Përgatitet protesta edhe në Malësi

protesta-tuz-fdiFDI – Deklaratë për Protestë
20.03.2014

Të nderuar qytetar të Malësisë dhe bashkatdhetarë kudo që jeni.

Ashtu sikurse u kemi informuar rreth dy javë më parë, Forumi Demokratik për Integrim ka paralajmëruar Protestë për të gjitha këto padrejtësi që pushteti shtetëror i udhëhequr nga PDS po i bën në dëm të trevës së Malësisë. Konkretisht, fjala është për Komunën e Malësisë / Tuz, ku mos dhënja e statusit të Komunës është bërë pëngesë e perspektivës së qytetarëve të kësaj treve.

Ne si FDI, kemi inicuar disa takime me një pjesë të faktorit politik që nuk kanë nënshkuar “marrëveshjen” famëkeqe që Malësisë nuk i jep Komunë sikurse janë të gjitha komunat tjera në Mal të Zi, por përkundrazi i zhduk emrin që as romakët, bizantinët, osmanët, serbët dhe askush tjetër nuk mundi t’ja zhdukë për mbi 2000 vjet.

Për të qenë bashkë; të organizuar rreth një qëllimi të vetëm; për të treguar sinqeritet dhe seriozitet në çështjen e Malësisë, FDI ka inicuar një “marrëveshje parimore” me subjektet jo – nënshkruese të asaj që do i jepte një goditje të rëndë Malësisë dhe vetëqeverisjes së saj. Ne deshtëm që të bashkohemi për të treguar se Malësia nuk është interes personal, por interes kombëtar dhe madhor.

Në takim me Kryesinë e degës së Lidhjes Demokratike të Malësisë, kemi biseduar për të nënshkruar një marrëveshje parimore për protestë. Poashtu, edhe me Kryesinë e Alternativës Shqiptare. Në të dy takimet, FDI ka dalë e kënaqur, për arsye se verbalisht kemi rënë dakord NË PARIM që të zhvillojmë një protestë për të gjitha padrejtësitë që na bëhen me fokus kryesor themelimin e Komunës së Malësisë. FDI ka këkuar që thjesht vetëm në parim të nëshkruhet akt – marrëveshja që jemi dakord për të bërë protestë. Akt – marrëveshja është përgatitur dhe u është dorëzuar palëve të sipërcituara për nënshkrim.

Kjo marrëveshje për protestë parashikonte: “ushtrimin e një presioni ndaj pushtetit qëndror që të bëjë të mundur themelimin e Komunës së Malësisë; që të ndalohen aktet e shëmturara politike që kërkojnë më pak se Komunë; të bëhet presion që t’a kuptojë pushteti dhe faktori ndërkombëtarë që shqiptarët në Mal të Zi, gjegjësisht në trevën e Malësisë janë popull autokton dhe duhet të mbrohen pa kushtëzime. Ne duam që bashkë të jemi në ballë të kundërshtimit të poshtërsive dhe frikës që pushteti qëndror, po mbiell në qytetarët e Malësisë. Me këtë Protestë, Ne kërkojmë të drejtën tonë në vetëqeverisje lokale, të garantuar nga Kushtetuta e Malit të Zi dhe nga Marrëveshjet ndërkombëtare”.

Pasi që ua dorëzuam në rrugë elektronike (me email) akt – marrëveshjen, ua lëmë disa ditë në dispozicion që të na kthenin përgjigje dhe sygjerime. Lidhja Demokratike – dega e Malësisë ka rënë dakord që në parim të pranojë dhe të nënshkruajmë marrëveshjen.

Ndërsa nga ASH nuk morëm të njëjtën përgjigje! Edhe pse verbalisht ramë dakord që në parim të zhvillonim një protestë, ata nuk pranuan që ta nënshkruajnë akt – marrëveshjen. Kjo na “befasoi” sepse kur një gjë pranohet verbalisht dhe bihet dakord, atëherë pse e njëjta gjë nuk mund të nënshkruhet?! Si arsye ata nxorën se ende janë duke biseduar me DPS për të arritur një marrëveshje për ndryshimin e ligjit mbi organizimin territorial nëpërmjet amandamenteve në Parlamentin e Mali të Zi. Aty ku interesi personal mbërrin kulmin, aty çështja kombëtare ka marrë fund.

Për datën se kur do mbahet Protesta, do ju informojmë në ditët në vijim, për arsye se jemi duke përgatit çështjet teknike.

Në emër të FDI – së, ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Malësisë dhe subjekteve politike shqiptare, ashtu sikurse bëri Lidhja Demokratike – dega e Malësisë, që të na mbështesin në këtë protestë për të mirën e përbashkët. I bëjmë thirrje të gjitha shoqatave në Diasporë që të deklarojnë mbështetjen për këtë Protestë dhe të gjithë faktorëve të tjerë të cilët e duan vendin e vet.

Ne nuk do ndalojmë asnjëherë për të ngritur zërin ndaj çdo faktori që tenton të zhdukë emër dhe rrënjë të trevës së Malësisë!

Me nderime dhe sinqeritet
Kryesia e Forumit Demokratik për Integrim