Isa Mustafa do të udhëheqë me ekzekutivin në koalicionin në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Marrëveshja për koalicion në mes të PDK’së dhe LDK’së u arrit sonte me ndërmjetësimin e Ambasadores amerikane Tracy Ann Jacobson dhe Presidentes Atifete Jahjaga. Pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të LDK’së ditën e sotme Mustafa deklaroi se do të hyjnë në koalicion vetëm nëse kjo parti do të udhëheq me Qeverinë.
Lideri i PDK’së, Hashim Thaçi, pritet të bëhet President i Kosovës në vitin 2016, atëherë edhe kur i përfundon mandati presidentes aktuale, Atifete Jahjaga. Kjo është përfolur në vazhdimësi si një mundësi, në rast se do të arrihej marrëveshja PDK-LDK, e cila u arrit sonte.
Pas situatës politike të krijuar në vend, e sidomos pas asaj që ndodhi mes Bllokut, LDK ka këmbëngulur se në qeveri do të jetë vetëm me postin e kryeministrit. Ndërkaq për “lëshimin” e këtij posti, kishte kohë që PDK pati dhënë shenja. Derisa LDK kishte si kusht Kryeministrin, PDK në anën tjetër kishte kusht të jetë në qeverisje./Gazeta express/MALESIA.ORG/