Meta-Dinosha: Bashkëpunim të ngushtë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi

Tiranë, 20 dhjetor 2013 – Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot në takim ambasadorin e Malit të Zi në Shqipëri, Ferhat Dinosha me të cilin biseduan rreth marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje, procesit të integrimit evropian për vendet e rajonit dhe mbi bashkëpunimin ndër-parlamentar, shkruan në faqen zyrtare të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.

Kryetari i Kuvendit shqiptar Ilir Meta dhe Ambasadori i Malit të Zi Ferhat Dinosha vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë dhe të shkëlqyer në mes Shqipërisë dhe Malit të Zi në drejtimin e forcimit duke fokusuar intensifikimin e shkëmbimeve parlamentare në të gjitha nivelet.

Ata biseduan mbi proceset e integrimit evropian, ku Meta vlerësoi angazhimin serioz të Malit të Zi dhe shprehi vendosmërinë e Shqipërisë për të vazhduar reformat e nisura, duke theksuar rëndësinë e perspektivës të qartë evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimorë, në funksion të mbarëvajtjes së paqes dhe stabilitetit rajonal.

Në këtë takim nuk kishte asnjë bisedë në lidhje me pozitën e pakicës autoktone shqiptare në Mal të Zi, gjë e cila i takon krye-parlamentarit Meta për dallim nga Ambasadori Dinosha i cili sipas detyrës është përfaqësuesi më i lartë i Mali të Zi në Shqipëri i cili përfaqëson interesat e shtetit të Malit të Zi, shtetasve malazez dhe pakicës malazeze në Shqipëri, ku synimet e ambasadorit janë mbajtja dhe përmirësimi i marrëdhënieve të mira në mes të dy shteteve.

Ambasadori Dinosha ishte lideri i Unionit Demokratik të Shqiptarëve (në Mal të Zi), deputet disa vjeçar në Kuvendin malazez, dhe ish ministër për të drejtat e njeriut dhe pakicave në Mal të Zi. /MALESIA.ORG/