Kryetari i Listës për Shqipëri Natyrale Koço Danaj reagon ndaj deklaratave skandaloze të Gjukanoviqit

Në një deklaratë për media, kryetari i Listës për Shqipëri Natyrale, Koço Danaj, ka deklaruar se kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanovic, ka filluar të flasë me gjuhën e Millosheviqit përballë shqiptarëve.

Sipas Danaj, Gjukanoviq kur e pa që shqiptarët u bashkuan në Ulqin dhe nuk e lejuan të marrë edhe drejtimin e komunës së Ulqinit, hodhi poshtë maskën e “demokratit” dhe u shfaq ashtu si ishte në fillimet e viteve 90-ta.

“Si një vazhdues i mësuesit të tij Sllobodan Milosheviq, ai deklaroi se tashmë do të flasë ndryshe me shqiptarët. Por Gjukanoviq ka harruar se pa shqiptarët Mali i Zi nuk do të ishte i pavarur, pa shqiptarët ai do të humbasë edhe Podgoricën.

Thjesht është mosmirënjohës dhe shovinist. Edhe përkundër gabimeve, shqiptarët në Ulqin gjetën forca dhe arritën të bashkohen me qëllimin e vetëm, që Ulqini të drejtohet prej shqiptarëve. Kjo nuk i pëlqeu nxenësit të Millosheviqit, prandaj ai doli hapur me fjalor tipik shovinist kundër shqiptarëve dhe kërcënoi shqiptarët”, theksoi kryetari i Listës për Shqipëri Natyrale.

Danaj theksoi se shqiptarët në Ulqin, Tuz, Malësi, Plavë e Guci duhet t’i përgjigjen Gjukanoviqit.
“Dhe përgjigja më e mirë do të jetë bashkimi i mëtejshëm i tyre. Prandaj edhe UDSH duhet të bashkohet me koalicionin e shqiptarëve në Ulqin.

Ferhat Dinosha i cili vazhdon të drejtojë UDSH duhet të japë dorëheqje nga posti i ambasadorit në shenjë revolte ndaj kërcënimeve të Gjukanoviqit.

Tirana dhe Prishtina duhet të përshëndesin marrëveshjen midis shqiptarëve në Ulqin dhe të dënojnë gjuhën millosheviqiane të Gjukanoviqit”, thekson Danaj, duke apeluar për bashkim të të gjithë shqiptarëve që jetojnë nën Mal të Zi. /KohaNet/MALESIA.ORG/