Fillimisht duhet të sqarojmë opinionit publik se ne, “Tifozat Kuq e Zi” nga Tuzi – Malësia, ishim dhe jemi gjithmonë në përkrahje të Kombëtares tonë, pra Kombëtares Shqiptare. Atë do ta bëjmë në stadium apo kudo tjetër, ashtu siç bëjnë tifozët kudo në botë.
Ishim në përkrahje edhe me 14 tetor në Tuz, kur Kombëtarja jonë luajti në Beograd, kundër kombëtares serbe.
Festimi ynë pas ndërprerjes së ndeshjes nuk rrezikoi dhe as provokoi askënd, e aq më pak, siç e quajtën disa politikan malazez, ishte “çështje serioze e sigurisë” (shtetërore). Këto thirrje janë tendencioze por dhe qesharake. Ata ftojnë organet gjyqësore të identifikojnë organizatorin e që më pas ta dënojnë. Kemi festuar haptas, prandaj dhe dini ku të na gjeni.
Nëse UEFA kryen obligimin e vet në mënyrë të drejtë, atëherë Kombëtares tonë do ti takojnë 3 pikë nga kjo ndeshje, dhe ajo është arsyeja pse festuam. Festuam dhe për lojën e mirë që tregoi Kombëtarja jonë, e aq më shumë për korrektësinë, qëndresën dhe reagimin burrnor të djemve tonë.
Në Mal të Zi por dhe në Tuz-Malësi ka tifoz të Malit të Zi, Serbisë, Bosnjës e Kroacisë, dhe ne si tifoz të Shqipërisë kjo nuk na pengon fare, çdo njëri ka të drejtë të përkrahë atë që donë.
Sigurisht se dhe serbet përkrahin kombëtaren e vetë, gjë e cila është plotësisht e natyrshme dhe duhet respektuar, por në ndeshjen e 14 tetorit në Beograd dominoi dhuna, racizmi e vandalizmi gjë të cilën ne e dënojmë, dhe kjo është çështje të cilën do duhej ta dënojnë edhe zotërinjtë që u shqetësuan nga festimi jonë.
Ata nuk përmendin incidentet e 15 tetorit në gjimnazin e Tuzit dhe dhunën e policëve ndaj nxënësve shqiptarë, as sulmet mbi ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Podgoricë me 16 tetor apo titullin ofendues, banal e racist në faqen e parë të gazetës “Informer” të 16 tetorit, por merren me festën tonë. Zotërinj, Radulovic (nënkryetarë i Kuvendit malazez) dhe Labudovic (deputet) ju duhet të shëroni urrejtjen tuaj, sepse ne do të festojmë çdo herë kur të kemi arsye të festojmë.
Tifozat Kuq e Zi kanë mirëpritur ekipe të shumta, kanë udhëtuar jashtë në përkrahje të Kombëtares në shumë shtete, dhe çdo herë kanë fituar komplimente për sjelljen e tyre. Ne jemi aty për të përkrahë djemtë tonë dhe jo për të sulmuar tjerët. Kjo është tifozllëk i vërtet. Te ne mbizotëron dashuria përkundër urrejtjes. Ne jemi me Kombëtaren sepse e duam atë, jo pse i urrejmë të tjerët.
Festimi nuk mund të shqetësoj mendjen e shëndoshë, dhuna është ajo që njerëzit duhet ti shqetësoj.
Tifozat Kuq e Zi,
Tuz, Malësi – 17 tetor 2014