Shënohet dita e KU Tuz, “Çmimi” për Vladan Vucelic

ku tuz 15 dhjetori
Sot Komuna urbane e Tuzit shënoi 15 dhjetorin, ditën e Komunës urbane të Tuzit.
Për këtë rast, në QKI Malësia, të pranishmëve iu drejtua kryetari i Komunës urbane dr. Abedin Axhoviq.
Ai në gjuhën shqipe i përshëndeti të pranishmit dhe uroj këtë date, ndërsa fjalim e mbajti në gjuhën serbe/malazeze, ku prezantoi projektet e realizuara në Malësi gjatë mandatit të tij.

Njëkohësisht nga Komuna urbane e Tuzit sot u ndanë edhe çmimet vjetore, fitues i të cilave u shpallen Vladan Vucelic, drejtor i ndërmarrjes publike “Ujësjellësi” si dhe Shoqata Kulturo-Artistike Besa nga Trieshi. Të propozuar për këtë çmim ishin edhe Klubi i futbollit Malësia me trajner David Camaj për arritjet e tyre sportive dhe Profesoresha e edukatës fizike magjistër Verë Berishaj për kontributin dhe përkushtimin e femrave nga Malësia në fushën e sportit.

Kryetari i jurisë ishte dr. Mark Camaj kurse anëtarë tjerë të jurisë ishin Teuta Gilaj, dr. David Kalaj, Semir Laleviq dhe Elez Nikaj.

Çmimi ndahet individëve apo personave juridik nga treva e Komunës urbane e  Tuzit, por mund të ndahet edhe individëve që nuk jetojnë në trevën e KU Tuz nëse arritjet kanë rëndësi të veçantë; vepra që përfaqësojnë arritje të jashtëzakonshme për Komunën urbane.
Nga kjo lind pyetja për cilat kontribute të rëndësishme e jashtëzakonshme behët fjalë kur atë çmim e fiton Vladan Vucelic, drejtor i një ndërmarrje publike e cila funksion nga fondet e taksapaguesve.
Sa mund të konsiderohet vepër e jashtëzakonshme instalimi i gypave për furnizimin e ujit të pijshëm e cila u realizua në një pjesë të Malësisë. Realizimi i këtij projekti të cilin e paguajnë taksapaguesit dhe përdorimin e tij të cilin e paguajnë konsumuesit, në shekullin 21  të konsiderohet si një kontribut i jashtëzakonshëm, dhe të dekorohet me çmime, por është juria ajo që e ka vlerësuar. /MALESIA.ORG/