FDI: Deklaratë lidhur protestës së 6 prillit

FDI_logoDeklaratë për opinion
07.04.2014

Të nderuar qytetar, dje u zhvillua protesta në Tuz nga ana e Forumit Demokratik për Integrim, të përkrahur nga Lidhje Demokratike në Mal të Zi – dega e Malësisë. Të shqetësuar shumë rreth situatës së Malësisë, me presione të jashtëzakonshme, një numër i konsiderueshëm protestuesish ngritën zërin e tyre ndaj katrahurave të pushtetit aktual. Ky pushtet është diskriminues. Tepër i papërgjegjshëm. Shumë i paaftë për të udhëhequr. Jashtëzakonisht i dobët për ambicie të vërtetë. E vetmja arsye që ky pushtet është ende në fuqi, është fakti që krimi i organizuar është alfa dhe omega e këtij shteti.

Të vetëdijshëm për situatën politike në Malësi, FDI është zë i së vërtetës që do të përballet me intrigat që i bëhen Malësisë nga kushdo qofshin ato. Ne e dijmë që shërbimet sekrete janë në dispozicion për të dëmtuar veprimtarinë tonë të sinqertë. Fatkeqësisht këto shërbime të tilla, po ndihmohen edhe nga disa parti shqiptare që nuk e përkrahen protestën.

Partitë politike “shiptare”, nuk realizuan premtimet e tyre; nuk janë të aftë për të udhëhequr këtë vend; janë pa vizion; asnjë projekt ose amandament ligjor nuk u përkrahet në Parlamentin e Malit të Zi, nuk organizojnë protesta etj. Kjo tregon që “përfaqësuesit tanë” nuk kanë asnjë aleat dhe nuk dijnë të krijojnë aleat e aq më pak të bëjnë politikë. FDI është akuzuar se përdorim gjuhë të ashpër ndaj partive politike “shqiptare”, por ne gjykojmë që paska qenë shumë e butë gjuha që kemi përdorur.

Sot, kandidati kryesor i DPS – së për Malësi në zgjedhjet e 25 majit, ka bërë një deklaratë tepër “filozofike”. Kështu ndodhë kur bien ndesh profesionet. Ai është kandidati i parë në botë që pretendon të jetë kryetar i një “komune” dhe është deklaruar haptazi kundër komunës. Ky është sui generis në llojin e vet. Ne rekomandojmë që ta lejë politikën dhe të merret me profesionin e tij. Ndër të tjera thotë që: “ne nuk duam komunë të varfër”. Dakord! Po atëherë pse ua dhatë komunat Petnicës, Gucisë, Shavnikut, Plluzhinës etj etj? Apo qëllimi është krejtësisht politik për të asimiluar Malësinë?! Ne e ftojmë për debat publik kryetarin e DPS për Malësinë.

Kemi informacione se DPS përmes strukturës së tij të shtrirë në trevën e Malësisë ka filluar blerjen e votave. Apelojmë të gjithë faktorin ndërkombëtar për t’u vënë në lëvizje në lidhje me shit – blerjen e votave. Ne jemi të vendosur që të bëjmë publik, me emër dhe mbiemër ata që blejnë apo shesin votat. Me zë dhe me figurë. Kjo është kulturë e papranueshme për ne.

Të vendosur për të qenë në ballë të këtyre padrejtësive, FDI paralajmëron se protestat vetëm kanë filluar. Ky pushtet është bërë monopol i gjallë. Ku vetëm anëtarët dhe militantët e tij favorizohen. Çdo mjet demokratik me këtë pushtet si përshembull: elaboratet për formimin e Komunës së Malësisë, negociatat me faktorin politik vendas dhe ndërkombëtar, iniciativat e ndryshme të zhvilluara në Malësi, shkresat e ndryshme dërguar pushtetit dhe faktorëve të tjerë të jashtëm për themelimin e Komunës së Malësisë / Tuz, të gjitha kanë kanë dështuar. Prandaj, ne shohim që kërkesat tona të qëndrojnë brenda parimeve demokratike por të radikalizohen deri në demostrata të vazhdueshme dhe të njëpasnjëshme.

Për sa i përket Organizatorit, jemi të kënaqur që arritëm të realizonim në mënyrë paqësore këtë protestë edhe pse ndoshta jo nga pritshmëritë në pjesëmarrje. Por, çështja e Malësisë mori edhe njëherë alarm ndërkombëtar. Kjo falë mediave që kishin ardhur nga disa shtete dhe individëve të vendosur në ballë të sakrificës kur çdo subjekt tjetër që ka marrë votat për të përfaqësuar qytetarët, shohin vetëm interesin e tyre personal, ndërkohë që qytetari është hedhë në rrugë.

Dhe të gjithë atyre përfaqësuesëve politik, që po lëshojnë mllef ndaj organizatorëve të protestës u rekomandojmë që atë mllef ta përdorin kundër atyre që po ua marrin ardhmërinë, jo vetëm të organizatorëve por edhe fëmijëve të tyre dhe gjeneratave të tjera të ardhshme të Malësisë. Nëse ata mendojnë se gjendja në Malësi nuk është e mjerueshme, le të dalin e të deklarohen para votuesëve të cilët i mashtruan më se 20 vjet me radhë. Nëse ata mendojnë se faji i mospjesëmarrjes në protestë qëndron te organizatori, le t’i organizojnë ata protestat, ne u garantojmë që do marrim pjesë. Por, sikurse edhe në protestën e parë, ashtu edhe kësaj here i frikësoi kërkesa që të largohen nga institucionet e sistemit që po diskriminon shqiptarët dhe mos të legjitimizojnë këtë politikë diskriminuese anti – shqiptare, por të dalin haptaz dhe t’a kundërshtojnë në mënyrë që faktori ndërkombëtar t’ja ndaloi Malit të Zi inkuadrimin në Bashkimin Evropian gjatë kohës kur ata asimilojnë shqiptarët.

Kjo protestë, ua heqi maskat të ashtuquajturve “përfaqësues politik shqiptar” të cilët në mënyrë identike po na sulmojnë sikurse edhe partia e anti shqiptarit Millo Gjukanoviq. FDI deklaron publikisht se do të përkrah të gjitha protestat dhe kundërshtimet të cilat shkojnë në drejtim të realizimit të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, edhe me kusht që asnjëherë mos të dalë në zgjedhje. E gjithë biseda tjetër është propagandë e prodhuar në laboratorët e DPS – së. Koha do ta tregojë – “kohët flasin”.

Me respekt
Forumi Demokratik për Integrim