Labeatët vizituan Greçën në nderë të 103 vjetorit të Kuvendit të Greçës
Në përputhshmëri me planin vjetor të aktiviteteve OJQ “LABEATËT” më 23.06.2014 zhvilloi shtegtim drejt Greçës historike.
Tuz, Malësi (23/06/2014) – Një vit më parë “LABEATËT” vendosën që shtegtimi drejt Greçës të bëhet tradicional dhe i hapur për të gjithë të interesuarit. Qëllimi i kësaj ekspedite tradicionale është që të përkujtohet kjo ngjarje aq e rëndësishme për historinë e popullit tonë.
Në aktivitetin e sotëm morën pjesë 27 persona. Falënderim të veçantë për pjesëmarrje meriton Don Gabriel Grabanica, famullitar i Braticës. Po ashtu do doja të veçoj pjesëmarrjen e Shtjefën Ivezaj, Nikollë Fran Lucaj dhe Gjekë Gjoku Ulaj të cilët përkundër moshës së thyer morën guximin që ti bashkëngjiten ekspeditës dhe me prezencën e tyre shtuan imazhin e aktivitetit të sotëm.
Aktivitetit të sotëm iu shoqëruan edhe Giorgio Faragianna nga Italia, Alma Bazhdari dhe Irfan Domnori nga Shkodra. Nga anëtarët dhe aktivistët në ekspeditë morën pjesë: Luigj Camaj, Anton Pllumaj, Anton Lulgjuraj, Bernard Hasanaj, Nrekë Lulgjuraj, Zef Ujkaj, Robert Ivezaj, Fran Camaj, Albert Camaj, Prëlë Pllumaj, Nosh Lucaj (udhërrëfye), Amina dhe Emin Nikaj, Dorontinë Berishaj, Ilir Sinishtaj, Miran Gashaj, Pashko Gojçaj, Aleksandër Vulaj, Leonard Junçaj, Nikë Berishaj…
Nga mjetet e informimit prezentë ishte Malesia.org e cila çdo herë përcjellë aktivitetet e “LABEATËVE”.
Pjesmarrësit e ekspeditës së sotme u tubuan tek Lujt e Koritës (1370 mlm) nga rreth ora 09.30 u nisën drejt Greçës së Trieshit (Bëkajve). Gjatësia e përgjithshme e rrugës së sotme ishte 13 km.
Rruga nga Lujt e Koritës drejt Greçës kalon nëpër t’banate e Kojës. Rreth e për qark rrugës drejt Greçës shtrihen vendet: Kodra e Muzheçku, Maja e Sokolit, Gropa e Zez (vend në të cilin sipas legjendës Kuçi dhe Trieshi e prenë Hotin ), Lugu i Prosekut, Pusi i Kalbt, Shkalla e Kuns, Gropa e Harushs etj.
Ekspedita vazhdoi rrugën nën hijen e aheve shekullore, si të “vetmit dëshmitarë të gjallë” të kësaj ngjarjeje të rëndësishme historike të kombit tonë.
Siç na rrëfeu Noshi (udhërrëfyesi), trupat e ahut dikur ishin gjigantë saqë disa burra duhej ti pushtonin me duart e tyre. Në vazhdim kaluam pran tʼbanave të Luk Toms Nikprëlaj, nëpër Gropën e Lins, në anën tonë të majtë markante qëndronte Maja e Kujit.
Mbas disa orësh ecje arritëm në destinacionin e paraparë, besnikërish na priste ahu shekullor, ah që besnikërisht po përcjellë dëshminë e Kuvëndit të Greçës (1911) kurë burrat e Shqipnis hartuan kërkesat drejtuar Portës së Lartë, kërkesat që i paraprinë shpalljes së pavarësisë së vitit 1912.
Aktiviteti i sotëm kishte paraparë mbajtjen e një ore historike kushtuar Memorandumit të Greçës.
Orën historike e hapi kryetari i OJQ “LABEATËT” ndërsa për historikun e kësaj date historike foli historiani i ri Zef Ujkaj i cili ligjëroi mbi rrethanat e mbajtjes, përmbajtjen dhe rëndësinë e Memorandumit. (Lexoni (kliko) materialin e përgatitur nga z. Ujkaj)
Mbas përfundimit të orës historike pjesëtarët e ekspeditës vizituan Kronin e Greçës, t’banat e Greçës, buzat e Cemit. Anëtarët e ekspeditës u kënaqën në vrojtimin e natyrës magjepse. Përmbi Kanionin e Cemit gjenden pikëshiqimet e ndryshme të cilat mundësojnë përjetime të jashtëzakonshme, çfarë nuk ofron as një kanion nga rajoni dhe më gjerë. Kanioni i Cemit është margaritari më i rëndësishëm i trashëgimisë natyrore gjeografike jo vetëm i Malësisë por edhe më gjerë. Biodiversiteti dhe geodiversiteti në këtë zonë është i ndërlidhur si rrallë kund. Për këtë do na e kishin lakmi edhe vende më prestigjioze të botës turistike. Vendet fatlume këtë trashëgimi të pazakontë do ta valorizonin nga aspektet e ndryshme, biodiversiteti dhe gjeodiversiteti si rrallë kund i shprehur do të duhej të tërhiqte turistë, shkencëtarë nga fushat e ndryshëm hulumtuese, dashamirë të natyrës, shtegtarë, shëtitore, alpinistë, bjeshkatar, paraglajderë, rafterë etj. Buzat vertikalisht mbi kanion kanë lartësinë 1100 deri 1200 mlm.
Përreth Greçës shtrihen vendet: Bregu i Galë ( Gala Smajlajve ), Lugu i Dulë ( Dulajve ) Lugu i Kol Dokë ( Kol Dokajve ), Gropa e Carë ( Carajve ), Kroni i Greçës, Kroni i Krenë, Dritat e Greçës, Maja e Lerthit, Mjegu ( vendbanim i përhershëm ) Kamat e Greçës etj.
“LABEATËT” premtojnë se këtë ngarje të rëndësishme do ta shënojnë në mënyrë tradicionale dhe të denjët, premtojnë se përsëri vitin e ardhshëm do të kthehen në mbretërinë e ahishtave, freskisë së hijeve, ajrit të pastër, ujit të kristaltë, aromës së këndshme lë luleve të bjeshkës, se nga perspektiva e shpendit do ta shijojnë bukurinë e “ Grand Canyon “ Malësor, ushtimën e Cemit, erën e Bjeshkëve të Namit ( Nëmuna ), borën e cila rrezaton rreth majave të maleve tona kreshnike sikur margaritarët që shkëlqejnë rreth qafave të bardha të bukurosheve malsoreve, bukurinë e tʼbanave, grigjet e rralla që kullosin barin e njomë. Se përsëri do të vijmë e ti shijojmë…
Me shpresë se do nxisim që edhe të tjerët tu bashkëngjiten aktiviteteve të “LABEATËVE”, të vinë dhe kënaqen në vendet në të cilat dikur as që nuk guxonim ti ëndërronim…
Aktiviteti përfundoi më kthimin e ekspeditës në ora 16.40 te Lujt e Koritës nga dhe filloi.
Autor: Luigj Camaj
Labeatët, promovues i pasurisë natyrore të Malësisë
OJQ Labeatët është një shoqëri relativisht e re por e cila ka një bagazh pune tejet të pasur. Edhe pse në kushte minimale, ata po tregohen shumë serioz në punën e madhe që po bëjnë.
Kjo shoqëri në mënyrë të shkëlqyer njofton dhe afron opinionin me bukurit natyre që ka Malësia dhe bën promovimin e pasurisë natyrore që ka vendi ynë, e që ka një potencial të madh për zhvillimin e turizmit malor. Dhe jo veç kaq, ata përkujdesën edhe në shënimin e datave historike me të cilat duhet të krenohet Malësia.
Urojmë që veprimtaria e tyre mos të ndalë, por kjo të jetë vetëm fillimi i punës së tyre fisnike./MALESIA.ORG/