Zeneli: A do të ketë koalicion të partive shqiptare në qeverinë e ardhshme të Ulqinit?

partiteshqiptare-ulqinKanë mbetur edhe pak ditë nga zgjedhjet e parakoshme lokale në Komunën e Ulqinit të cilat do të mbahen këtë të Diel,me 26 Janar 2014.
Megjithëse subjektet politike që garojnë në këto zgjedhje lokale nuk kanë deklaruar publikisht lidhur me planet e tyre për kualicionet e pas zgjedhjeve apo për partneritetet eventuale në mandatin e ardhshëm të qeverisjes së Komunës së Ulqinit, megjithate, jam i bindur që veçse punohet në këtë drejtim.

Pa marrrë parasysh se kush do të fitojë numrin më të madh të mandateve në Kuvendin e ardhshëm të Ulqinit, dy gjëra janë pothuajse të sigurta.E para,asnjë nga subjektet që garojnë nuk do të fitojnë shumicën,pra gjasat janë se nuk do të arrijë numrin 17 të këshilltarëve (nga 33 të mundshëm sa do të ketë gjithësejt Kuvendi i ardhshëm lokal). Dhe e dyta, secili subjekt i cili do të fitojë numrin më të madh të mandateve, parashikimet janë, se nuk do të mjaftojnë të formojë qeverinë e ardhshme,kështu që kualicioni pas zgjedhor do të jetë i domosdoshëm dhe i detyruar për të krijuar shumicën parlamentare.

Sa ka mundësi që të vijnë deri te kualicioni në mes subjekteve politike shqiptare pas këtyre zgjedhje ? Kjo do të mvaret prej disa faktorëve. Në rend të parë sa janë në gjendje subjektet politike shqiptare që garojnë në këto zgjedhje ,të injorojnë apo minimizojnë ndikimin e PDS -së Millo Gjukanoviqit në këto zgjedhje.Retorika që vjen nga udhëheqësia e Partisë Demokratike Socialiste ( DPS) se ” në Ulqin nuk mund të formohet shumica parlamentare pa PDS-së” kanë karakter propagandistik dhe janë të sajuara me qëllim që të bëjnë presion psikologjik dhe t’ju impunohet partive shqiptare një kualicion i mundshëm pas zgjedhor me PDS-në.Edhe vizita e kreut të PDS-së dhe njiherit kryeministër i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq që është paraparë për sot me 22 Janar,në Ulqin, ka për qëllim vëtëm një qëllim- të bëjë fushatë për një ndikim edhe më të madh të partisë së tij në politikën udhëheqëse të Komunës së Ulqinit dhe të vazhdojë që edhe në të ardhmen të influencojë rrjedhat e saj.

Gjithashtu, vlen të përmendet se edhe tek disa subjekte politike shqiptare dominon botëkuptimi se nëse egziston një koalicion i partive shqiptare në nivel qendror qeveritar me PDS-së, medeomos duhet të kenë kualicion të njëjtë qeveritar edhe në nivel komunal( !?). Është fakt i dëshmuar që partitë shqiptare që garojnë në zgjedhjet lokale në Ulqin, nuk kanë nevojë t’i shtrijnë dorën PDS-së për formimin e shumicës parlamentare në Kuvendin e ardhshëm të Ulqinit,sepse këtë mund t’a bëjnë pa ndihmën e saj dhe subjektet politike shqiptare janë të vetëdijshëm për këtë. Subjektet politike shqiptare dhe udhëheqësit e tyre duhet të kenë më shumë besim në vetëvehten dhe të ç’lirohen nga kompleksi i mvarësisë nga të tjerët,posaçërisht nga partia e pushtetit qendror të Podgoricës.

Faktor tjetër i rëndësishëm në formimin e kualicioneve pas zgjedhore dhe ndoshta edhe më kryesori do të jenë tendencat për të fituar pozitën e kryetarit të Komunës. Parashikohet që numrin më të madh të këshilltarëve në Kuvendin komunal t’a fitojë Forca Demokratike dhe Kualicioni ” Për të ardhmen e Ulqinit”.Gjithashtu,edhe UDSH do të fitojë një numër të konsiderueshëm të mandateve,kështu që këto tre subjekte politike shqiptare do të mund të formonin dhe do të duhet të formonin kualicionin pas zgjedhor qeveritar. Pra,ky do të ishte kualicioni i natyrshëm,por a do të ndodhë një gjë e tillë në realitet? Është shumë vështirë të thuhet duke pasur parasysh faktin se bartësit ( përfaqësuesit) e dy listave, e Kualicionit” Për të ardhmen e Ulqinit” dhe Forcës Demokratike,synojnë që të marrin postin e kryetarit të Komunës.

Si përfundim, kualicioni në mes subjekteve shqiptare do të realizohet vetëm nëse palët rivale fituese në zgjedhje do të arrijnë kompromis çka do të thotë se njëra nga palët, do të duhet të “lëshojnë pe” lidhur me postin e kryetarit të Komunës dhe të “sakrifikojë” për hir të mirës së përgjthëshme.Pra, diçka e paimagjinueshme në politikën e sotme shqiptare.

Ashtu si jemi mësuar edhe në të kaluarën edhe me rastin e këtyre zgjedhjeve,gjasat janë që ambiciet personale dhe ato partiake,përsëri të paraqesin pengesë në realizimin e një bashkëpunimi dhe të një bashkëqeverisjeje të natyrëshme në mes faktorit politik shqiptar,diçka që mendohet se është edhe vullneti i shumicës së zgjedhësve që votojnë për subjektet shqiptare të cilët do t’a thojnë edhe fjalën e fundit me 26 Janar . Sa më i madh të jetë numri i atyre që votojnë për subjektet politike shqiptare,aq më e madhe do të jetë edhe mundësia e formimit të një kualicioni qeveritar të përbashkët të tyre në Komunën e Ulqinit.

Lajmi i ditës,pas zgjedhjeve të 26 Janarit 2014 ,nuk do të jetë se kush ka fituar zgjedhjet,por nëse është arritur kualicioni i subjekteve shqiptare në mandatin e ardhshëm të Komunës së Ulqinit.

Xheladin Zeneli
22 Janar 2014