Shoqatat shqiptare në SHBA, shëmbull bashkëpunimi

shoqatat-shqiptare-ne-shba-diaspore1LE TË BASHKËPUNOJMË SI VËLLEZËR TË NJË GJAKU, PËRÇARJA NA LARGON NGA MISIONI KOMBËTAR

Ka më shumë se një vit, që shoqatat Shqiptare me origjinë nga shteti i sotëm i Malit të Zi, bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë aktivitetet e veta në aspektin kombëtar. Bashkëpunimi ynë ka të bëjë me çështje të cilat u përkasin mbrojtjes së të drejtave të shqiptarve nën Malin e Zi, të drejta këto që në mënyrë konstante dhe sistematike shkelen dhe nëpërkëmbën nga aparati shtetëror i Malit të Zi, që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Një nga rezultatet e suksesshme të bashkëpunimit të ndërsjelltë në mes të shoqatave tona ishte edhe demonstrata e 8 Prillit 2014 në Washington DC me një pjesmarrje të gjërë të komunitetit dhe përkrahje të fuqishme të diasporës shqiptare në tërësi. Ne, si shoqata, qëndrimet dhe veprimet tona i bëjmë dhe realizojmë përmes koordinimit të përbashkët mes nesh dhe koordinatorit tonë, e që për këtë mandat koordinator, kemi një aktivist të dalluar të komunitetit tonë z. Esad Gjonbalaj, kryetar i Fondacionit Plavë Guci.

Ne si shoqata bëjmë fushata dhe takime të shumta për të senzibilizuar zyrtarët amerikanë për nëpërkëmbjen e të drejtave të vëllezërve tonë në vendlindje në të gjitha segmentet e jetës nga shteti malazias. Përpos takimeve të shumta me kongresistë dhe senatorë, shoqatat tona kanë realizuar takime me presidentin Nishani dhe presidenten Jahjaga, të cilëve, u kemi paraqitur shqetësimet tona dhe kemi kërkuar përkrahje më të fuqishme nga dy shtetet shqiptare për të drejtat e shqiptarve nën Male të Zi.Ne po ashtu, edhe zyrtarve të shtetit malazias, ua kemi thënë sy më sy duke ua bërë të qartë se i duhet dhënë fund politikave të tyre antishqiptare dhe asimiluese.

Shoqatat tona veprojnë si një trup i vetëm sepse jemi të vetëdishem se sa më të bashkuar të jemi, aq të suksesshëm dhe më të fuqishem do të jemi në misionin ndaj bashkëvëllezërve dhe motrave tona në vendlindje. Suksesi i aktivitetit në bashkëpunimin tonë është transparenca mes nesh, por edhe transparenca në opinionin e gjerë.

Po këto mesazhe ua kemi transmetuar edhe kryeministrit malazias Gjukanoviq në zyrën e kongresmenit Engel po edhe kryeparlamentarit malazias Krivokapiq në takim të hapur në New York. Në përcjelljen e këtyre mesazheve jemi nisë nga parimi se kundërshtarit i duhet thënë e vërteta në sy. Aq më shumë, kur ne ua kemi thënë në prani të një miku të çështjes sonë Kombëtare, siç është Kongresisti Eliot Engel. Udhëheqësit Malazias, janë vënë përballë fakteve diskriminuese ndaj shqiptarve në Mal të Zi pikërisht në sy të amerikanëve që bëjnë politikën botërore.

Shoqatat tona në misionin fisnik të tyre shpesh janë bërë pre e tentimeve të lloëjllojshme dhe shantazhimeve të agjenturave të ndryshme në shërbim të Qeverisë Malzeze, që përpiqen të dobësojnë bashkëpunimin tonë me qëllimin e tyre të errët dhe të verbët- futjen e përçarjeve në mes nesh.Kush fiton në këtë rast? Shqiptarët -JO!

Vëllezër dhe motra, duhet të përballemi me kurajo me kundërshtarët, që tentojnë të na dobësojnë në Misionin tonë Kombëtar përmes përçarjes. Bashkimi ynë i tremb antikombëtarët, përçarja e çon ujin tek antishqiptarët dhe tek ata që kërkojnë asimilimin e plotë të shqiptarëve në trojet tona natyrale.

Ne ndjehemi krenarë nga paraardhësit tanë, të cilët jetën e tyre e kanë vënë në shërbim të Kombit Shqiptar dhe të drejtave të mohura të bashkombasve. Le t’i përdorim figurat tona Kombëtare si burim frymëzimi në Misionin tonë Kombëtar.

Me iniciativën e shoqatës Malësi e Madhe në Detroit, me kryetar Pashko Gjokaj, presidentit Nishani i ashtë dorzuar projkti për ndërtimin e shtatores së heroit kombëtar Ded Gjo Luli në Tiranë, i cili mbetet një shtyllë e fortë e Historisë Kombëtare.

Misionin tonë të shenjtë në të mirë të atdheut dhe vendlindjeve tona këtë vit po e permbyllim me Konferencën e 2-të ndërkombtare që do zhvillojmë më 1 Nëntor 2014 në Oakland University. Kësaj konference në nivel akademikësh i paraprijnë prof dr. Shinasi Rama dhe prof dr. Viktor Ivezaj.

Dhe për të dëshmuar se jemi vëllezër të një gjaku dhe një Flamuri Kombëtar, shoqatat tona do të bëjnë nënshkrimin e” Rregullores së Bashkëpunimit” në mes të shoqatave tona më 2 Nëntor 2014 në Detroit, ku nikoqire kemi shoqatën tonë si motër Malësi e Madhe nga Detroit.

Shoqatat:
Fondacioni ‘’Plavë Guci’’- New York
Shoqata Atdhetare ‘’Malësia e Madhe’’- Detroit
Shoqata Atdhetare ’’Ana e Malit’’-New York
Fondacioni Humanitar ‘’Malësia’’- New York
Fondacioni ‘’Ded Gjon Luli’’- New York
Fondacioni ‘’Dom Simon Filipaj’’- New York
Fondacioni Humanitar ‘’Malësia’’- New York
Shoqata Atdhetare ‘’Kraja’’- New York
Shoqata Atdhetare ‘’Ulqini ‘’- Chicago

New York, Detroit, Chikago
14 Tetor 2014