Ministra e Jashtme e Malit të Zi i ka dërguar një udhëzim ambasadës në Tiranë për të kërkuar nga autoritetet shqiptare informacione në lidhje me flamurin e “Shqipërisë Natyrale” i cili është shfaqur në ndërtesën e Kryeministrisë së Shqipërisë.
Informacione shtesë do të kërkohen nga autoritetet kompetente të Republikës së Shqipërisë, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Fotografia e këtij flamuri është postuar në murin e kryeministrisë në kuadër të një fushate urimesh nga qytetarët gjatë festave të fundvitit.
Bëhet fjalë për flamurin me Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin, të njëjtin flamur që është shfaqur në stadiumin e Beogradit më 14 tetor të vitit të kaluar, gjatë ndeshjes Serbi – Shqipëri.
Për këtë rast para disa ditëve protestë ka dërguar edhe Qeveria e Serbisë.
Ambasadori i Malit të Zi në Shqipëri është Ferhat Dinosha, dikur deputet në Kuvendin malazez dhe kryetari i Unionit Demokratike të Shqiptarëve, i cili zyrtarisht deklarohej si mbrojtës i interesave kombëtare të shqiptarëve në Malin e Zi, kurse tashmë është në pozitën e ambasadorit të Malit të Zi në Shqipëri, përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të shtetit dhe qytetarëve malazez në Shqipëri.
Dje në “mbrojtje” të interesave të shqiptarëve, sot në mbrojtje të interesave të Malit të Zi dhe malazezëve në Shqipëri. /MALESIA.ORG/