LDnëMZ, Dega e Malësisë, REAGON – Komuna e kryeqytetit, tallje me Malësinë

logo_lidhja-demokratike-ne-malin-e-ziMeqenëse edhe tutje po spekulohet mbi “marrëveshjen” e subjekteve politike shqiptare me PDS-në mbi të ashtuquajturën “komunë të kryeqytetit”, dhe me largimin tonë nga bisedimet, LDnëMZ, Dega e Malësisë njofton opinionin e gjerë se ky subjekt definitivisht nuk përkrah një marrëveshje të tillë dhe nuk është pjesë e negociatave, sa për shkaqe të natyrës politke, poaq edhe për disa zgjidhjeve që ofrojnë projktligjet, e që për ne janë të papranueshme.

Së pari, në kohën kur Qeveria e Malit të Zi miratoi edhe propozimin për themelimin e komunës së Gucisë, jemi edhe më të bindur se projekti “komunë e kryeqytetit” paraqet vetëm një tallje me qytetarët e Malësisë. Të drejtat mund të jenë vetëm të tërësishme, e asesi parciale. Për aq më pak mund të jenë privilegj e të dëgjueshëmve. E drejta e qytetarëve të Malësisë në vetqeverisje lokale nuk guxon të sjellet në pyteje për hir të pozicionimit, manipulimit apo përfitimit poltike. Ne duhet të kemi marrëveshje kombëtare, e jo tregëtare! Pra, mbetet për të parë se cili subjekt politik shqiptar do të marrë përsipër barrën e përgjegjësisë që të bëjë marrëveshje me partinë në pushtet për një administrim lokal të Malësisë, i cili nuk është i barabartë me atë të Gucisë, Petnjicës, apo cilësdo komunë tjetër në Mal të Zi. Mbetet për të parë se cili subjekt do të pranojë që Malësia të mbetet edhe tutje pjesë e kryeqytetit. A thua Malësia, e cila ka territor, resurse dhe numër të popullsisë sa disa komuna së bashku në Mal të Zi, duhet të mbetet e cunguar në këtë të drejtë elementare. Mjafton që vula e “komunës” së ardhshme të ket emrin e kryeqyteti në te dhe të shohësh se kush është padron i vëret i krejt asaj që quhet Malësi. Siç dihet, Malësia kurr në histori nuk ishte pjesë e Podgoricës. Së paku, jo me pëlqimin e banorëve të sajë. Kjo Malësi ka mbetur edhe në Malin e Zi pa pëlqimin e saj, dhe vetëm në atë mënyrë do të mund të mbetej edhe pjesë e Kryeqytetit. Pra, me nënshkrimin tonë! Prandaj duam të besojmë se një gjë të tillë nuk do ta bëjnë as subjektet e tjera politke.

Ne, si subjekt politik, i formuar enkas për të ruajtur e mbrojtur identitetin tonë kombëtar, nuk kemi mandat as të drejtë që të bëhemi aleat i pushtetit për të shkelur atë identitet, as për të humbur të drejtat tona, apo pronat tona. Besojmë se në këtë nuk kanë të drejtë as subjektet të cilat janë formuar vetëm për t’i siguruar Malësisë komunë të plotë, e që me prononcim për komunë të plotë kanë fituar mandatet që kanë. Malësorët nuk na votuan për të ndihmuar PDS-në ne realizimin e projektit të vet, çimentimin e statusit të Malësisë në lidhje të përhershme me Podgoricën.

Dhe për në fund, ne vërtet deklaruam në një rast se nëse me ndërrimet ligjore sigurohet që Malësia të kontrollojë Podgoricën, por Podgorica jo Malësinë, do të ishte tepër mirë për ta besuar dhe këtë mund ta besojnë vetëm naivët, por neni 41 i Ligjit mbi Kryeqytetin i demanton ato lloj pohimesh. Ja çka thot neni 41.

neni41-ligji-komuna-malesia

Për ata që nuk e marrin veshë gjuhën malazeze:

Paragrafi 1: “Konfliktin e kompetencave midis administratës lokale dhe sherbimeve publike e zgjidh administratrori kryesor i komunës”.

Paragrafi 2: “Konfliktin e kompetencave midis administratës lokale të komunës dhe administratës lokale të Kryeqytetit e zgjidh administratori i Kryeqytetit”.

Kaq përsa i përket “autonomisë” së administarës së komunës së kryeqytetit, çka është e papranueshme për ne. Dhasht Zoti e ta kemi kuptuar gabim!

Prandaj ne vërtet u larguam nga bisedimet që çonin drejt një zgjidhje joprincipjele që bie ndesh me aspiratat dhe zotimet tone, si ato për komunë të plotë, si ato për ruajtjen e tërësisë territoriale të Malësisë, gjë që me propozimin në fjalë nuk u sigurua, edhe pse ishte pjesë e marrëveshjes sonë ndërpartiake. Prandaj, nga marrëveshja nuk dualëm ne, por dualën ata që pranuan (apo që do të pranojnë) më pak se ç’u muarëm vesh, kurse ne dualëm nga bisedimet që sjellin deri te një komunë e cunguar. Kuptohet, nëse ligjet në fjalë do të fitojnë votën e shumicës në Parlamentin e Malit të Zi, në ç’gjë ne nuk besojmë, sepse gjithë këtë e kuptojmë si një manipulim parazgjedhor i PDS-së.

Prandaj, që të mos e lejojmë këtë tallje me qytetarët e Malësisë, i ftojmë të gjitha subjektet politike që veprojnë në vendlindje, të gjitha shoqatat në vendlindje e jashtë saj, që të na bashkëngjiten në këtë qendrim, që të mos vulosim, me pëlqimin tonë, më pak se çka na takon. Që të mos jemi pjesë e marrëveshjes që Malësinë e le edhe tutje kurban të nevojave politike të Podgoricës. Një gjë të tillë ata mund ta bëjnë edhe pa ne, njëlloj sikur po e bëjnë pa Zetën, por nëse jemi unikë, këtë do të mund ta bëjnë vetëm si zgjidhje të përkohëshme. Kurse, nëse kjo arrihet me pëlqimin e subjekteve malësore, do të ishte kjo zgjidhje e përherëshme, çka do të ishte fatale për të ardhmen e Malësisë.

LDnëMZ, Dega e Malësisë