Alternativa Shqiptare reagon ndaj FDI-së: Gënjeshtrat janë veti e njerëzve të dobët

alternativa-shqiptareReagim ndaj tekstit të organizatës joqeveritare FDI “Deklaratë për Protestë”

Të ndëruar qytetarë të Malësisë,

Para disa javësh jemi kontaktuar nga Organizata Joqeveritare FDI për të bërë një takim ku do të diskutonim rreth mundesisë së organizimit të një proteste në Malësi. Takimi është bërë me datën 23.02.2014 në zyrën e Alternativës Shqiptare, ku perveç temës kryesore që ishte organizimi i protestës, gjithashtu me përfaqësuesit e kësaj organizate diskutuam rreth çështjes së ndryshimit të ligjeve që do të çonin në ndryshimin e statusit të Komunës Urbane të Tuzit, ligje të cilat siç u shprehen ata në parim ishin të pranueshme, perveç disa neneve që ashtu si edhe për ne, as për këtë organizatë nuk ishin të pranueshme.

Kur është fjala për organizimin e protestave, ne u shprehem përfaqësuesve të kësaj organizate se Alternativa Shqiptare është gati të bëhet pjesë e organizimit të protestave, me kushtin që të zgjedhet koha e duhur dhe të gjitha palet e interesuara të bëhen pjesë e organizimit të protestave.

Është e pavertet, tendencioze dhe jonjerëzore fakti që në deklaratën e kësaj organizate thuhet që ne ju kemi shprehur se jemi duke biseduar me DPS. I kemi shprehur qendrimin tonë përfaqësuesve të kësaj organizate se Alternativa Shqiptare është gati të bëhet pjesë e protestave në momentin e duhur dhe me qenë se në parim edhe kjo organizatë ishte dakord me ligjet, i ofruam që bashkarisht të punonim amandamentet dhe ti dorëzonim në parlament me qellim që ligjet të bëheshin të pranueshme për të gjithë. Për sa i përket nënshkrimit të marrëveshjes, për ne kjo gjë është krejtësisht e panevojshme, në fakt për të qenë të sinqert marrëveshja e ofruar është shumë e paqartë dhe joserioze.

Duke qenë se kjo deklaratë e kësaj organizate, neve si parti nuk na befason aspak, për arsye se prisnim një manipulim të tillë, përsëri nuk është e udhës dhe aspak e drejtë që të perdorën shpifje dhe gënjeshtra për të përmirësuar imazhin e vet para opinionit publik. Normalisht se kjo bëhet edhe për shkak se është afër fushata parazgjedhore dhe si herën e fundit ashtu edhe në këto zgjedhje duhet ta marrë dikush rolin e zhurmuesit shkatrrimtar që nën maskën e patriotizmit ka për qellim coptimin dhe minimizimin e votuesve të partive nacionale shqiptare në dëm të qytetarëve të Malësisë. Nuk kemi qenë asnjëherë kundër dhe nuk do jemi asnjëherë kunder protestave, por me qenë se protesta e fundit e kësaj organizate bëri bujë për numrin e lartë të policisë dhe flamurit malazaz, nuk mund të mos ishin skeptik ndaj qellimit të këtyre personave që në fund e treguan vetën.

Ne kemi një strategji të qartë dhe nuk na ndryshojnë idetë në varësi të motit, nuk duam të bëhemi qesharak, por duam të arrijmë sukese në të mirë të qytetarëve. Kështu që edhe protestat mënduam ti organizonim bashkarisht, me organizatën në fjalë dhe me subjektet tjera, por kjo duket nuk ishte në interesin e disa personave, që duan me çdo kusht të bëhën protagonist kryesor, por në fakt me veprimet e tyre bëhën shumë qesharak para opinionit të Malësisë. Personat që mëndojnë të na imponojnë të paverteta janë plotësisht dështues dhe tregojnë karakterin e tyre të dobët. Ne edhe këtë radhë ashtu si edhe herëve tjera kemi kërkuar unifikim të subjekteve në Malësi edhe për këtë çështje ashtu si edhe për shumë çështje tjera të cilat janë në interes të qytetarëve të Malësisë.

Qytetaret e Malësisë nuk kanë frikë të protestojnë, nuk kanë patur frikë ndonjëherë dhe në besojmë që as në të ardhmen nuk do të kenë frikë. Por, protestat duhet të organizohën në kohën e duhur, në mënyrën e duhur, me njerëz të duhur që kanë ide, qellime dhe objektiva të qarta, por mbi të gjitha, protestat duhet të organizohën bashkarisht, nga të gjitha subjektet. Vetëm në këtë mënyrë suksesi është i garantuar, në të kundërt deshtimi nuk do të mungojë.

Zyra për informim dhe marrëdhënie me publikun e Alternativës Shqiptare.