Rreth KARRIKËS të “përbashkuar”

Në harkun kohorë të dy muajve të fundit, jemi dëshmitarë të një realiteti të hidhur i cili po ngjanë në skenën tonë politike, ku aktualisht po zhvillohet një betejë e ashpër në mes përfaqësuesve politik shqiptarë, jo për të artikuluar interesat kombëtare në shtetin malazias, por gjithë këtë betejë me njëri tjetrin, pra rreth një Karrikë të premtuar që duhet nda në tre pjesë!

Si asnjëherë më parë, më aktiv se kurrë, pothuaj çdo ditë mund të lexojmë reagime e akuza që i drejtojnë njeri tjetrit. Disa sulmojnë me akuza, kurse tjerët mbrohen me heshtje. Dhe e gjitha kjo për të mbrojtur interesat e veta individuale e partiake, për të nxënë vendin e një karrikë që e kanë ndarë në shumë pjesë, e gjithë kjo vetëm e vetëm për të legjitimuar atë qe nuk duhej kurrë te legjitimohej, pra, copëtimin e substancës kombëtare dhe qitjen e sajë në pah në hapësirën politike malaziase e cila është aspak proshqiptare por përkundrazi.

Krijimi i këtyre dy koalicioneve po zbardhë edhe arsyen, jo për tu bashkuar, pa dashje apo me dashje po shpalojnë dobësinë e tyre për të fituar një mandat, e që si rezultante del të “bashkohen” që ta shijojnë çdonjëra nga pakë atë “grimë pushtet” qe ua ka mundësua Djukanovic-i e për të cilën janë në gjendje të flijojnë deri edhe votuesin e fundit shqiptar.

Në asnjë mënyre nuk dëshiroj të pozicionohem nga asnjëra palë, aq më pak për arsyen (?) se këtu nuk behët fjalë për interesin e popullit por thjesht për çështje të brendshme të interesave të ngushta individuale e partiake, sepse kjo luftë politike nuk po bëhet në emër të popullit dhe as në mbrojtje të interesave të tij.

Në fakt, është një vulë e zezë e cila edhe një herë po vërteton se karrikën e përjetojnë si trashëgimi dhe si mjet që u takon vetëm atyre dhe e cila nxë vendin e interesave kombëtare. Ajo karrikë të cilën nuk e meritojnë por atë ua siguroj vota e popullit.

Fatkeqësisht, sjelljet e tilla të politikanëve në fjalë, pa përjashtim, qoftë Nik Gjeloshaj, Mehmet Bardhi, Vasel Sinishtaj apo Genc Nimanbegu, zbulojnë faktin e vërtete se për çfarë qëllimi qenkan aty, e që këtë qellim tashmë po e kuptojnë të gjithë shqiptarët.

Këto tendenca janë tërësisht të qarta, pra bëhet fjalë për interes të brendshëm partiak. Këta janë në gjendje të shfrytëzojnë edhe fishekun e fundit, energji, këmbëngulje e kokëfortësi deri në shpresën e fundit, të kundërtën nga ajo që bëjnë për popullin e vetë, vetëm e vetëm për te çua interesin e vetë deri ne fund.

Para zgjedhjeve të fundit parlamentare gjashtë subjekte politike u bashkuan në dy koalicione për të ndarë një karrikë në nga tre pjesë. Ne demokraci parlamentare kjo lloj ndarje e mandatit nuk njihet, dhe bie në pyetje legjitimitetin e sajë dhe të drejtën legjitime të kërkesës për ndërrim (Bardhit e po ashtu edhe Sinishtajt, këtë gjë e dinë shumë mirë Gjeloshaj dhe Nimanbegu), ky pra është rast unik të cilin nuk e njeh as BE-ja.

Politikanët këtë lojë në kurriz të popullit si gjithmonë e bëjnë me pretekst të mbrojtës së interesave kombëtare, e që në fakt ato i qitën pas shpine dhe i harruan në ditën që përfunduan zgjedhjet, duke vrapuar kush mbërrin i pari të trokasë derën e DPS-së dhe ti shpallin përkrahjen Qeverisë. Tashti kur nga ajo qeveri (prej të cilës pritnin që ti realizojë interesat e tyre private) nuk fituan asgjë, me ç’rast karrika e ndarë në tre pjesë, nuk i nxënë të gjithë, përplasjet nuk kanë te ndalur.
Kjo situatë edhe një herë po zbardhë faktin se populli kush e di se për të cilën herë po mbet i papërfaqësuar dhe lindë pyetja çfarë të mirash ka fituar nga ju? E natyrisht, si rrjedhojë e kësaj lind pyetja shumë “naive” : sa herë është ngritë zëri për realizimin e të drejtave kombëtare dhe në emër të tij, kaq ashpër, ashtu siç po bëni në këtë tremujorë ju në emër të karrikës?

Fatkeqësisht, të gjitha këto subjekte politike, pa përjashtim (kush më pakë e kush më shumë), e kanë treguar fytyrën e vërtetë. Ato mbajnë përgjegjësinë por deri tani nuk i përgjigjen kurrkujt! Lidhur me këtë, duhet ngrit zërin se me këta përfaqësueses jo vetëm qe u denigrua çështja kombëtare, jo se u tkurren kërkesat, jo se po kapërcehen prigjet e asimilimit, por po del në pah situata e mjerueshme të shqiptarëve në këto troje, e që si rezultat po e mjegullon dhe po i zbe forcën e më këtë po humbet pesha që shqiptarët duhet ta kishin.

Kjo elitë politike në të gjitha rrafshet shquhet me :
a.  mosekzistencën e një plani të qëndrueshëm e afatgjatë të cilit i mungon ngjyra kombëtare;
b.  mungesa e dijes apo mosdashja e tyre për te bashkërendit veprimet, qe si rrjedhojë ka copëzimin, fragmentimin dhe mbajtjen peng të çështjes kombëtare, duke dobësuar dita ditës faktorin shqiptarë edhe ashtu të çorientuar e të copëtuar, duke i humbur edhe shpresën e fundit të tij dhe besimin për një ditë më të mirë, rezultat i gjithë kësaj i hapë rrugën DPS-së së Djukanovic-it në këto kushte t’i manipulojë me lehtë dhe votën ta blejë më lirë dhe të ç’vlërsojë votuesin shqiptarë në përgjithësi e Malësinë në veçanti.

Prandaj, nëse duam që të shpëtohet ajo që na ka mbet, këto janë momentet e fundit që ajo pjesë e paprekur e trungut shqiptar por e pastër kombëtarisht ti shtrëngojë urgjentisht këto parti dhe të kërkojë përgjegjësinë nga ata për të hap rrugë për unifikim dhe reforma rrënjësore, duke u kthyer në binarët e interesit të përgjithshëm kombëtarë. Mbase, populli nuk ka më pse ti përkrahë këta “përfaqësueses” dhe përfundimisht duhet t’i marrin vetë punët në dorë për një riorganizim kombëtarë e politik.

Robert Gj. Ivezaj, politolog i diplomuar