10 VJET TKZ – Dokumentar [VIDEO]



tifozat-kuq-zi

THEMELIMI
Futbolli njihet në mbarë botës si aktivitet që bashkon njerëzit. Duke parë që elitat politike nuk jepnin asnjë shenjë që çonte drejt bashkimit të shqiptarëve në një trup, disa djem të pasionuar pas sportit (veçanërisht futbollit) vendosën që të krijonin një grup tifozerik pa dallim krahine apo feje dhe me dëshirën e madhe për tu identifikuar si një grupim unik që mbledh rreth vetës përkrahësit e Kombëtares Shqiptare të Futbollit.

Themeltarët ishin pesë, sikur copat e ndara të kësaj Shqipërie; Anton Berishaj nga Tuzi, Artori e Burimi nga Prishtina, Faruku nga Shkupi dhe Valentini nga Peja, për t’iu bashkuar më vonë Dardani, Fatosi,Fitmi , Luani e për të vijuar lista e pafund e atyre që erdhen pas tyre dhe që vijojnë të vijnë.

Ideja e hedhur nga “pesëshja themeluese” ishte që organizimi tifozerik të ishte jehonë bashkimi dhe identifikim i shqiptarëve të bashkuar për një qëllim. Më 25 dhjetor 2003 në Londër organizata u pagëzua me emrin “Tifozat Kuq e Zi”.

Grupi u konsolodua dhe nisi të punoj për daljen e parë publike qe ndodhi rreth një muaj më vonë, saktësisht më 2 shkurt 2004.

Gjeografia e grupit po shtrihej ashtu siç edhe ishte menduar, pavarësisht se u nisë nga djemë të disa qyteteve, ajo kishte një qëllim që TKZ të ishte e të gjithëve. Shumë shpejt, grupi u zgjerua duke shtrirë nomenklaturën edhe nëpër shtete të Europës perëndimore.

Si një organizatë pa hierarki me moton: “O sa mirë me qenë shqiptar”, TKZ ka arritur që të krijoj në strukturimin e saj një grup koordinues të punëtorëve më të zellshëm dhe atyre që tashmë cilësohen si “veteranë” për të ecur në hap me ndryshimet dhe aktivitetet që kërkojnë këto organizime.

KUSH JEMI NE?
Për njohurinë e të gjithëve, si emri ynë ashtu edhe parulla jonë përmbajnë qëllimisht forma jokonvencionale gramatikore. Arsyet prapa këtij vendimi kanë pasur të bëjnë me vetë faktin se tifozët, së bashku me ikonografinë, gjuhën, këngët, brohoritjet e tyre i përkasin një nën-kulture urbane, dhe si të tillë nuk i durojnë dot standardet. Në anën tjetër Tifozat Kuq e Zi janë një grupim gjithëpërfshirës, dhe që në fillim kemi menduar se si të gjithë shqiptarët, pavarësisht se ku jetojnë, duhet të përfaqësohen më së miri që në parullë e emër. Pra, zgjodhëm një formë të shprehuri që është e lehtë për shqiptim për secilin shqiptar dhe që secili e ndjen atë të vetën.

E kuptojmë fare mirë se jetojmë në një kohë kur atdhetarizmi dhe tendencat e identifikimit kombëtar shikohen me nënqeshje dhe përulësi, e dimë që vlerat të cilat dikur i kemi trajtuar si të shenjta gjithnjë e më shumë janë duke i lëshuar rrugë kundër-vlerave moderne si lakmisë, vetjakizmit e materializmit të thatë. Më shumë se edukuese, kjo thirrje ta bën me dije se është në rregull ta duash atdheun, se ka edhe shumë e shumë të tjerë që ndihen njësoj.

“O sa mirë me qenë shqiptar” nisi të bëhej kolonë zanore e shumë shqiptarëve që duket sikur e kishin mbajtur brenda. Më pas kjo thirrje mori dhenë dhe filloi të përdorej nëpër emisione të ndryshme televizive e radiofonike, këngë, e deri edhe nëpër fushata zgjedhore.

Tifozat Kuq e Zi janë një grupim kryekëput vullnetar dhe që vetëmbahet nga të ardhurat e anëtarësimit dhe të fitimeve nga shitjet e produkteve tona. Për të lehtësuar organizimet tona dhe për t’iu ardhur sa më shumë në ndihmë anëtarëve tanë, ne kemi krijuar një rrjet të gjerë përfaqësuesish në bazë. Kemi përfaqësues në një pjesë të mirë të qendrave kryesore shqiptare në trojet etnike si Tiranë, Prishtinë, Dibër, Tuz, Gjakovë, Shkodër, Pejë, Kumanovë, Durrës, Strugë, etj. dhe kemi një shtrirje të fortë në vendet më të populluara me shqiptarë në diasporë si Angli, Gjermani, Zvicër, Itali, Danimarkë, Norvegji, Amerikë etj.

Tifozat Kuq e Zi janë tejet aktivë edhe në gjurmimin dhe rekomandimin e talentëve të rinj pranë FSHF-së.

SABITI
Sabiti po rritet. Tani ai ka mbushur 10 vjet. Sabiti është personazhi imagjinar i ilustruar me mjeshtëri nga 19 vjeçari I talentuar, Edon Muhaxheri. Pamja e tij prej një shqiptari me muskuj dhe shumë krenar, e ndërlidhur mjeshtërisht me përshkrimin e kreshnikëve në eposin kombëtar, që duket si një i pa pabindur e rrebel. Me një top gjysmë të ndrydhur me dy duart e tij, Sabiti është bërë tashmë shenja identifikuese e TKZ-së. Atij i pëlqejnë udhëtimet, dhe deri tani ka udhëtuar nëpër shumë stadium europiane, si në Leverkusen, Belfast, Amsterdam, Paris, Dublin, Genève, Ljubljanë, Oslo, e në shumë e shumë stadiume tjera. Na thotë që nuk do të ndalet kurrë, as atëherë kur me duart e tij do të ngris edhe Kupën e Botës.

AKTIVITETET
Që prej vitit 2003 e deri sot me mijëra vullnetarë dhe dhjetëra koreografi janë shpalosur nëpër stadiumet më të famshme anëembanë botës. Gjeografia e shpalosjes së këtyre koreografive është shumë e gjerë si: Gjermani, Zvicër, Qipro, Slloveni, Islandë, Angli, Bullgari, Mal të Zi, Suedi, Danimarkë, Holandë etj. Për të vazhduar më pas , shumë njerëz janë emocionuar me atmosferën e krijuar nga TKZ, shumë të tjerë që kanë vuajtur mungesën e atdheut janë përlotur për ato moment lavdie që ata kanë krijuar në stadium, shumë njerëz janë flijuar për ato ngjyra që e kanë parë dhë ri-parë dhe prapë i’u kanë ngjallë të njëjtën ndjesi.

Pavarësisht që gjendja ekonomike e shqiptarëve lë shumë për të dëshiruar, ne asnjëherë nuk jemi ndier inferior në numër, madje edhe kur Kombëtarja jonë ka luajtur në transfertë. Kemi qenë të pranishëm në shumicën prej ndeshjeve, pa marrë parasysh nëse kanë qenë ndeshje miqësore ose kualifikuese, kemi pasur kundërshtarë të fortë ose të dobët. Biles në disa raste kemi qenë edhe më shumë sesa vendasit, kujtojmë këtu dy ndeshjet e eliminatoreve të fundit, kundër Zvicrës në Lucern dhe kundër Norvegjisë në Oslo, ku gjithë stadiumi fliste shqip.

Një mision tjetër i TKZ-së në ndeshjet në transfertë është edhe përmirësimi i imazhit të shqiptarëve nëpër botë. Andaj, përmirësimi i këtij imazhit të shqiptarit “me bisht” ka qenë një sfidë tjetër që TKZ e ka kaluar me sukses. Nga shumica e shteteve ku kemi udhëtuar në mënyrë të organizuar si TKZ, pas ndeshjeve kemi marrë mesazhe falenderimi nga mediat, dhe nga raportet policiore të vendeve përkatëse. Kjo ka ndodhur në Holandë, Zvicër, Angli, Slloveni e vende të tjera.

Debutimi i parë në stadium i Tifozave Kuq e Zi është më 18 shkurt 2004 në ndeshjen miqësore Shqipëri – Suedi, të cilën edhe e kemi fituar me rezultatin 2-1. Pastaj ka qenë edhe një ndeshje tjetër në mars 2004 kundër Islandës, e cila veç sa na përgatiti edhe më mirë për ndeshjen e parë kualifikuese për KB “Gjermani 2006”. Si për koinçidencë, ndeshja e parë në shtator ishte kundër Greqisë në Tiranë që atëbotë vinte si kampion i saposhpallur i Europës, me ç’rast Shqipëria e mposhti me rezultat 2:1.Kjo fitore duket se “zgjoi” tek shqiptarët atë shpresën e humbur prej shumë kohësh dhe dyert e TKZ-së u “vërshuan” nga vullnetarë që donin të kontribuonin me punën e tyre për ndërtimin e një tifozerie më ndryshe.

Mjafton të kujtosh disa moment nga më të bukurat, psh: në ndeshjen kundër Ukrainës më 9 shkurt 2005, kur një flamur madhështor mbi 100 metra mbuloi tribunat D1,D2 dhe D3 të stadiumit “Qemal Stafa”. Kjo koregrafi bëri jehonë në gjithë botën duke u vlerësuar si diçka unike dhe të paparë deri atëherë.

Por, nuk ka qenë vetëm Kombëtarja e futbollit të meshkujve që TKZ ka përkrahur por të gjitha ekipet duke nisur nga ajo U-17, U-19, U- 21 dhe Kombëtarja e futbollit të femrave dhe ajo e futbollit të sallës. Kemi qenë të pranishëm në ndeshjet e Kombëtares së basketbollit, dhe kemi përkrahur ekipet shqiptarë që kanë garuar në kupat e Europës. Kemi ndihmuar në evidentimin e talentëve shqiptarë anëembanë botës, duke i afruar ata edhe duke ju ndihmuar në kontaktet me Federatën Shqiptare të Futbollit.

Gjithashtu, me një sy vigjilentë dhe shumë aktiv, TKZ ka reaguar ndaj padrejtësive të ndryshme që bashkëkombasit tanë në Iliridë e Malësi kanë vuajtur. Ne kemi organizuar dhe kemi qenë pjesëmarrës nëpër shumë protesta ku kemi menduar se duhet ngritë zëri. Kemi realizuar një sërë kërkesash për bashkimin e Federatave sportive të Kosovës e Shqipërisë dhe për krijimin e një lige mbarëkombëtare. Anëtarët e grupimit tonë, përveç se janë aktivë në organizimet tifozerike, kanë shpalosur më së miri edhe anën e tyre njerëzore në fatkeqësi të ndryshme që i kanë ndodhur bashkëkombasve tanë. Që të mos i’a humbim mundin as edhe njërit që ka kontribuar financiarisht në raste të tilla, duam të falenderojmë nga zemra të gjithë ata që kanë qenë pjesë e ndihmave financiare për familjet ish-luftëtarëve të UÇK-së dhe bashkëfinancimin e memorialit të dëshmorëve Çerciz e Bajo Topulli në Gjirokastër.

Sot 10 vjet pas krijimit, jemi këtu bashkë të mbledhur si një trup, shqiptarët nga çdo anë e globit që bashkohe me ata që jetojnë brenda Shqipërisë, e asaj Shqipërie që nisë në Preshevë e mbaron në Prevezë.

ÇKA THANË PËR NE?
“Jam shumë i lumtur të ju dërgoj urimet e mia më të mira për ditëlindjen tuaj të 10-të. Tifozat Kuq e Zi për mua janë grupi më i mirë dhe më i zëshëm, që nuk ndalen kurrë së përkrahuri ekipin tonë Kombëtar. Andaj i uroj të gjithë tifozët shqiptarë për jubileun duke ju uruar gjithë të mirat.”
– (Gianni De Biassi, trajner i Kombëtares Shqiptare të Futbollit)

“Kur dëgjova se në Lucern ndodhen rreth 12,000 shqiptarë nuk ju besova dhe qesha. Kur u afrova afër stadiumit mbeta pa fjalë. Besojeni që 12,000 tifozë nuk udhëtojnë në një shtet tjetër për të parë Gjermaninë, Anglinë apo Brazilin. Ishte një atmosferë e jashtëzakonshme. Përfundimisht, ata janë ndër tifozët më të zjarrtë që kam parë në stadium.”
– (Ottmar Hitzfeld, trajner i përfaqësueses së Zvicrës)

“TKZ përveç që janë tifozat zyrtar të ekipit kombëtar, janë pjesë e përgjithshme e ekipit kombëtar prej kri- jimit të saj si tifozeri e organizuar që në përbërjen e vet ka përfaqësueses nga të gjitha trevat shqiptare, gjithashtu me një shtrirje edhe jashtë Shqiperise natyrale, në mërgim. TKZ janë zëri i popullit tonë dhe idealit të tij”
– (Lorik Cana, futbollist i Lacios dhe kapiten e Kombëtares Shqiptare)

Gjatë këtyre viteve kemi luajtur shumë ndeshje, gëzime, zhgënjime, emocione drithëruese. Kemi ndërruar shumë trajnerë, futbollistë, kundërshtarë, stadiume edhe komentatorët kanë ndryshuar ndonjëherë… Rregulloren e futbollit dhe qetësinë e stadiumeve e kanë prishur vetëm ata që bënë të vetme skuadër në botë të luaj me 12 lojtarë gjithnjë e tundën çdo stadium të Shqipërisë e Europës. TKZ jeni UNIKAL si flamuri, gjuha, himni i shqiptarisë.”
– (Dritan Shakohoxha, komentator sportiv)

“Rrugën të cilën e kanë ndjekur dikur në luftë ish ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot në paqe të vetmit që e pasojnë këtë rrugë janë Tifozat Kuq e Zi.”
– (Murat Jashari – Familja Jashari)

“TKZ janë simboli i pasionit, simboli i lidhjes, i dëshirave, i dashurisë ndaj rrënjëve, atyre rrënjëve nga vijmë të gjithë ne. TKZ janë gjithashtu historia, ajo histori që sado kohë të kaloj nuk do të mund të vdes kurrë!”
– (Marin Mema, gazetar)

“TKZ janë jehona e arterieve të zemrës së çdo shqiptari. Aty ku të thërret gjaku e ta pushton shpirtin është toka jonë e gjithçka na takon e na bënë krenarë. Jam tifoze Kuq e Zi me gjithë zemër. Në çdo fitore e humbje të Kombëtares tonë mbështillem me ngjyrat e flamurit si çdo shqiptar dhe deklaroj: O sa mirë me qenë Shqiptar! Nuk është vetëm një tifozeri, është brohoritje për atë që jemi ndër shekuj ,është deklarim i bashkuar gegë e toskë për shqiptarinë. Të ectë e mbara Shqipëri…”
– (Albana Osmani, prezantuese televizive)

“TKZ Janë ajka e djelmërisë patriotike që bashkohet nën ulërimën e gjakut të trojeve shqiptare.”
– (Sidrit Bejleri, këngëtar)

Që nga krijimi i TKZ-së portali MALESIA.ORG ishte në përkrahje dhe bashkëpunim të shumë aktiviteteve të saj. Ishim pjesë e shumë organizimeve të Tifozave Kuq e Zi nga Malësia. Dallojmë fitoren e kombëtares kundër Malit të Zi në Podgoricë, ku disa qindra tifoz nga Malësia pritëm tifozët nga trojet etnike dhe gjithë së bashku pushtuam stadiumin e Podgoricës dhe më pas festuam në Tuz të Malësisë.
Jemi krenarë dhe do të mbesim degë e TKZ-së në Malësi.
Urime 10-vjetorin TKZ, qofshi të përjetshëm ashtu si dhe Kombi ynë Shqiptarë.