Në sallën e Qendrës për Kulture “Malësia” në Tuz e cila ishte e mbushur plot e përplot deri në vendin e fundit, u shënua mbrëmë (me 27 nëntor) festa e madhe e 28 Nëntorit nën organizimin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, kurse bashkorganizator të manifestimit ishin edhe SH.K.A “Dedë Gjo Luli” dhe SH.K.A “Koha”.
Në sallë kishte edhe mysafirë nga Plava dhe Gucia nga Ulqini edhe nga Shqipëria të cilët u bashkëngjitën në këtë manifestim. Po ashtu ishin prezent edhe përfaqësuesit diplomatik të ambasadës Shqiptare, përfaqësuesit e partive politike shqiptare, përfaqësues të misionit fetar etj.
Me këtë rast të pranishmëve ju drejtua me një fjalë përshëndetëse Kryetari i Këshillit Kombëtar z. Genci Nimanbegu, kurse fjalën e rastit e pati përfaqësuesi i këtij Këshillit nga Malësia Smail – Maliq Çunmulaj.
Po ashtu me fjalë të zgjedhura kushtuar datës që na bashkoi , të kaluarës sonë dhe historisë së Malësisë ju drejtua edhe moderatorja e programit Besiana Mehmedi.
Për argëtim të plotë u kujdesën Shoqëritë Kulturo Artistike por edhe tenori shqiptar Shkodran Tolaj me bashkëshorten Besiana Mehmedi.
Ishte kjo një atmosferë tejet festive ku vërtetë malësorët dëshmuan një përkushtim dhe një adhurim për këtë datë ku pikat muzikore ato që ishin më prekëse u përcjellën me ovacione me duartrokitje dhe me ngritje në këmbë të krejt publikut. Po ashtu në mesin e atyre që u përkujdesën për një atmosferë të këndshme dhe festive ishte edhe çifti Bruno dhe Paskualina Shllaku, të cilët po ashtu arritën të zgjojnë emocione të dukshme te publiku malësor.
Duhet vlerësuar se manifestimi i sivjetmë ishte vërtetë në nivel dhe se radhë ndonjë herë salla e Qendrës për Kulturë ka qenë më e mbushur seç ishte sonte, kjo dëshmon një respekt të madh të malësorëve për të gjithë ata që i mban që të ndihen krenar që janë shqiptar, duke vlerësuar gjithnjë edhe kontributin e të parëve të vet me qenë se flamuri për herë të parë u ngrit në Deçiqin e Malësisë, pothuajse një vit para se të shpallej pavarësia dhe para se të ngritët ky flamur një herë e për gjithmonë zyrtarisht në Vlorën heroike në vitin 1912.
Definitivisht mund të themi se mënyra se si u organizua dhe si u realizua ky tubim, lirisht mund të konstatohet se manifestimi që u mbajt në Tuz këtë vit mund të ketë karakterin e një manifestimit qendror që do të ishte mirë që shqiptarët në këtë mënyrë dhe në këtë nivel ti mbajnë çdo vjet edhe në viset tjera shqiptare.
Albert Camaj
