Sot në Tiranë Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati u takua me zv.Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Igor Luksic, raporton Anadolu Agency.
Ndërmjet dy vendeve është nënshkruar edhe marrëveshja e njohjes së ndërsjelltë të lejeve të drejtimit (patentave) mes dy vendeve.
Pas takimit të dy homologët, Bushati dhe Luksic kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp. Bushati ka theksuar se ka biseduar me homologun e tij malazez rreth bashkëpunimit dy palësh mes dy vendeve dhe për nënshkruanim e marrëveshjes së patentave.
“Jemi duke punuar edhe për marrëveshje të tjera të bashkëpunimit ekonomik në dhënien e ekspertizës ndërsjella në çështjet e Bashkimit Europian. Gjithashtu dëshirojmë të bashkëpunojmë në projekte të përbashkëta të karakterit ndërkufitar duke pasur parasysh elementet pozitivë dhe frytet që sjell procesi i anëtarësimit të Shqipërisë dhe Malit të Zi në Bashkimin Europian dhe mundësitë që ofron ky proces nga pikëpamja e forcimit të marrëdhënieve ndërkufitare dhe jo thjesht në kuptimin politik, por edhe në atë ekonomik”- u shpreh Bushati në fjalën e tij.
Bushati ka theksuar se Shqipëria si vend anëtar i NATOS është mbështetëse e qartë e jetësimit të politikës së dyerve të hapura dhe në këtë kontekst mbështet anëtarësimin e Malit të Zi në këtë organizatë.
Bushati ndër të tjera theksoi se dy vendet do të vazhdojnë të bashkëpunojnë në projekte të përbashkëta të infrastrukturës që ndërlidhin jo vetëm Shqipërinë me Malin e Zi por edhe vetë vendet anëtare të Bashkimit Europian.
Ndërsa zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Igor Luksic ka pohuar se përkrah deklaratat e homologut Bushati që marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyeshme. “Krahas marrëveshjes së sotme për patentat në javët e ardhshme do të nënshkruajmë marrëveshje që ka të bëjë me çështjet ekonomike dhe shumë plane të tjera bashkëpunimi në të ardhmen”.
Njohja për herë të pare, të lejeve të drejtimit kombëtare me Malin e Zi sjell lehtësira, jo vetëm për lëvizjet e qytetarëve për qëllim qarkullimi në territoret respektive, për periudhën e vlefshmërisë së tyre, por kjo procedurë u krijon shtetasve shqiptarë mundësinë të punësohen si drejtues mjeti në Malin e Zi, me të drejta të barabarta me shtetasit malazez, në përputhje me lejen e drejtimit që disponojnë. Kjo marrëveshje vjen mbas nënshkrimit të marrëveshjeve për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit me Italinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Kroacinë.
Pyetje e gazetarëve për statusin e Tuzit
Nga kabineti i Ministrit Bushati nuk raportohet të ketë pasur bisedime në lidhje me çështjen e shqiptarëve në Mal të Zi, megjithatë pas takimit, në konferencë për shtyp, një gazetarë i shtron pyetjen ministrit malazez se kur planifikon qeveria malazeze të njohë statusin e komunës për Tuzin si dhe pyetje për ligjin diskriminues për të mirat detare, vija e të cilit uzurpon shumëfish më shumë hapësirë në Ulqin se në gjitha komunat tjera në Mal të Zi.
Në lidhje me statusin e komunës Luksic tha se ende nuk është gjendur një konsensus i plotë por që shumica janë të mendimit që Tuzit ti jepet status i veçante, duke mos sqaruar se bëhet fjalë për komunë si të gjitha tjerat, por sipas gjasave të një komunë gjithnjë nën Podgoricë. Ai më tej vazhdon se Tuzit do ti jepet buxheti i vet, të ketë të ardhura të tjera, një model, siç tha ai, të cilin e mbështet shumica.
Sa i përket ligjit për të mirat detare Luksic u shprehë se ligji nuk ka pasur qëllim të cenojë askënd, aq më pak pakicën shqiptare. /MALESIA.ORG/A.A./