struktura e shoqërisë”, në Degën e Filozofisë dhe Sociologjisë. Më 1987, u magjstrua në Universitetin të Zagrebit. Në po të njëjtin Universitet, në korrik të vitit 1997 mbrojtje temën e doktoranturës. Është autor i një numri të konsiderueshëm të librave dhe artikujve të botuar në gjuhën shqipe, serbo-kroate dhe angleze. Ka marrë pjesë me kumtesa në shumë takime, simpoziume e tryeza shkencore nw vend dhe në botë. Nga vitet 1990-1992 u inkuadrua në lëvizjet politike të kohës dhe ishte ndër themeluesit e Partisë Social-Demokrate të Kosovës. Në dhejtor të këtij viti u pranua – anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

“Veçoritë socio-kulturore të organizimit dhe strukturimit të fisit Hot”

Për ndryshim prej grupeve shoqërore fisnore, që zakonisht janë globale, Hoti duke përjashtuar martesën endogame, shfaqet si grup shoqëror parcial. Në strukturimin e shoqërisë segmentare karakteristike për veriun e Shqipërisë, në kushte të pushtimit osman, Hoti ka lozur rol të rëndësishëm në aktivizimin socio-politikë të regjionit për rezistencën e armatosur kundër pushtuesve. Përveç ekzogamisë, në kontekstin e rregullimit shoqëror parapolitikë të regjionit, e veçanta e Hoti ka qenë edhe primati i fisit të parë në atë strukturë shoqërore, gjë që e bën edhe më të pranishëm në historiografinë e këtij regjioni. Që nga fillimi i shekullit XX, Hoti përjeton fatin e trollit të ndarë me kufirin politik të fuqive të mëdha. Nën presionin e pushtuesit osman, Hoti kërkon dhe gjen kompromisin e zbutjes së masave ndëshkuese (tatimet e rënda, konvertimi në islam, rekrutimi i ushtarëve për frontin e Lindjes së mesme etj), duke miratuar islamizimin e familjes së bajraktarëve. Me këtë fakt, Hoti si njësi fisnore e organizimit arkaik të regjionit ruan veçorinë e bi-konfesionalitetit, ekumenizëm shembullor ky, që është karakteristik për shqiptarët gjithandej viseve shqiptare. Egzogamja, si formë e organizimit familjar është veçori tjetër hotiane në regjionin jashtë kufijve politik të shtetit shqiptar. Ndjenja e përkatësisë së gjakut të përbashkët – si vlerë homogjenizuese, ka funksionuar dhe ndikuar që edhe Hoti, si edhe disa njësi tjera fisnore në veriun e Shqipërisë, të përjashtojë martesat brenda fisit. Zakoni i lashtë i ekzogamisë, ka ndikuar edhe në dendësinë e veçantë dhe të natyrshme të rrjetit farefisnor me grupet dhe njësitë fisnore fqinje; ka rritur dhe ka ruajtur ndjenjën e afërsisë midis hotianëve dhe insistimin e tyre në ruajtjen e vlerave tradicionale. Megjithatë, me kohë, Hoti si edhe disa fise tjera në rajon, nuk i ka bërë ballë presionit të përmbysjes së vlerave të cilat në mënyrën e re të organizimit familjar konsiderohen të vjetruara. Pas proceseve migruese, shkapërderdhjes së vendbanimeve homogjene native, ndërrimit të sistemit të vlerave dhe dobësimit të kontrollit jo-formal jashtë kontekstit fisnor të organizimit të jetës, ky zakon i lashtë ka filluar të mos respektohet. Ky fakt, paraqet momentin më të ndjeshëm që gjeneron animozitete dhe apati ndërmjet palëve për komunikim solid brendafisnor.

Dr. Palokë Berishaj

I lindur më 25.07.1935 në Grudë të Malësisë së Madhe. Paloka është autor i 13 veprave nga lëma e arsimit.E para “Konviktet e Kosovës” dhe 12 të tjera nga arsimi dhe kultura e shqiptarëve në Mal të Zi. Deri sot ka botuar rreth 100 kumtesa dhe punime të lexuara në kongrese dhe konferenca shkencore shkencore në territorin e ish Jugosllavisë dhe Shqipërisë.

Shkollat dhe arsimi në Malin e Hotit, 1893-2013

Mali i Hotit është ndër shtatë malet e Malësisë së Madhe.Shkolla e pare shqipe në Arzë – Traboin (Hot) çelet në vitin 1893.Shkolla shqipe në Arzë gjatë sundimit të Austro – Hungarisë ka punuar tre vite shkollore nga viti 1915 deri në vitin 1918. Hotianët gjatë Jugosllavisë së vjetër (1918-1949) nuk lejuan të hapet shkollë sebe në territorin e tyre.Ndërsa gjatë Luftës së Dytë Botërore,shkolla fillore shqipe ka punuar në Arzë. Puna kontinuitive e Shkollës Fillore katërklasëshe në Arzë fillon në vitin 1945.Kjo rritet në pesëvjeçare në vitin 1960 dhe rritet në shkollë tetëvjeçare në vitin shkollor 1963/64.Shkolla Fillore shqipe “Kolë Maçi” në Rapshë çelet në vitin 1943.Tri shkolla fillore katërklasëshe çelen në vitin shkollor 1945/46.Ato themelo- hen në Drume të Epërme,Vuksanlekaj dhe Shkolla Fillore “Dedë Gjon Luli” në Hot.Dy vjet më vonë çelet shkolla Fillore në Traboin të Moçëm.Në shkurt të vitit 1957 çelet shkolla fillore në Drume të Poshtme.Në vitin shkollor 1968/69 fillon punën mësimore Shkolla Fillore në Spi.Shkolla fillore në Brigje themelohet në vitin shkollor 1974/75.Ndërsa shkolla e fundit në Hot çelet në vitin 1979.Ajo themelohet në Sukruq. Numri i nxënësve në shkollat fillore në Malin e Hotit nga viti në vit paksohet. Grupet edukative të kopshtoreve çelen në shkollat fillore “Dedë Gjon Luli” dhe “Kolë Maçi” në territorin e Shqipërisë

Mr. Anton Rr. Lulgjuraj

Diplomohet në Fakultetin e historisë e filologjisë në Tiranë, 2007-titulli Specialist i Historisë. Më 2011 merr titullin Master i nivelit dyte, pranë Institutit Albanologjik të Shqipërisë, me tezen “Trashëgimia arkeologjike e krahinës “Malësia” në territorin e Malit të Zi” Studimet në doktoraturë i vazhdon në Qendraën e Studimeve Albanologjike në Tiranë. Pervoja e deritashme profesionale: Butrint 2006 , archeological field training school, Butrint foundation; Apollonia 2006, mallakastra project, Cincinaty University dhe Instituti Arkeologjik i Shqipërisë; Bylis 2008, Instituti Arkeologjik i Shqipërisë, antikitet i vonë; Manastiri i “Dyzet shënjtoreve” 2008, Instituti i Arkeologjisë Shqipërisë, antikiteti i vonë; Butrinti 2008, “Kullat Mesjetare”. Instituti Arkeologjik i Shqipërisë; Apollonia 2009, 2010, 2011, 2012. Project Theater, DIA (Deutsche Institut fur Archeologie) dhe Instituti i Arkeologjik i Shqipërisë; Lissos 2009, 2010, 2011 Univerziteti i Këlnit dhe Instituti i Arkeologjik i Shqipërisë; Ulpiana 2010, Muzeu i Kosovës; Shas 2012, (qyteti mesjetar), Muzeu Nacional i Malit të Zi;

“Shenja të qytetërimit të lashtë në Hot dhe objektet e kultit”

Tema ka për objekt trashëgiminë arkeologjike të krahinës Hotit, krahinë e cila ndodhët në lindje të kryeqytetit malazias të Podgoricës dhe në veri të qytetit shqiptar të Shkodrës. Hoti në të kaluarën ishte një zonë ku kalonin rrugët kryesore Ballkanike duke filluar nga prehistoria, antikiteti dhe mesjeta. Sidomos në antikitet kishte rëndësi të madhe rruga romake nga Narona në Scodra, e cila kalonte nëpërmes Hotit. Në aspektin historik dhe sipas burimeve tjera, territori i Hotit u banua nga popullsia Ilire që filloi nga periudha e bronzit, për çfarë dëshmojnë numri i madh i tumave. Përveç numrit të madh të tumave, shfaqen për herë të parë edhe vendbanimet e fortifikuara të quajtura ndryshe gradina të vendosura në maje kodrash sikurse gradina në Gjytezen e Ploçës. Kapitulli i parë i kushtohet periudhës së parë të njerëzimit asaj të prehistorisë. Për sa i përket kësaj periudhe ajo është më e përfaqësuara në Hot sidomos për nga numri i varrezave tumulave (rreth 40). Kapitulli i dytë i kushtohet periudhës antike. Nga periudha antike u gjurmuan një vendbanim, me disa mbetje të arkitekturës rrugore. Mund të veçojmë për nga rëndësia dhe nga publikimet në literaturat shkencore vendbanimin e Vuksanlekajve nga periudha romake si dhe Samoborin nga shek III-II p.e.re. Kapitulli i tretë i kushtohet periudhës të mesjetës. Numri i vogël i gjetjeve shpjegohet me varfërinë e objekteve që ka kjo zonë për këtë periudhë, kështu që edhe gjurmimi i tyre ishte më i vështirë. Me vlerë është kisha në Qafë Kishë.

Nga Rush Dragu – Albdreams