Nikollë Camaj: Tri raste që dëshmojnë servilizmin tonë

nikolle_camaj_01Lukshiq në Tiranë, Ferid Hoxha në NY, Vuçeliq në Tuz…

Lukshiq në Tiranë, para gazetarëve flet për “njëfar statusi të veçant” për Tuzin, për çka, pohon Lukshiq, ekziston një përkrahje e madhe, por jo edhe konsenzusi. Natyrisht se konsenus as s’do të ketë përderisa grupacioni politik, LD-Dega e Malësisë, apo pesëshja e artë nga zgjedhjet e fundit lokale për Kuvendin e KU të Tuzit, nuk do të jap pëlqim për gjysmëzgjidhje që Malësinë e lënë përjetësisht teritor (k)urban të Podgoricës.

Ferid Hoxha, ambasadori i Shqipërisë në OKB, në një intervistë për TV BOIN flet për te drejtat tona, këtu në Mal të Zi, si për të drejta maksimaliste, si për të drejta që mund të shërbejnë si shmebull i mirë për rajonin, si model, madje duke pohuar se shqiptarët i kanë të drejta si asnjë pakicë tjetër. A mund të jet që ambasadori Hoxha nuk e njeh realitetin tonë, apo thjeshtë kemi të bëjmë me një servilizëm të tepruar e të panevojshëm të përfaqësuesit diplomatik shqiptar.

Vuçeliq, drejtori i Ujësjellësit, erdhi në Tuz për diçka që as ai se priste, erdhi për Çmimin e Komunës Urbane. Nuk e priste sepse e dinte se as nuk e meritonte e as që mund t’i takonte, në bazë të akteve të Kuvendit të KU. Por, servilizmi i atyre që e propozuan dhe dëgjueshmëria e pakuptimtë e Komisionit për ndarjen e çmimeve, bënë që Vuçeliq të jet laureat i Çmimit të KU të Tuzit për vitin 2014. Të jemi të sinqertë, për këtë komision votuam edhe ne, por me besim të plotë se titujt e tillë s’do të bënin aso shkeljesh, në dëm të dinjitetit dhe të të drejtave tona.

Pa bërë asnjë koment plotësues lidhur me atë se cilat janë mendimet dhe qendrimet tona, e që e besojmë se i keni të njohura, vetëm po publikoj se grupi ynë politik, në shenjë mospajtimi, nuk mori pjesë në mbledhjen solemne që u organizua në QKI “Malësia” dje, më 15 dhjetor 2014, e për nder të çlirimit të Tuzit, me ç’rast iu dha çmimi zotërisë në fjalë. Më në fund, ne as që e kishim vend në një manifestim që e organizojnë ata shqiptarë e përfaqësues të institucioneve lokale, të cilët nuk muarën pjesë në manifestimin për nder të 28 Nëntorit, organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar. Por, disa përfaqësues të tjerë nuk e panë këtë pëngesë. Apo as që mund ta kishin, përderisa Lukshiq thirret në përkrahjen që ata i dhanë projektit mbi “statusin e veçantë” për Malësinë. Ne i thamë dhe do ti themi JO atij lloj statusi, por mbi të gjitha i themi JO servilizmit dhe rrënimit e nëpërkëmbjes së dinjitetit tonë. Shpresoj se për këtë dinjitet do të mendojë më shumë edhe z. Hoxha, por edhe subjektet e tjera nacionale shqiptare në Mal të Zi.

Nikollë Camaj