Nikollë Ivanaj,personalitet i shquar i shtetit dhe pavarësisë shqiptare

gjeke_gjonajNga: Gjekë Gjonaj

Asnjëherë nuk është e lehtë të shkruash për personalitete të shquara të shtetit dhe pavarësisë shqiptare , mbase të gjithë veprimtarinë e vet jetësore e vunë në shërbim të lëvizjes kombëtare shqiptare. Arma kryesore për këta burra të mëdhenj të Shqipërisë në mesin e të cilëve zë vend edhe trieshjani ( bashkëvendasi im) Nikollë Ivanaj ( 1879- 1951) ishte lapsi , ishin dijet, formimi arsimor për liri , demokraci dhe përparim shoqëror. E veçanta e Nikollë Ivanajt, bashkë me elitën e burrave famëmëdhenjë shqiptarë, është se ai kurrë nuk mbajti “ pushkën për krahu” as “ vezme dhe gjerdanin e fishekëve” ngjeshur brezit. Por i edukuar në një familje atdhetare siç ishte ajo Ivanaj nga Bëkajt e Trieshit , e cila rriti , edukoi dhe arsimoi Mirash Ivanaj – Ministër i Arsimit të Shqipërisë ( 1932-1935) dhe në një mjedis të zjarrtë për fe e atdhe , siç ishte Trieshi , ai mori gjithçka dhe si intelektual i mirëfilltë me një kulturë të gjerë dhe njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja hyri me vetëdije të plotë në rrjedhën e ngjarjeve të lëvizjes kombëtare.
Luftëtar i planeve antishqiptare të Konferencës së Paqes në Paris

Vëllezërit Nikolle dhe Mirash Ivanaj
Vëllezërit Nikolle dhe Mirash Ivanaj

Veprimtaria e Nikollë Ivanajt me gojë ose me shkrim për përhapjen dhe ngulitjen e idesë së ruejtes dhe mbrojtjes së shtetit dhe pavarësisë së Shqipërisë në masat e gjëra popullore dhe diplomacitë e huaja është e një dimensioni të pakrahasueshëm. Mirëpo në këtë shkrim modest dëshiroj që përmes burimeve arkivore sllave ( Ndërmarrja publike Fleta zyrtare e RSJ, Arkivi i Jugosllavisë dhe Instituti ushtarako-historik) të paraqes ( kujtoj ) opinionit copëza të preokupimeve të Nikollë Ivanajt për sensibilizimin e çështjes shqiptare në rrethet ndërkombëtare në vitin 1920 në kohën e mbajtjes së Konferencës së Paqës në Paris, e cila , sikundër dihet, nuk u mor drejt përsë drejti me çështjen shqiptare dhe për rrjedhojë në vend që të plotësonte kërkesat e drejta të popullit shqiptar e komplikoi edhe më tej situatën.
Nikollë Ivanaj si kryetar i Klubit “ Lidhja Kombëtare “ e Shqipërisë dhe delegat i Partisë politike shqiptaro-amerikane pranë Konferencës së Paqes në Paris ishte nga më aktivët e brezit të vet, ndër më të vendosurit dhe njëri nga vizionarët më të dalluar në mbrojtje të të sovarnitetit dhe ardhëmërisë së Shqipërisë.
Ky atdhetar me ndërgjegje të lartë qytetare politike, demokrat i shquar dhe udhëheqës politik ngriti zërin me forcë kundër vendimeve të padrejta që u morën në Konferencën e Paqës në Paris në kurrizë të Shqipërisë, organizuar nga fuqitë e mëdha fituese që morën pjesë në Luftën e Parë Botërore, për t’u diktuar vendeve të mundura kushtet e paqes dhe rindarjen e kolonive si dhe sferave të ndikimit, në të cilën rolin kryesor e luajtën SHBA, Anglia, Franca Italia dhe Japonia. Në vijim po japim vetëm disa shkresa ( dokumente) në disponim, të cilat dëshmojnë dhe dokumentojnë përpjekjet dhe angazhimin e fuqishëm të Nikollë Ivanajt në mbrojtje të Shqipërisë si shtet i pavarur e sovran.

Apel Nikolla Pashiqit

Në dokumentin arkivor jugosllav, 336-28-IV-VII/ 12-5829 figuron se Nikollë Ivanaj , kryetar i Klubit “ Lidhja Kombëtare” e Shqipërisë dhe delegati i Partisë politike shqiptaro-amerikane pranë Konferencës së Paqes në Pariq, një ditë pas fillimit të saj, më 19 janar 1919 përmes një shkrese ( përkujtesë) kërkon nga Nikolla Pashiq, kryetarin e Delegacionit të Qeverisë Mbretërore Serbe që të angazhohet në shpëtimin e pavarësisë së Shqipërisë .
– Duke e patur deri më tani Mbretërinë Serbe, Kroate dhe Sllovene, si mik dhe mbrojtës tonin në luftë për pavarësi, populli shqiptar dëshiron që të mos lihet në përpkrahje ose papërkrahje të imperialistëve të rinj, të cilët vijnë nga ana tjetër e Adriatikut në Ballkan. Lëshimet që i jepen Mbretërisë Serbe , Kroate, Sllovene me kufi deri në Drin , mund të jenë fatal për unitetin tonë kombëtar, sespe zonat më të pasura dhe më të banuara të Shqipërisë së Mesme , mbeten në këtë mënyrë nën dominimin e Italisë. Nëse Delegacioni i Mbretërisë Serbe, Kroate, Sllovene nuk mund të ruaj integritetin e shtetit shqiptar në kufinjt nga viti 1913, unë jam i lirë të apeloj tek Ju z. Kryetar, që kufirin e propozuar të mundoheni ta shtyni sa më larg në jug për këto arsye:

1. Sepse ne shqiptarët nuk kemi besim në Italinë zyrtare, gjegjësisht në krijimin dhe ekzistimin e pavarësisë së Shqipërisë, si në vështrimin politik dhe ekonomik, sepse ajo, ka për qëllim që gjatë mandatit të italianizojë shtetin tonë dhe kështu më vonë ta aneksojë;

2. Sepse Italia as me Traktatin e Londrës 1915 nuk ka të drejtë në pjesën e epërme të Shqipërisë:

3. Sepse fiset e Mirëditës, Matit dhe Malësisë nuk mund të mbijetojnë ekonomikisht , nëse ndahen nga qyteti i Shkodrës me rrethinë – çka tregon qartë edhe një shikim fluturimthi në hartën gjeografike – ne kërkojmë: që kufiri i përkohshëm të caktohet dhe të tërhiqet së paku për atë vijë , e cila është e paraparë për Serbi dhe Mal të Zi si eventuale me Traktatin e Londrës , 1915.”

Dy kërkesat e Ivanajt mikut të tij Krosto Dakos

Nuk po zgjatem në portretin e Krosto Dakos, por nuk mund të mos theksoj pohimet e njohësve të mirë të veprimtarisë së tij atdhetare se emri i tij ishte ndër më të dalluarit në mjedisin e emigracionit shqiptar në Amerikë. Kjo mendoj unë ishte arsyeja kryesore që Nikollë Ivanajn e nxitën t’i drejtohet edhe zyrtarisht mikut të tij Krosto Dakos për shpëtimin e shtetit dhe pavarësisë shqiptare, nga rreziku i copëtimit të saj në ato vite.

Ivanaj: Populli shqiptar do të derdhë pikën e fundit të gjakut për ruajtjen e shtetit dhe pavarësisë shqiptare

Në shkresën e parë që Ivanaj i dërgon Kristo Dakos, president i Partisë politike shqiptare në Boston thuhet : “Njoftoni kompetentët se çështja e pavarësisë se Shqipërisë është çështje e ekzistimit të popullit shqiptar. Me asnjë parim dhe me asnjë të drejtë nuk mund të arsyetohet shfuqizimi i pavarësisë së shtetit shqiptar, e cila ka ekzistuar ndërkombetarisht nga viti 1913. Aneksimi i Vlorës dhe ndarja e Gjirokastrës dhe Korçës e “ vrasin” eksistencën shtetërore dhe nacionale të Shqipërisë. Populli shqiptar nuk do të lejojë ta komnadoj as Italia as Greqia, dhe as cilido mandat tjetër kushdo qoftë. Italia nuk ka vend në Vlorë, e cila është porti i vetëm shqiptar. Hyrja e saj ( Italisë – shënimi im) në Ballkan, qoftë nëpërmjet Vlorës , qoftë nëpërmjet mandatit në Shqipëri mundet vetëm të nxisë ngatërresa te reja ndërkombëtare. Shqipëria nuk është e rrezikuar në veri nga Jugosllavia, e cila kërkon pavaresinë e saj, por nga Italia dhe Greqia të cilat veprojnë për ndarjen e saj. Duke u thirrur në të drejtat e mia të njeriut dhe në principe, të cilat përfshihen në 14 pika të presidentit Wilson , populli shqiptar do të derdhë edhe pikën e fundit të gjakut për ndalimin e kërkesave zaptuese të Italisë dhe Greqisë dhe për ruajtjen e shtetit të formuar dhe pavarësinë kombëtare” . ( AJ, 336 – 28- IV-VII / 12- 5829) . Shkresa me firmën e Nikollë Ivanajt është cituare plotë dhe ka të shënuar datën Paris, 10 mars 1920.
Pas tri javësh , saktësisht më 2 prill 1920 Ivanaj përsëri i drejtohet Kristo Dakos me një shkresë të shkurtër me këtë përmbajtje domethënëse : ,, Bindeni koloninë tonë, që populli shqiptar nuk mund të presë kurrfarë të mirash nga Italia, derisa ajo të heqë dorë nga qëllimet e saj okupuese në Ballkan. Ajo duhet të ndjek shembullin e Jugosllavise dhe t’i njohë Shqipërisë pavarësinë e plotë politike dhe territoriale”. ( AJ, 336-28-V-VII/ 12-6031 )
(Vijon)