Një grup i maturantëve dhe studentëve të Fakultetit të Mjekësisë kanë ndërprerë protestën e paralajmëruar pasi kanë marrë një ftesë për takim nga Ushtruesi i detyrës së rektorit të UP-së, Anton Berishaj.
Pas një takimi të mbyllur për media, ata janë pajtuar që testet e tyre të rishqyrtohen dhe të vërtetohet saktësia e tyre.
Ardita Asllani, njëra nga organizatoret e kësaj proteste, ka deklaruar se janë pajtuar që të presin vendimin, i cili do të dalë pas rishqyrtimit të testeve.
Ata gjithashtu pranuan se kërkesa e dytë për rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë nuk do të mund të miratohet. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe ushtruesi i detyrës së rektorit të UP-së, Anton Berishaj.
Ai ka thënë se i ka marrë të gjitha masat që askujt të mos i bëhet e padrejtë në provimin pranues në UP.
Ndryshe nga rektorët e kaluar, Berishaj nuk ka pranuar ndihmë nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët gjatë konferencës u afruan me arsyetimin për ta siguruar rektorin.
Ai u ka thënë se ndjehet shumë i sigurt dhe se nuk ka nevojë të jenë në oborrin e rektoratit. /Koha.net/
Jehona protesta 05 08 from Krenar Thaçi on Vimeo.