Nga sot shqiptarët do të jenë më të pasur për edhe një subjekt tjetër.
Në skenën e pasur politike të shqiptarëve në këto troje, sonte në Ulqin do të vendosen themelet e një subjekti të ri politik, Lëvizja Qendrore Shqiptare për Integrime.
Koordinator i kësaj lëvizje përmendet të jetë Dr. Isat Jakupi, i cili më herët ishte kreu i Lëvizjes qytetare “E verteta”, si dhe këshilltar i Partisë së Prosperitetit Demokratik (PPD) në Kuvendin e Ulqinit.
Jozyrtarisht mësojmë se për mbledhjen e sotme është propozuar që të formohet trupi koordinues, i cili do të përgatisë kongresin themelues të kësaj lëvizje politike.
Përndryshe, në Republikën e Malit të Zi, sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, të deklaruar shqiptar janë diçka më shumë se 30 mijë qytetarë. Megjithatë, shqiptarët në këto troje, që nga fillimi i pluralizmit i viteve të 90-ta, ka një numër tepër të madh subjektesh politike.
Pas formimit të subjektit të parë shqiptarë, Lidhjes Demokratike në Mal të Zi (LDnëMZ) në vitin 1990, në skenë dolën edhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH), Partia e Prosperitetit Demokratik (PPD), Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve (BDSH), Forca e Re Demokratike (FORCA), Iniciativa Qytetare – Tuz, Alternativa Shqiptare (ASH), Partia Demokratike (PD), Lëvizja Perspektiva, Lista për Tuz, Aleanca Rinore Shqiptare dhe dy lista nga Plava e Gucia. Të gjitha këto, e ndoshta mungon edhe ndonjë tjetër, nga vitit e 90-ta e deri me sot, garuan për votat e shqiptarëve. /MALESIA.ORG/