Kosova ka dështuar të bëhet pjesë e kartës së Adriatikut, me votën kundër të Bosnje Hercegovinës.
Në takimin e Komisionit të Partneritetit në nivel të Ministrave të Punëve të Jashtme të Kartës SHBA-Adriatike A5 që u mbajt në Tiranë, Bosnje-Hercegovina si një prej 5 shteteve pjesë të kartës A5 i ka thënë jo Kosovës.
Kërkesa e Ministrit të Jashtëm shqiptar Bushati për pranimin e Kosovës ka sjellë edhe përplasjen e radhës diplomatike me Serbinë, e cila ishte në cilësinë e vëzhgueses në këtë takim bashkë me Kosovën.
Ka qenë Ambasadori serb në Tiranë i cili sapo ka artikuluar Bushati kërkesën, ka braktisur sallën e takimit.
Këtë veprim të Ambasadorit, Bushati në daljen e tij për mediat e cilësoi një qëndrim të palës serbe. Ai deklaroi se është mandatuar për të mbrojtur interesat e Shqipërisë dhe jo ato të Serbisë. “Është qëndrim i palës serbe. Jam i mandatuar për të mbrotjur interesat e Shqipërisë e jo të Serbisë. Seicili e di mirë si e sheh raportin me NATO-n.
Thënë shkurt e troc ne si Shqipëri do të dëshironim një gjithëpërfshirje. Sa më shpejt ta ndajnë mendjen që kjo është rruga e vetme dhe më e qëndrueshme aq më e mirë është në mënyrë që të mos krijohen boshllëqe në këtë pikëpamje.
Kosova kishte dorëzuar një kërkesë formale që u miratua nga të gjitha vendet pjesëmarrëse përfshi dhe SHBA, por pala boshnjake kishte probleme. Do të donim që Kosova të ishte partnere ,por jo statusin e vëzhguesit, por kjo nuk e pengon Kosovën të ulet në tryezën e A5, as Serbinë” tha ai. /OraNews/MALESIA.ORG/