Malësia në mes vijave të elektoratit (të DPS-it) dhe atyre nacionale!

malesia_komunat_kadastrale_1955Janë plotë 57 vite që kurë Malësisë i është shkurtuar dhe marrë pa vullnet e drejta e vetëqeverisjes lokale, dhe dy dekada që po i premtohet kthimi i sajë.
Gjatë këtyre viteve të pluralizmit, qytetarëve të Malësisë iu dhanë dhjetëra premtime se vetëqeverisjen lokale do ta kenë në duart e veta. Gjatë kësaj periudhe janë bërë kërkesa por edhe marrëveshje politike në mes të subjekteve politike shqiptare dhe DPS-së, partisë në pushtet.

Partia e Djukanovic-it dhe klani i tij në çdo fushatë parazgjedhore; presidenciale, parlamentare dhe lokale, për votën e qytetarëve të Malësisë premtuan Komunën. Gënjeshtra të cilat votuesit por edhe subjektet shqiptare u besuan në mënyre tejet naive . E njëjta parti me të njëjtat struktura ishte atëherë kur nisen premtimet, ajo e njëjta si gjithherë edhe sot vazhdon, gjeneron qëndrime dhe përsëri jep të njëjtat premtime!
Ata dhe qëndrimet e tyre ndaj shqiptarëve mbetën të njëjta, kurse premtimet vazhdojnë të palohen dhe të mos realizohen.

Është fakt i pakontestueshëm se, politikëbërja nuk është aspak e lehtë, sidomos nëse me të i shtrohet shtrati i shëndoshë i një politike për mbrojtjen e interesave të popullit e jo interesave të ngushta personale e partiake. Mu për këtë shkak shpesh shtrohet në pyetje veprimtaria e partive dhe përfaqësuesve shqiptarë.

Nuk ka dyshim se përmes rrugës së diplomacisë, të mundësive politike, shpesh nuk mund të arrihet një synim nëse pala tjetër nuk tregon gatishmëri. Se nuk pati gatishmëri nga ana e pushtetit (DPS-së) është fakt, por në ndihmesë e pa pritës, vazhdimisht ishin vet subjektet shqiptare, të cilët i hapën rrugën dhe i lehtësuan pushtetit aktual që çështja jonë të mbahet pezull, vetëm e vetëm me qëllim që të realizohen kërkesat e pushtetmbajtësve në dëm tonë!

Ekzistimi i një numri të madh të subjekteve politike shqiptare, që karakterizohen me mungesë të bashkëpunimit, ku si rrjedhojë e sajë këto subjekte janë të përçara, pa qëndrime të mprehta edhe për çështjet thelbësore jetësore e kombëtare, bënë që blloku shqiptarë mos të jetë faktor i rëndësishëm (u desubjektivizua), gjë që i mundësoi pushtetit të hapi fushë për manovër të përhershëm ndaj qytetarëve të Malësisë dhe shqiptarëve në Mal të Zi.

Shpesh herë, subjektet politike shqiptare kishin mundësi dhe ishin në situata të volitshme për të kushtëzuar këtë pushtet, gjë të cilën asnjëherë nuk e benë. Sigurisht njëra ndër mundësitë më të mira, në favor të plotësimit të drejtave legjitime të shqiptarëve ishte referendumi për pavarësimin e Malit të Zi. Subjektet shqiptare as atëherë nuk shfrytëzuan këtë mundësi, së pakut jo në interes të qytetarëve që i përfaqësonin.

Një formë kalimtarë e vetëqeverisjes lokale ju dha Malësisë në vitin 2006 (pa mundësi të vetëqeverisjes) e ashtuquajtur Komunë urbane. Një status unik deri atëherë në Mal të Zi por sigurisht dhe më gjerë. Një model i ri Komunë pa baza të vetëqeverisjes, por gjoja si fazë kalimtare me mundësi katërvjeçare për shpallje të referendumit për Komunë me kompetenca të plota. Kaluan tetë vite, me premtime e marrëveshje tjera, por gjithçka mbeti aty.

Si gjithmonë, edhe kësaj here posa afrohen zgjedhjet lokale, aktualizohet edhe statusi i vetëqeverisjes lokale të Malësisë. Përsëri jo ai status e cili është premtuar dhe i cili na takon, por një eksperiment tjetër. Një shpikje e re përsëri, e pazbuluar deri me tani në Mal të Zi por edhe më gjerë.

Ne vazhdën e pritjeve të fundbotshme edhe kësaj herë të gjithë prisnin që më në fund Malësia të marrin Komunën me kompetenca të plota të vetëqeverisjes, saktësisht ashtu si të gjitha komunat tjera. Ky ishte premtimi i partisë në pushtet por dhe kërkesa e subjekteve shqiptare, për të cilët vetëm Komunë e plotë ishte e pranueshme. Mirëpo, si njëri ashtu dhe tjetri bllok po bisedojnë për një formë të re të statusit për Malësinë.

Flitet për një status të ri, unik, me kompetenca të plota ashtu si të gjitha Komunat tjera, por dhe ndryshe nga të gjitha komunat në Mal të Zi, komunë në kuadër të Podgoricës.

Sipas përfaqësuesve politik shqiptarë, ata po zhvillojnë bisedime me DPS-në në lidhje me ofertën e tyre të fundit. Ata sqarojnë se kjo formë komune do të ketë të gjitha kompetencat ashtu si të gjitha komunat tjera; do të rregullohet në bazë të Ligjit për vetëqeverisje lokale, Ligjit për financimin e vetëqeverisjeve lokale, kufijtë administrativ por në kuadër të Podgoricës, dhe me mundësinë e votës së dyfishtë (!). Pra sipas këtij plani qytetarët e Malësisë përpos votës për vetëqeverisjen lokale të Malësisë do të votojnë edhe në zgjedhjen e vetëqeverisjes lokale të Podgoricës.

Sipas kësaj logjikë, votuesit nga Malësia përpos zgjedhjes së vetëqeverisjes lokale në Malësi do të vendosin edhe për fatin e një komune tjetër, përkatësisht Podgoricës. Përderisa përfaqësuesit e subjekteve shqiptare nga Malësia kësaj herë shprehën se janë unik në qëndrimet dhe kërkesat e tyre në lidhje me statusin e komunës së ardhshme të Malësisë, duke shpaluar dhe pranuan se janë në bisedime me DPS-në për ofertën e fundit që sipas tyre do të ishte komunë me të gjitha kompetenca por në kuadër të Podgoricës, pranuan se ende ka çështje të diskutueshme dhe të papranueshme, por nuk sqarojnë se cilat janë ato çështje.

Kjo del në kundërshtim me atë se gjoja komuna do të kishte të gjitha kompetencat e sidomos kur ajo është në kuadër të Podgoricës dhe në fund të fundit çfarë do të kishte për të biseduar sikur vërtetë të bëhej fjalë për komunë si të gjitha tjerat.
Po të njëjtit deklarojnë se do të respektojnë vullnetin e qytetarëve të Malësisë, e ato në mes tjerash janë Komuna, jo urbane, jo në kuadër të një komune tjetër, por Komunë ashtu si premtuan kur kërkuan votat e qytetarëve.

Te jesh unik është shumë mirë, por unik për çka, për te ruajt DPS-in ne pushtet apo te jemi unik ne kërkesën tonë themelore, atë të përcaktimit të shtyllave nacionale sa i përket vetëqeverisjes lokale pra, komunës se pavarur! E nëse në prag të këtyre bisedimeve kemi “shpik” konceptin “unik” sa për te tingëlluar mirë ne vesh te votuesit shqiptarë, kjo shpie tek realiteti tjetër dhe pyetja aspak hipotetike; realisht, kush mund të besojnë më ne premtimet (lexo mospërmbushje te tyre nga Klani i DPS) mbase, refleksi i tyre shton dyshimet se nuk flitet për Komunë me kompetenca të plota.

Si popull pakicë, autokton në këtë shtet, të diskriminuar ndër shekuj dhe të rrezikuar nga asimilimi, do të ishte më se normale që të kemi nivel te ndërmjetëm te pushtetit, në mënyrë që territori nacional shqiptare te përputhej me vija te elektoratit shqiptare (siç e definon Prof.dr. Martin Berishaj nivelin e ndërmjetëm) dhe jo te projektimit te atyre linjave të partisë ne pushtet. Kjo përkon me kërkesa tërësisht demokratike që flasin me gjuhë të integrimeve evropiane (siç është rasti i përcaktimit te pushtetit te ndërmjetëm në veri te Kosovës).

Përfaqësuesit tonë duhet të mendojnë se kujt duhet dhënë llogari për qitje te nënshkrimit dhe te jenë të kujdesshëm kur flasin për të ardhmen tonë sepse e ardhmja e shqiptarëve është shumë e shumë më e rëndësishme sesa pozicioni i tyre i përkohshmërisë politike.

Robert Ivezaj, politolog
student i Master “Politikë Ndërkombëtare dhe Diplomaci”