Deputeti i Forcës së Re Demokratike Genci Nimanbegu, në intervistën e dhënë për gazetën “Dan”, deklaroi se Forca nuk ka shkelur marrëveshjen me Iniciativën Qytetare por se po bën ç’është e mundur që marrëveshja të respektohet.
Ai tha se marrëveshja e koalicionit duhet të shikohet në tërësi ku sipas saj bashkimi i Forcës dhe Iniciativës Qytetare duhet të kishte ndodhur deri më 30 qershor të vitit 2013, por kjo nuk u realizua.
“Forca ka bërë çdo gjë qe kjo marrëveshje të arrihet dhe të respektohet”- shtoi Nimanbegu.
Sipas tij, Forca edhe në mbledhjen e Këshillit qendror ka shprehur gatishmërinë për bashkimin e dy subjekteve dhe se kjo është lënë të përfundohet në kongresin e partisë që do të mbahet në fillim të pranverës.
Ai komentoi edhe deklaratat e funksionarit të Iniciativës Qytetare Vasel Sinishtaj, në lidhje me shkeljen e marrëveshjes nga ana e Forcës.
Nimanbegu tha se deklaratat e tilla janë të parakohshme dhe se vetëm dëshmojnë nëse ka pasur dëshire të vërtetë për bashkim nga ana e subjektit tjetër. Ai shtoi se Forca ka kontakte me udhëheqësin e Iniciativës Qytetare dhe anëtarët e tyre, kurse në anën tjetër Sinishtaj ka kontakte me subjekte tjera në lidhje me bashkimin e tyre.
Nimanbegu tha se është e vërtetë marrëveshja për ndarjen e mandatit, por si subjekt i unifikuar.
“Çdo dalje në media pa pasur kontakte mes të dy subjekteve nuk çon në realizimin e marrëveshjes së koalicionit. Mendoj se veprime të tilla e dëmtojnë politikën shqiptare në Mal të Zi,” përfundoi Nimanbegu. /MALESIA.ORG/