Serbia duket se është e vendosur të mos lejojë tifozët shqiptarë të shkelin në tokën e saj për të përcjellë ndeshjen kualifikuese të 14 tetorit. Pas disa “batica-zbaticave” taktike, përmes komunikimesh mediatike, por edhe me shkresa zyrtare, duke parë që ditët po ikin dhe sfida e nxehtë e Grupit I po troket, Federata Serbe e Futbollit ka mbërritur në vendimin përfundimtar, i barazvlershëm me atë fillestar, që në fakt e bëri në formë kërkese: për të mos pasur tifozë udhëtues në të dyja kualifikueset, në Beograd dhe në Elbasan. Kjo gjë u kundërshtua nga FSHF-ja, ndërkohë që pala serbe nxori kushte të tjera për të dhënë numrin e biletave (5 përqindëshin e stadiumit).
Për cdo tifoz shqiptar u kërkua që të kishte pasaportë shqiptare, ndërsa FSHF-ja të dërgonte pranë autoriteteve serbe “gjeneralitetet” e detajuara të gjithsecilit person që do të udhëtonte për të mbështetur kuqezinjtë. Me këtë lëvizje, serbët nxirrnin jashtë loje tifozët kuqezinj nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Diaspora dhe vende të ndryshme europiane, ku jetojnë shqiptarët. Ja cfarë shkruan “Alo.rs”, një nga sajtet serbe më të angazhuara me këtë cështje këto ditë, i cili i referohet komisionerit për sigurinë në Federatën Serbe të Futbollit: “Tashmë është përfundimtare: tifozët shqiptarë do të ndalohen të përcjellin ndeshjen e kombëtares së tyre me Serbinë! Çfarë është lënë të kuptohet të martën sot ka marrë konfirmimin zyrtar. Për fat të mirë, tifozët nga Shqipëria nuk do të lejohen të hyjnë në Serbi për kualifikuesen e Kampionatit Evropian, i cili do të luhet më 14 tetor në stadiumin e Partizanit të Beogradit! Ky është verdikti i pohuar ekskluzivisht për “Alo.rs” nga Milivoj Mirkov, komisioner për sigurinë në Federatën Serbe të Futbollit të Serbisë, i cili shton se vendimi në fjalë së shpejti do të jetë në formë të shkruar dhe do t’i dërgohet zyrtarisht Federatës Shqiptare të Futbollit. “Në patëm sot një takim me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, ku bëmë me dije qëndrimin zyrtar të Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila nuk dëshiron të përmbushë obligimin ligjor të shtetit të Serbisë, duke identifikuar me emër, mbiemër dhe numër pasaporte çdo bartës të biletave (ato janë 1125 copë për tifozët shqiptarë). Pala shqiptare tha nëpërmjet një deklarate se heq dorë në mënyrë të qartë nga përgjegjësia për tifozët e vet. Prandaj, është e qartë se nuk mund të garantohet në këtë mënyrë siguria e tifozëve të Shqipërisë, por as të Serbisë në një ndeshje të tillë. Edhe pse Ministria e Brendshme e merr vendimin përfundimtar, unë besoj se Federata Shqiptare e Futbollit tani duhet të informojë tifozët e vet që nuk mund të lëvizin drejt Beogradit më 14 tetor, sepse do të ndalen në kufi në këto rrethana. Ata do të parandalohen të hyjnë në territorin e Serbisë. Në të njëjtën kohë, ne do të kërkojmë që Federata Shqiptare e Futbollit të na japë përsëri 1 125 biletat që i përcollëm asaj më herët, duke shpresuar se do të përmbushë kërkesën më minimale për organizimin e të tilla ndeshjeve “komplekse”, – tha për portalin tonë Milijov Mirkov.
Vendimi përfundimtar është në dorën e MPB, por është e qartë se, mbi të gjitha, nuk merret përsipër siguria e tifozëve të Shqipërisë deri në stadiumin e Partizanit, ku do të luhet ndeshja më 14 tetor.”
/panorama/