Protesta në Ulqin: STOP diskriminimit, duam të arsimohemi si shqiptarë

Protesta- ulqin 2014A do të jenë në protestën e 14 nëntorit prezent të gjithë politikanët shqiptarë ?

Të protestojmë për dinjitet, STOP diskriminimit, duam të arsimohemi si shqiptarë – kjo është motoja e protestës së paralajmëruar për ditën e premte, me 14 nëntor 2014 me fillim nga ora 11 para komunës së Ulqinit.
Politikanët shqiptarë në Mal të Zi pothuajse gjatë gjithë kohës kanë potencuar problemet me të cilat ballafaqohet arsimi shqip në këto troje por që rezultatet në teren nuk është që janë edhe aq për tu lavdëruar. Një pyetje interesante që shumë kush pyet është nëse ditën e premte do të jenë të gjithë politikanët tanë prezent në këtë protestë, ndoshta të parë të këtij lloji në Ulqin, shkruan portali Ulqini Online.

Duke parë angazhimin e tyre gjatë gjithë kohës na rezulton se tema për cilën protestohet është pak a shumë e njëjtë me kërkesat e tyre të vazhdueshme.

Gazetari i i njohur në qytetin e Ulqinit Gëzim Ibroçi i cili në këtë rast më shumë si prind ka marrë rolin e nismëtarit të kësaj proteste me këtë temë mjaft të ndjeshme të cilën çdo prind e përjeton gjatë shkollimit të fëmijëve të vet. Z. Ibroçi në një arsyetim për protestën e së premtes potencon shumë pika. Arsyetimin dhe njëherë njoftimin e z. Ibroçi për këtë protestë mund ta lexoni në tërësi më poshtë.

Nxënës shqiptarë, qytetarë të Malit të Zi

Duke u bazuar në aktin më të lartë juridik, Kushtetutën e Malit të Zi, neni 79 Mbrojtja e Identitetit kombëtar, dhe neni 80 që ndalon asimilimin, dhe ligjet ndërkombëtare që garantojnë të drejta të barabarta pa marrë parasysh gjininë, kombësine, fenë apo ngjyrën kërkojmë respektimin e të drejtave tona themelore për arsimim të denjë si shqiptar, popull autokton në Mal të Zi:1. Nxënësit shqiptar në Mal të Zi kanë shumë pak për të mos thënë, aspak apo të cunguar njësi mësimore nga identiteti kombëtar i shqiptarve,

2. Gjuha amëtare shqipe edhe pse përdorimi i saj është i garantuar me ligj nuk zbatohet në praktik nëpër të gjitha dokumentet shkollore, mbledhjet apo aktivitetet tjera në shkollë

3. Politika dhe centralizimi ka lënë jashte shqiptarët nga procesi, filluar që nga ministria, drejtimi i institucioneve shkollore dhe vendimmarrse,

4. Shkollat, në veçanti paralelet e ndara në zonat rurale ku mësojnë nxënësit shqiptar janë në gjendje shumë të keqe, dhe nuk plotësojnë kushtet për zhvillimin e mësimit,

5. Tekstet shkollore, në veçanti libri i historisë, është diskriminues dhe ofendues, e po ashtu ai i kulturës muzikore,

Theksojmë këto janë vetëm disa prej anomalive që rëndojnë arsimin e nxënësve shqiptar në Mal të Zi, andaj kërkojmë që fëmijët tanë, nxënësit shqiptar të mësojnë si shqiptar ,duke mësuar për historinë ,këngët dhe kulturën kombëtare në tekstet e tyre shkollore, që tekstet shkollore aktuale të zavëndsohen me botimet e Prishtinës deri në hartimin e teksteve të reja shkollore, ku do ishin edhe shqiptarët pjesë e këtij procesi.

Gjuha shqipe të përdoret në të gjitha dokumentet shkollore, që shqiptarët të jenë të përfaqsuar në tërë procesin, duke filluar nga Ministria e arsimit, Enti për tekste shkollore, institucionet arsimore dhe vendimmarrse dhe që në shkollat ku aktualisht janë kushtet ekstreme të bëhën investime duke u mundësuar nxënësve mësim normal