Lideri i Lëvizjes për Ndryshime në Mal të Zi, Nebojsa Medojevic, i përgjigjet letrës së hapur të dërguar nga lideri i listës për Shqipërinë Natyrale, Koço Danaj lidhur me idenë e Shqipërisë Natyrale.
Në një shkrim të botuar në të përditshmen malazeze, Dan, Medojevic shprehet se është i gatshëm të diskutojë me historianin shqiptar për të gjitha të drejtat e Shqiptarëve në Mal të Zi, por kurrsesi për ndryshimin e kufijve.
Nebojsa Medojevic e ka shfrytëzuar rastin që të kritikojë pushtetin aktual të Malit të Zi për qasjen ndaj komuniteteve pakicë dhe ndaj çështjeve të hapura me vendet fqinje.
Ai tha se përpjekjet për të zgjedhur çështjen shqiptare në Mal të Zi përmes negociatave me regjimin njëpartiak dhe jodemokratik, kryesisht kanë përfunduar me mashtrime apo tregti në mes të regjimit dhe partive apo liderëve përfaqësues të pakicave shqiptare.
“Unë e kam kuptuar se kemi probleme të mëdha kur asnjëri prej deputetëve të partive politike shqiptare në Kuvend, Vesel Sinishtaj, Mehmet Bardhi e Ferhat Dinosha, nuk kishin votuar për Kushtetutën e parë të shtetit të pavarur të Malit të Zi”, tha Medojevic.
“Ulqini dhe Tuzi do të jenë pjesë të Malit të Zi, kurse me shqiptarët jam i gatshëm të zhvillojmë dialog për të gjitha çështjet e hapura në mënyrë që të arrihet një marrëveshje historike për bashkëjetesë në shtetin e Malit të Zi”, ka theksuar Medojevic.
“Ky është një rast i shkëlqyeshëm që kolegët e mi, liderët e shqiptarëve në Mal të Zi, të thotë publikisht se Ulqini nuk duhet t’i bashkëngjitet “Shqipërisë etnike”, ka shtuar ai. /MALESIA.ORG/