Tuz, Malësi (06/04/2014) – U zhvillua sot protesta paqësore pranë ndërtesës së Komunës urbane të Tuzit. Protesta në shenjë të pakënaqësisë kundrejt pushtetit malazez ndaj Malësisë u organizua nga Forumi Demokratik për Integrim (FDI) dhe e përkrahur nga Lidhja Demokratike në Mal të Zi – Dega e Malësisë.
Protestuesit mbanin transparente “Bashkë t’i dalim zot Malësisë”, “Stop Diskriminimit”, “Duam Drejtësi”, “Mjaft me mashtrime”, “Malësia Komunë”.
Në mesin e protestuesve ishin edhe disa qytetarë nga Plave e Gucia si dhe nga Malësia përtej kufirit.
Të pranishmëve ju drejtua anëtari i FDI-së Besnik Gjonaj, i cili tha se deputetët shqiptarë për 24 vjet në Parlamentin e Malit të Zi kanë bërë kërkesa të ndryshme për realizimin e të drejtave të shqiptarëve, por të cilat kanë rënë në vesh të shurdhër. Gjonaj ftoi përfaqësuesit shqiptarë në bojkotimin e institucioneve shtetërore deri në realizimin e kërkesave tona legjitime.
“Podgorica zyrtare vazhdon eksperimentet politike duke luajtur me fatin e territorit të Malësisë dhe qenjes së saj në përgjithësi. Kemi mbetur të papërfaqësuar. Ata që i votuam morën poste qeveritare dhe harruan votuesin,” tha Gjonaj.
Ai përmëndi edhe për bisedimet e fundit rreth statusit të Malësisë, të cilat i quajti kurth i kurdisur i pushtetit dhe qorrsokak në të cilin u futën edhe disa përfaqësues të disa subjekteve shqiptare.
“Ne duam ta ndihmojmë këtë shtet, por Ne kërkojmë që të jemi si partnerë të barabartë dhe asnjëherë si servil! Mali i Zi do të integrohet në BE, vetëm atëherë kur t’i respektojë të drejtat e popullit autokton shqiptar në Mal të Zi dhe të gjithë qytetarëve të Malit të Zi” tha Gjonaj.
Protesta u mbyll me vendosjen e therrave në hyrje të ndërtesës së Komunës urbane të Tuzit. /MALESIA.ORG/